Nga Jorida TABAKU
Çfarë po dëgjojmë sot nga goja e zyrtarëve të lartë të Bankës Botërore është një realitet i hidhur i paralajmëruar me kohë nga PD. Shqipëria ka një rritje ekonomike 2.9%, pra më të ulët se sa parashikimet dhe me gjasë kjo ulje do të thellohet më shumë në vijim.
Shkaqet e një rënie të tillë ekonomike lidhen me situatën jo vetëm politike por edhe me drejtimin e gabuar që ekonomia në vend ka marrë. Një presion i gjithanshëm shtetëror karshi biznesit, taksat e larta që rëndojnë xhepin e qytetarit dhe një klimë armiqësore investimesh.
Shqipëria është kthyer në një han pa porta ndërsa ekonomia vazhdon të ndëshkohet nga sjellja pa vizion e qeverisë dhe mazhorancës. Vendi po varfërohet përditë e më shumë ndërsa shqiptarët janë të parët për azilkërkues nga BE-ja. Krahu i punës po bie, biznese po mbyllen ndërsa qeveria vazhdon shpërndarjen e PPP-ve si certifikata të së ardhmes.
Ciklin rënës nuk mundet ta ndalojë kjo mazhorancë, ky kryeministër dhe kjo qeveri. Ne, kemi ofertën e duhur për të nxjerrë nga bataku i çmendurisë që e kanë futur ekonominë ata që duan ta shesin Shqipërinë në tregun e PPP-ve dhe varfërisë.