Një “rënie gjeopolitike” më 2017?

“Times”
Triumfi i një politike të jashtme “Amerika e para” shënon një ndarje me dekadat e jashtëzakonshmërisë në praktikat e SHBA dhe një këndvështrim të orientuar drejt konsensusit në Uashington se lidershipi ndërkombëtar i SHBA, edhe pse shpesh me të meta dhe i pabarabartë, është i domosdoshëm për stabilitetin ndërkombëtar.
Një gjë e tillë është vendosur të sjellë drejt përfundimit paqen alla amerikane që zgjati për 70 vjet, një periudhë në të cilën hegjemonia e SHBA në siguri, tregti dhe promovimin e vlerave siguroi linjat bazë të parashikueshmërisë për ekonominë globale. Më 2017 ne hyjmë në një periudhë të një rënie gjeopolitike të thellë. Me këto ide në sfond ja ku janë 10 risqet politike për vitin që vjen, sipas Grupit Euroaziatik për konsultime të rreziqeve politike.

1. Amerikë e paparashikueshme
E vetmja superfuqi botërore ishte një kartë e fortë ndërkombëtare, duke imponuar rregull, duke kërkuar me forcë kompromis dhe duke shmangur konfliktet. Tani në vend që të gjenerojë politika të dizenjuara për të përkrahur stabilitetin global, Presidenti Trump do të përdorë fuqinë amerikane veçanërisht për të avancuar interesat amerikane, duke mos u shqetësuar shumë për ndonjë impakt më të gjerë. Trump nuk është izolacionist. Ai është i njëanshëm. Duhet të presim një politikë të jashtme amerikane shumë më pak të parashikueshme. Aleatët, veçanërisht në Europë dhe Azi, do t’i bëjnë bisht. Rivalët si Rusia dhe Kina do të testojnë institucione që drejtohen nga SHBA do të humbin akoma më shumë nga pushteti i tyre ndërkombëtar.

2. Veprime të tejskajshme të Kinës
Tranzicioni i lidershipit në Kinë do të krijojë një rrezik që do të ndihet shumë larg kufijve të saj. Nevoja për të mbajtur nën kontroll tranzicionin duke shkuar drejt Kongresit të Partisë në vjeshtë do të rrisë rrezikun e gabimeve në politikat ekonomike që mund të trondisë investitorë të huaj dhe tregje ndërkombëtare. Provokimet nga ana e Trump dhe numri i dukshëm i vendeve ku tensionet SHBA-Kinë mund të ngrenë krye, si Koreja e Veriut, Taiwan, Hong Kong, Deti i Kinës së Lindjes dhe të Jugut, e bëjnë 2017 një vit të rrezikshëm për Kinën dhe të gjithë që varen në të për rritje ekonomike dhe stabilitet.

3. Një boshllëk pushteti në Europë
Lidershipi i fuqishëm nga Angela Merkel ka provuar si të domosdoshme aftësinë e Europës për të menaxhuar krizat në vitet e mëparshme. Europa do të përballet me më shumë sfida më 2017, që nga zgjedhjet në Francë, financat greke, negociatat Brexit dhe marrëdhëniet delikate si me Rusinë ashtu edhe me Turqinë. Për fat të keq, edhe pse Merkel ka shanse të fitojë sërish zgjedhjet si kancelare e Gjermanisë më 2017, ajo do të dalë shumë e dobësuar si figurë. Kjo do të lërë Europën pa një lidership të fuqishëm plotësisht, në një kohë kur udhëheqësit e fuqishëm duhen më shumë se kurrë.

4. Një pauzë në progresin ekonomik
Mos prisni ndonjë valë të madhe në reformat ekonomike aq të nevojshme më 2017. Disa udhëheqës si Modi i Indisë dhe Pena Nieto i Meksikës kanë realizuar aq sa ata kishin mundësi për tani. Në Francë e Gjermani, reformat do të presin deri pas zgjedhjeve, ndërkohë që gjithashtu edhe Kina është përballë tranzicionit të lidershipit në vjeshtë. Erdogan në Turqi, May në Britaninë e Madhe dhe Zuma i Afrikës së Jugut, janë plotësisht të zënë në këtë moment me sfidat e brendshme politike. Në Brazil, Nigeri dhe Arabinë Saudite, plane ambicioze do të vazhdojnë, por do të mbeten deri tek aq sa u nevojitet atyre.

5. Teknologjia duke përçarë Lindjen e Mesme
Çdo vit e më shumë, qeveritë në Lindjen e Mesme humbin ligjshmërinë e tyre. Ndryshimet teknologjike janë duke e dobësuar edhe më shumë e duke e fragmentarizuar rajonin. Rreziqet vijnë si nga lart-poshtë ashtu edhe nga poshtë-lart. Revolucioni në prodhimin e energjisë nënkupton stabilitet për vendet që varen thellësisht në eksportin e naftës dhe të gazit për të ardhurat kombëtare. Automatizimi i vendeve të punës do ta bëjë edhe më të vështirë krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë, një numër ende në rritje. Teknologjitë e reja të komunikimit vazhdojnë të rrisin aftësinë e qytetarëve të egërsuar për të gjetur mendje të njëjta dhe të organizohen. Konflikti kibernetik po e ndryshon balancën e pasigurtë të pushtetit në rajon. Në fund “transparenca e detyruar” (mendo WikiLeaks, etj.,) është veçanërisht e rrezikshme për regjimet e brishta autoritare.

6. Politika që interferojnë me Bankën Qendrore
Bankat qendrore të Perëndimit janë gjithnjë e më vulnerabël përballë të njëjtit lloj të presioneve të ashpra politike që shtrembërojnë ekonomitë e vendeve në zhvillim. Më 2017, ka një rrezik që Trump të përdorë rezervën federale si një kurban politik, duke ushtruar më tepër presion në vendimet e rezervës federale në të ardhmen. Ai ka shumë mundësi që të përdorë largimin e Janet Yellen, mandati i së cilës mbaron në shkurt 2018 për ta zëvendësuar atë me një aleat të vetin personal. Gjithashtu, Theresa May në Britaninë e Madhe ka fajësuar Bankën e Anglisë për politika me norma të ulëta interesi që ka krijuar rritjen e pabarazisë në të ardhura. Në Gjermani, Wolfgang Schauble ka debatuar normat e ulëta të interesit, pasi sipas tij kjo politikë ka reduktuar nxitjen për vende periferike të Europës të pranojnë nevojën për reforma.

7. Shtëpia e Bardhë përballë Silicon Valley
Presidenti Trump dhe sektori teknologjik nuk kanë shumë gjëra të përbashkëta. Trump kërkon siguri dhe kontroll. Teknologjia kërkon liri dhe fshehtësi për klientët e vet. Trump kërkon të hapë vende pune. Teknologjia kërkon automatizim në maksimum. Të dyja palët ndryshojnë shumë në investimet që bëjnë për kërkime shkencore. Më 2017 do të ketë shumë gjëra mes Trump dhe gjigantët e Silicon Valley që të kundërshtojnë njëri-tjetrin.

8. Masat energjike që vazhdojnë në Turqi
Presidenti Erdogan vazhdon të mbajë gjendjen e jashtëzakonshme për të kontrolluar kontrollin e punëve çdo ditë dhe ka ngushtuar rrethin për gjyqësorin, burokracinë, median, madje edhe për sektorin e biznesit përmes një vale arrestimesh dhe spastrimesh. Më 2017, ka shumë mundësi që ai të zhvillojë një referendum për të formalizuar pushtetin e tij dhe politika e tij e shtrëngimit do të përkeqësojë problemet ekonomike të vendit dhe do të përkeqësojë marrëdhëniet me Europën dhe fqinjët. Ai është një lojtar i paqëndrueshëm në një rajon gjithnjë e më të paqëndrueshëm.

9. Kordha e vrullshme e Koresë së Veriut
Është shumë e vështirë të dihet me ekzaktësi se kur Koreja e Veriut do të ketë kapacitete me raketa që të tregojë një rrezik të qartë e të menjëhershëm për SHBA, por duket se RPDK po i afrohet finishit. Kim Jong Un tha në mesazhin e tij për Vitin e Ri se, përgatitjet për lëshimin e një rakete balistike ndërkontinentale ka “arritur në pikën përfundimtare”, edhe pse deklarata të tilla nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura. Në kohën kur marrëdhëniet në rënie mes Kinës dhe SHBA, dy vende që duhet të punojnë së bashku për të menaxhuar rënien, një Kore e Veriut ndërluftuese është një arenë veçanërisht e rrezikshme për konflik të fuqive të mëdha.

10. Një Afrikë e Jugut në përpjekje
Presidenti thellësisht jo popullor Jacob Zuma, i rrethuar nga akuzat për korrupsion, është i frikësuar të kalojë pushtetin tek dikush që nuk i beson. Betejat për të gjetur pasuesin kanë lënë në baltë momentin e nevojshëm për reforma ekonomike në vend dhe kufizon mundësinë e Afrikës së Jugut për të ofruar lidership aq të nevojshëm për të stabilizuar konfliktet në vendet fqinje.

Përgatiti: Redin Hafizi

Exit mobile version