Të dielën në mbrëmje, “San Siro” do të ofrojë derbin e madh dhe të shumëpritur për këtë sezon. Milan-Inter do të jenë sërish përballë kundër njëri-tjetrit për të shkruar një kapitull të ri të kësaj sfide që shumë shpesh është etiketuar edhe si derbi i Europës, të paktën kur në fushë luanin fenomenë si Ronaldo da Lima. Madje, braziliani arriti deri aty sa të vishte edhe të dyja bluzat e qytetit verior, diçka që nuk u pëlqeu aspak interistëve, kur sulmuesi nuk i tha “jo” ofertës së Silvio Berluskonit në sezonin 2007-2008.
Dhe, si për ironi të fatit, si për ta çuar edhe më thellë thikën në plagë, ai edhe shënoi, ndonëse në fund, zikaltrit e përmbysën golin e amerikanojugorit dhe fituan derbin e 11 marsit 2007. Gjithsesi, “Fenomeni” kujton me mall golat për Interin, me fanellën e të cilëve numëron 4 “perla” në derbin e “Madonnina”-s, por sipas tij, ai më i paharrueshmi do të jetë ai i fitores 3-0 në sezonin 1997-1998.
“Për mua, derbi i Milanos ka qenë gjithmonë magjik, një ndeshje drithëruese dhe shumë speciale. Ndeshja që kujtoj me shumë mall është ajo e 22 nëntorit 1997. Atë takim e fituam 3-0, por mendoj se në atë duel shënova një nga golat më të bukur të karrierës. Mbaj mend Morieron që më ofron një krosim të mirë, por unë zgjodha që ta godisja fluturimthi me të jashtmen dhe doli një gol madhështor.
Stadiumi dukej sikur do shembej, kaluam 2-0 në avantazh, ndërsa Simeone mbylli në fund ndeshjen, duke festuar edhe dopietën personale. Çfarë emocionesh! Ndonëse me Interin kam shënuar edhe shumë e shumë gola të tjerë të bukur, nga ato që nuk do t’i harroj gjatë gjithë jetës, nënvizon Luiz Nazario da Lima Ronaldo, i cili më pas ndalet edhe tek aventura e tij me Milanin, “kushërinjtë” e urryer të Interit.
“Edhe te Milani ishte një eksperiencë e bukur për mua, por fatkeqësisht aty nuk arrita që të shprehja më të mirën time. Gjunjët ishin bërë një problem i rëndë për mua dhe pas disa ndeshjesh theva edhe kroçiaton tjetër. Shënova në derbi golin e parë të takimit, ishte sërish bukur, ndonëse në fund Interi na përmbysi dhe ne milanistët u dorëzuam. Ishte një kënaqësi dhe një nder që luajta edhe për Milanin. Në një vit më mjaftoi që të njihja strukturat e atij klubi, tifozët e tyre dhe ishte bukur. Një parashikim? Nuk mund të bëj, dua dhe shpresoj ta shijoj në maksimum derbin e Milanos”.