Një sfidë pa kthim

Uellsi dhe Portugalia do të duelojnë në sfidën e parafundit të Euro 2016, ku do të kërkojnë lavdinë për të prekur finalen e madhe të Parisit. Surpriza më e madhe e këtij evenimenti është padyshim Uellsi që shokoi Belgjikën me një sukses 3-1, duke nxjerrë jashtë ndoshta skuadrën më të talentuar të Europianit. Gareth Bale dhe Cristiano Ronaldo përballë njëri-tjetrit si rivalë, ndoshta në një duel që do të reflektohet edhe në hierarkinë e Realit të Madridit, ku mes tyre jo rrallë herë ka pasur duele të heshtura. Portugalia ka mundësinë e artë të rikthehet sërish në finale pas 12 viteve ku do të ketë mundësinë për të fshirë zhgënjimin e asaj disfate të papritur nga Greqia, por fillimisht duhet të mendojë për takimin e Lyonit, pasi ekipi i Coleman është një kockë e fortë.
Cristiano Ronaldo ka zgjedhur të qëndrojë në hije, kjo ndoshta jo për dëshirë të tij, ndërsa në krahun tjetër Bale është shkrirë me filozofinë e Uellsit, pasi ai nuk konsiderohet një yll, por një lider në radhët e ishullorëve. Mungesa më e madhe e kësaj sfide do të jetë Aaron Ramsey, i cili plotësoi numrin e kartonëve, por kjo nuk është një kambanë alarmi, pasi në skuadrën e Coleman nuk komandojnë emrat dhe cilësia. Në grupin luzitan, Moutinho pritet ta nisë nga minuta e parë për t’i dhënë më shumë fantazi mesfushës, ndërsa Renato Sanchez ngroh motorët për një tjetër ndeshje historike. Në 6 ndeshjet e fundit europiane Portugalia numëron vetëm barazime, ndërsa kjo është hera e 4 që siguron gjysmëfinalen në 5 europianët e fundit.
Në krahun tjetër, Uellsi ka bërë një rrugëtim fantastik deri në gjysmëfinale dhe në këtë ndeshje, të besuarit e Coleman kanë mundësinë t’i tregojnë botës se edhe pse një komb i vogël, ata mund t’ia dalin të bëjnë gjëra të mëdha, ashtu si Hal Robson-Kanu me atë gol fantastik kundër Belgjikës. Në kampin portugez, William Carvalho është mungesa e vetme për trajnerin Santos, i cili nuk do ta ketë të vështirë për ta zëvendësuar, duke parë numrin e madh të lojtarëve cilësorë që ka në dispozicion. Të dyja kampet po planifikojnë ta shtrijnë këmbën e gazit në maksimum, sepse kjo është një sfidë ku i fituari arrin majën, ndërsa i humburi duhet të largohet me brinjë të thyera. Cristiano Ronaldo ka mundësinë e artë për t’u konfirmuar lider dhe pretendent në garën për Topin e Artë, por mbi të gjitha të thyejë mallkimin me kombëtaren, ndërsa Gareth Bale synon të pasojë gjurmët e tij. Në Lyon do të luhet një nga duelet më të paparashikueshëm të futbollit europian, Uellsi i vogël sfidon Portugalinë që i ka dhuruar botës disa nga emrat më të njohur të kësaj loje. Arena është e gjitha për dy skuadrat që kërkojnë biletën e Parisit. Të mërkurën në orën 21:00 dy kombe mbajnë frymën, Europa pret finalisten e parë.

Artikulli paraprakGjermania në emergjencë përballë Francës
Artikulli tjetërMurinjo prezantohet te Manchester United