Një shqiptar 28-vjeçar rezident në Itali është arrestuar nga karabinierët, pasi i janë kapur 5 kilogramë kokainë dhe 10 kilogramë kanabis. Shqiptari u ndalua fillimisht teksa ngiste një ‘Lancia Y10’, gjatë një kontrolli anti-drogë, i cili i zbuloi gjashtë gramë kanabis në xhepin e xhaketës. Kontrolli në banesë fillimisht nuk zbuloi asgjë, por kontrolli i dy garazheve ndryshoi gjithçka.
Në të parin u gjet një çantë me 9 pako kanabis, me peshë 9.07 kg dhe gjashtë “bukë” kokaine, me peshë 4.638 kilogramë. Në garazhin e dytë u gjet një tjetër kilogram kanabis dhe 400 gramë të tjerë kokainë dhe katër kilogramë lëndë përzierëse.
Një ditë më parë, Policia e qytetit të Ravenës në Itali shkatërroi një bandë trafikantësh shqiptarë me 41 kg kokainë në vlerë 1 milion euro. Kokaina mendohet të jetë trafikuar nga Holanda.
Lënda narkotike ishte fshehur në një nga bazat e bandës në një apartament në qendër të Ravenës dhe ishte e konfeksionuar në 76 pako, gati për t’u shitur në tregun e Rivierës Adriatike.
Për arsye hetimesh, policia italiane nuk ka bërë publik emrat e shqiptarëve, shumica e të cilëve janë në gjendje arresti. “Është një nga sasitë më të mëdha të kokainës e sekuestruar në territorin tonë, me një vlerë 1 milion euro”, ka deklaruar kreu i skuadrës Operative të Policisë së Ravenës, Claudio Cagnini.
“Është një goditje e fortë që i kemi dhënë trafikut të drogës. Hetimet deri më tani kanë zbardhur se kemi të bëjmë me një bandë trafikantësh profesionistë, të cilët zotëronin armë dhe kishin lidhje me disa banda grabitësish, që vepronin në territorin e rajonit të Emilia Romanjës”, tha në konferencën e shtypit kreu i Policisë së Ravenës, kuestori Rosario Eugenio Russo.