Një ditë pas betimit të tij si kryebashkiak, kanë dalë të tjera detaje në dritë lidhur me Agim Kajmakun, kandidatin fitues të Partisë Socialiste në zgjedhjet vendore të 30 qershorit për njësinë vendore të Vorës, vendosur në një nga akset kryesore të ekonomisë së vendit.
Në formularin e tij të dekriminalizimit, mësohet se Kajmaku ka deklaruar se ka emigruar në Greqi ku edhe ka patur një emër tjetër, Jorgo Toto. Referuar këtij dokumenti, ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar sot në një postim në “Facebook” se Kajmaku, sipas tij është në kërkim nga shteti helen, pasi ai ka përdorur dhe identitetin tjetër, atë të Jorgo Totos.
Berisha ka publikuar edhe një mesazh të “qytetarit dixhital”, teksa shkruan se kryebashkiaku i Vorës ka patur probleme penale në Greqi, që u morën vesh nga kryeministri Edi Rama kur kandidati i përzgjedhur prej socialistëve u regjistrua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Më poshtë gjeni bashkëngjitur dokumentin që Kajmaku ka depozituar në KQZ. Ndërkaq, pak ditë më parë, PD-ja i drejtoi Prokurorisë një kërkesë për verifikimin e pastërtisë së figurës së kryebashkiakut të zgjedhur të Shkodrës, Valdrin Pjetri.
PD pretendon se Pjetri nuk mund të kandidonte për këtë post pasi ka qenë i ndaluar në vitin 2001-2002 në Itali dhe më pas ndaj tij është marrë masa e dëbimit. Më herët, ditën e somte, organi i akuzës bëri me dije sa ka nisur me kryerjen e verifikimeve përkatëse.