Një tjetër taksë rritet, ja sa do paguani nga 1 janari

Taksa e banesave që prej 1 janarit do të rritet. I ftuar në emisionin Ekopolitikë të gazetares Aurora Sulçe, drejtori i politikave fiskale në Ministrinë e Finanacave dhe të Ekonomisë bëri me dije se, taksa e banesave tashmë do të mblidhet në bazë të vlerës, ndërsa do të paguajnë më shumë ata qytetarë që kanë më shumë se dy shtëpi. Qytetarët shqiptarë do të paguajnë më shumë taksa për banesat që prej 1 janarit të vitit të ardhshëm. Sipas drejtorit të Politikave Fiskale, Niko Lera tashmë taksa do të vendoset në bazë të vlerës së pronës, duke u mbështetur në çmimet referencë që përcakton qeveria. Ai ka sqaruar për “Ora Neës” se ata qytetarë që kanë një shtëpi më të madhe dhe më të mirë do të paguajnë më shumë. “Është normale të kalohet në një sistem të taskës mbi pasurinë, e cila bazohet në vlerë. Që do të thotë, ai që ka shtëpi më të mirë të paguajë një taksë më të lartë. Deri në fund të vitit do të ketë një ligj që reformon taksën”, ka bërë të ditur Lera.
Ndërkohë rritje më të ndjeshme të taksës do të ketë për ata qytetarë që kanë më shumë shtëpi. “Besoj se për shtëpitë e dyta do të ketë një nivel tarifor më të lartë, ”thotë Lera. Vendosja e taksës së pronës pritet të arkëtohet në bazës të kadastërs fiskale, e cila do të regjistrojë të gjitha pronat e patundshme sipas vlerës së tyre. Sipas drejtorit të politikave fiskale, ky projekt tashmë është shumë pranë përfundimit. Pra, qeveria do të taksojë shtëpitë tuaja në bazë të një vlerësimi paraprak të vlerës së tregut. Por kategoritë e banesave sipas vlerës së tregut ende nuk janë të indeksueshme në mënyrë që qytetarët të informohen paraprakisht dhe procesi të jetë transparent. Taksa do të aplikohet fillimisht si projekt pilot vetëm në disa qytete si: Tiranë, Korçë dhe Fier.
Në Tiranë, qytetarët do të paguajnë 15 lekë për metër katror për apartamentet e ndërtuara para vitit 1993 dhe 30 lekë për metër katror për apartamentet e ndërtuara pas vitit 1993. Në Korçë e në Fier, taksat mbi banesën janë përkatësisht 10 dhe 12 lekë për metër katror.

Exit mobile version