Një vit nga sulmi në Banjskë, BE: Të gjithë përgjegjësit duhet të japin llogari

Bashkimi Evropian (BE) ka thënë se pret nga Serbia të ndërmarrë hapa të nevojshëm për t’u siguruar që të dyshuarit për kryerjen e sulmit vdekjeprurës kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, të japin llogari.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova e ka cilësuar sulmin si terrorist dhe e akuzon shtetin e Serbisë se ka gisht në të. Serbia i ka mohuar akuzat.

Në fillim të këtij muaji, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave për këtë sulm. Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria kosovare, Radoiçiç cilësohet si “kreu i grupit terrorist”. I pyetur nga Radio Evropa e Lirë se a duhet Serbia të bashkëpunojë me Kosovën në proceset gjyqësore që do ta pasojnë, Stano tha:

“Po, kjo është ajo që ne kemi nënvizuar në mënyrë të vazhdueshme, për ato raste ku kryesit e dyshuar janë në Kosovë”.

Autoritetet në Serbi refuzojnë ta ekstradojnë Radoiçiçin në Kosovë dhe thonë se ai do të gjykohet nga “gjykatat serbe”, ndërsa zyrtarët në Kosovë thonë se ato i kanë ofruar mbrojtje atij.

Stano tha, gjithashtu, se Serbia duhet të bëjë më shumë edhe në lidhje me të dyshuarit për sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it, ndaj mediave dhe qytetarëve në trazirat e muajit maj të vitit të kaluar.

“BE-ja, në mënyrë të përsëritur, ka shprehur pritjet që Serbia duhet të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të kapur dhe për t’i sjellë shpejt para drejtësisë kryesit e akteve të dhunës nga ana e protestuesve serbë të Kosovës ndaj qytetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave, më 29 maj të vitit 2023.

Gjithashtu, edhe për sulmet e dhunshme më 24 shtator 2023 në veri të Kosovës”, tha ai.

Qershorin e kaluar, gazetarë të mediumeve të ndryshme u sulmuan fizikisht teksa po raportonin nga komuna e Leposaviqit, një prej katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe, sipas Policisë së Kosovës.

Tensionet në veri të Kosovës u rritën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, u vendosën në ndërtesat komunale.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e KFOR-it në Zveçan, me ç’rast u lënduan rreth 100 ushtarë të misionit paqeruajtës.

Exit mobile version