Një vit nga vdekja e Navalny-t, mbështetësit sfidojnë Kremlinin dhe vizitojnë varrin e tij

Një vit pasi lideri i opozitës ruse Alexei Navalny vdiq pas hekurave, mbështetësit e tij po përgatiten ta kujtojnë atë me ngjarje përkujtimore sot, pavarësisht rrezikut të hakmarrjeve për ata që vizitojnë varrin e tij në Moskë.

Ndërkohë, lëvizja opozitare ruse, e detyruar në mërgim nga një goditje e paprecedentë, është e rrënuar nga grindjet e brendshme dhe e dobësuar rëndë nga humbja e liderit të saj.

Të mërguar në vende të ndryshme, figurat kryesore të saj janë përpjekur të ringjallin luftën kundër sundimit të gjatë të Presidentit Vladimir Putin edhe në Rusi, ku kritikat ndaj autoriteteve dënohen ashpër.

Navalny, kundërshtari kryesor i Putinit, u shpall “ekstremist” nga autoritetet në Moskë, një vendim që mbetet në fuqi pavarësisht vdekjes së tij në një koloni penale të Arktikut më 16 shkurt 2024.

Në Rusi, kushdo që përmend Navalny ose Fondacionin e tij Kundër Korrupsionit pa deklaruar se të dy janë shpallur “ekstremistë” përballet me gjobë ose deri në katër vjet burg.

“Përkrahësit e Alexeit do të mbajnë ngjarje përkujtimore në mbarë botën,” shkroi në Telegram ish ndihmësi i Navalny Leonid Volkov. “Në disa vende do të ketë demonstrata apo marshime, në të tjera do të shfaqet dokumentari ‘Navalny’, në disa vende do të ketë ceremoni përkujtimore”, shtoi ai.

E veja e Navalny, Yulia Navalnaya, do të ndajë kujtimet e bashkëshortit të saj në një ngjarje në Berlin, ku janë vendosur shumë mbështetës të opozitës ruse.

“Kudo që të jeni, në Rusi apo jashtë saj, ne shpresojmë që më 16 shkurt do të takojmë njerëz me të njëjtin mendim”, shkroi Volkov, duke dhënë orët e hapjes së varrezave Borisovskoye të Moskës ku është varrosur Navalny.

Por kanalet ruse Telegram pro-Kremlinit paralajmëruan mbështetësit që të mos shkojnë në varreza. “Ne u japim një këshillë të shpejtë atyre që po planifikojnë të shkojnë, por nuk janë ende të sigurt: mos shkoni!”, thuhet në mesazhin paralajmërues të shoqëruar me një foto të shenjës së kamerës së sigurisë në portat e varrezave.

Artikulli paraprakQyteti portugez ndalon turistët të ecin në rrugë vetëm me rroba plazhi
Artikulli tjetërFermin Lopez: Karriera ime është një sfidë, Barça ishte ëndrra ime