Sali BERISHA
Për 13 km autostradë Farkë-Ibë do të paguhet 36% më shumë sesa për tunelin e Krrabës. Pasi paralizoi punimet për tre vjet në segmentin Farkë-Ibë, pas sulmeve publike, bllokimit të pagesave, ndërsimit të nënkontraktorëve, kërcënimeve për të përzënë kompaninë si mashtruese dhe deklaratave se projekti ishte i keq etj., etj., tani Eureka me ndërmjetësinë e Olsi Ramës, vëllaçko Edi zgjidhi qesen për vete dhe vendosi të paguajë për këtë segment rreth 40% më shumë sesa kushtuan 5.4 km tunel i malit të Krrabës, apo 82 milionë euro kundrejt 57 milionë euro që u paguan nga qeveria e mëparshme për tunelin me gjatësi 5.4 km të malit të Krrabës.
Edi Rama këtë aferë megakorruptive e justifikoi me argumente falso dhe qesharake. Sipas tij, kjo po ndodh kështu se kompania nuk e ka patur real çmimin e tunelit pasi ai ka qenë më i lartë. Në rast se është kështu, kësaj i thonë të marrësh përsipër të mbushësh arkën e kompanisë me para të taksapaguesve shqiptarë për mashtrimin e saj, natyrisht kjo bëhet vetëm duke i ndarë paratë me të.
Argumenti i dytë është një megamashtrim tjetër i madh sa i pari. Sipas Ramës, kostoja e autostradës Farkë-Ibë, traseja e të cilës kishte përfunduar në masën 60% para qershorit të vitit 2013, arrin në këto shifra që tejkalojnë me 40% çmimin e tunelit sepse traseja ka shkarë në 13 km të saj, pra në të gjithë gjatësinë e saj.
Ky është një mashtrim i paskrupullt, shkarja e Ibës është vetëm disa qindra metra dhe padyshim që ajo ka kosto shtesë në rast se është për arsye madhore. Por pas “deal done”, pazarit të fëlliqur të mbyllur, Edi Ramës, për të justifikuar vjedhjen e madhe të ndërmjetësuar nga vëlla Olsi, i duhet t’u thotë shqiptarëve se katastrofa natyrore ka përfshirë autostradën në 13 km e saj.
Kjo është një megavjedhje e tmerrshme e taksapaguesve shqiptarë, për të cilën drejtësia, nën thundrën e krimit qeveritar hesht sot, por nesër do të thotë fjalën e saj!