Njërës nga viktimat i kanë zhdukur telefonat

Familjarët e Greta Sherifit, vajzës që vdiq bashkë me dy shoqet e saj në aksidentin tragjik të ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të Sukthit, kanë denoncuar publikisht humbjen e sendeve personale të saj. Kushërira e Greta Sherifit me iniciale N.E., ka kontaktuar pranë redaksisë së “Jeta Osh Qef”, duke kërkuar ndihmë nga ndjekësit për telefonat e 23-vjeçares.
Sipas saj, familjarëve u janë dorëzuar disa sende pa vlerë, por jo telefonat. Ata janë të gatshëm të paguajnë në vlerë monetare, vetëm që telefonat t’ju kthehen, pasi aty kanë kujtimet me Gretën.
“Përshëndetje JOQ! Dua ndihmën tuaj. Nga vendi i aksidentit më 13 tetor, në Sukth me viktima tre gocat, janë humbur dy telefonat e Greta Sherfiti, 1 iPhone 6 e një iPhone 7. Ju lutemi postojeni nëse dikush i ka ose di diçka, ne si familje jemi të gatshëm t’ju japim në lekë vlerën e telefonave që t’i blejnë të rinj. Telefonat e Gretës i duam pas se aty na ka lënë tërë kujtimet e saj. Ju lutemi, të na i kthejë pas kush i ka. Shumë faleminderit, ju lutem postojeni. Unë jam kushërira e saj, por u rritëm në një shtëpi, qe motra ime e vogël. Javës tjetër do të bëhet edhe denoncimi në polici se prindërit s’janë akoma në gjendje. Është gjetur vetëm çanta e saj e hapur me cigaret, portofolin me 4 mijë lekë brenda e ca gjëra pa vlerë, por telefonat nuk u gjetën”, thotë kushërira e Gretës.
Sipas denoncueses, sendet e dy shoqeve të tjera janë dorëzuar tek familjarët. “Po, të afërmit e dy shoqeve të tjera i kanë marrë, thanë policët, por ishin telefona me vlerë më të vogël, për një telefon të Gretës e dimë sigurisht që ishte tek çanta e saj e tjetrin në dorë kur ndodhi aksidenti. I kanë marrë ndoshta nga vlera e lekëve pa menduar vlerën e fotove për neve. Kur na dhanë çantën të hapur i thamë se mungojnë telefonat e na thanë nuk u gjendën, shkoni e kërkoni në makinë. Por, çanta po të qe hapur në momentin e aksidentit gjërat që kishte brenda do të ishin shpërndarë, policët thanë se çantën e gjetën veç me ato gjëra brenda”.
Kjo nuk është hera e parë që bëhen denoncime për humbje të sendeve personale me vlerë në aksidentet rrugore. Vitin e kaluar u denoncua humbja e një valixheje me para në një aksident të ndodhur në Kavajë dhe u akuzuan policët rrugorë. Në aksidentin e Sukthit ishte 36-vjeçari, Dashnor Deliallisi që e shkakatoi atë, pasi udhëtonte me 150 km/h në krah të kundërt të autostradës, duke e goditur përballë makinën e 3 vajzave që ishin nisur për në Greqi.

Exit mobile version