“Njerëzit do të nderojnë këdo që u jep bukë, pasi kanë nevojë që sundimtarët e tyre të shihen si zota”/ Agim Baçi: Shënime për “Vëllezërit Karamazovë”

Nga Agim Baçi

Në romanin “Vëllezërit Karamazov” të Dostojevskit, mes shumë ngjarjesh e diskutimesh që të mbeten në mendje, padyshim që metafora e parashikimit të raportit tonë me Lirinë, një metaforë që vjen nga përshkrimi i Dostojevskit për një rikthim të Jezusit në këtë botë, Ngjarja përshkruhet në kohën e inkuizicionit spanjoll. Megjithëse Jezusi zbret në këtë botë “pa zhurmë dhe pa rënë në sy”, nuk kalon shumë kohë pas ardhjes dhe njerëzit e njohin. Inkuizitori i madh, i cili e njeh sapo e sheh, e mbyll në burg në pallatin e lashtë të inkuizicionit të shenjtë,. Ai e marr në pyetje, ndërkohë që Jezusi refuzon të përgjigjet. Inkuizitori i thotë Jezusit se njerëzimi është shumë i dobët për të përballuar dhuratën me emrin Liri. Ai i thotë se populli nuk kërkon lirinë, por bukën, nuk kërkon bukën hyjnore të premtuar nga Jezusi, por bukën e zakonshme tokësore.
“Njerëzit do të nderojnë këdo që u jep bukë, pasi kanë nevojë që sundimtarët e tyre të shihen si zota”, i thotë Jezuit Inkuizitori i Madh, duke i treguar se mësimet e tij kanë ndryshuar që t’u përshtaten njerëzimit ashtu siç ai është. “E kemi korrigjuar bëmën tënde dhe e kemi bazuar atë mbi mrekullinë, misterin dhe autoritetin. Dhe njerëzit u kënaqën që i vunë përpara sërish si kope dhe që nga zemra e tyre u hoq barra e një dhuntie që u kish shkaktuar aq vuajtje e mundime”, i thotë Inkuizitori, teksa i shpjegon Jezusit se përse u ka hequr lirinë qytetarëve të tij.
Kjo pjesë e romanit të Dostojevskit ka qenë e vijon të jetë një nga parabolat më të vështira për t’u pranuar si “logjikë normale”, por njëkohësisht edhe ndër më të fuqishmet që letërsia ka parashikuar për gjendjen e sotme njerëzore. Madje, kritikë të ndryshëm, në kohën e botimit, por edhe disa kohë më vonë, e konsideronin këtë parabolë dostojevskiane si “cinike dhe djallëzore”.
Por, a nuk jemi sot duke përjetuar dorëzimin e shoqërive përballë nevoja të përditshmërisë. A nuk jemi sot përballë faktit se shumë qytetarë janë duke falur gjithnjë e më shumë Liri në këmbim të sigurisë dhe mbijetesës? A nuk jemi sot përballë dorëzimit të shumëkujt përballë autoritetit të pushtetit, të atyre që përfaqësojnë forcën dhe paranë? A nuk kemi parë ne në këto vite se si është blerë varfëria e atyre njerëzve që, duke mos pasur as të ardhura e as shpresë se zëri i tyre do dëgjohet, kanë përfunduar në prehrin e interesave të çastit, pavarësisht çmimit qesharak, me të cilin i është blerë liria?
Parashikimi dostojevskian, për fat të keq, ka kohë që ka zbritur përballë nesh, ndërkohë që “inkuizitorët” e kohës sonë krenohen se arrijnë ta bindin popullin apo mbështetësit e tyre se janë ata që mendojnë për përditshmërinë e tyre dhe se ata vetëm duhet të tundin kokën në shenjë miratimi…

Artikulli paraprakLista e pagave të organizatave të financuara nga USAID në Shqipëri, Enriketa Papa: A e justifikon niveli i demokracisë dhe shteti i së drejtës pagesa të tilla?
Artikulli tjetërShifrat e Eurostat: Shqipëria, vendi me dendësi më të ulët të hekurudhave në Europë!