Zbulohen parcelat me kanabis në Parkun Kombëtar “Shebenik Jabllanicë”, Librazhd që i përkasin njerëzve të deputetit të PS, Taulant Balla. Bëhet e ditur se, policia ka evidentuar dhe asgjësuar 2600 bimë narkotike, si dhe ka vënë në pranga dy persona. Bimët narkotike janë zbuluar në fshatin Qarrishtë, në vendin e quajtur “Qaf Kryq”, në një zonë të mbuluar në Parkun Kombëtar “Shebenik Jabllanicë”, Librazhd. Droga është zbuluar nga policia pas sinjalizimeve të banorëve të zonës. Sipas policisë, në pranga ka përfunduar Kryeplaku i fshatit Qarrishtë të zonës së Çermenikës, Nuri Hasa, 46 vjeç, si dhe Bashkim Koçi, 60 vjeç, banues në Gizavesh, roje mjedisi në Parkun Kombëtar “Shebenik Jabllanicë”.
“Efektivat e Komisariatit të Policisë Librazhd, si rezultat i një pune të mirë organizuar bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: Bashkim Koçi, 60 vjeç, banues në Gizavesh, me detyrë roje mjedisi në Parkun Kombëtar “Shebenik Jabllanicë”, Nuri Hasa, 46 vjeç, banues në fshatin Qarrisht, me detyrë Kryeplak i fshatit Qarrisht. Këta shtetas, u arrestua nga efektivat e policisë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Qarrisht, në vendin e quajtur “Qaf Kryq”, në një zonë të mbuluar në Parkun Kombëtar “Shebenik Jabllanicë”, u gjetën të kultivuara dhe u asgjësuan 2600 bimë narkotike të dyshuara me atë të llojit “Cannabis Sattiva”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallzim Krimi” parashikuar nga nenet 248 dhe 300 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Policisë së Librazhdit.
Prej kohësh, banorët e zonës kishin sinjalizuar policinë për mbjelljen e drogës në Parkun Kombëtar, por nuk ishte ndërhyrë për shkak se drejtori i Parkut, Fatmir Brazhda, njihet si një i afërt i deputetit socialist Taulant Balla. Brazhda ka qenë në grevën e urisë së PS në vitin 2012 në Tiranë për rrëzimin e qeverisë demokratike. Si shpërblim për këtë devotshmëri, ai është emëruar nga Balla drejtor i Parkut Kombëtar “Shebenik Jabllanicë”. Edhe pse në Park është e ndaluar që të futen njerëz, Brazhda ka lejuar trafikantët që të mbjellin kanabis.
Edhe Bashkim Koçi, i cili ka përfunduar në pranga me akuzën shpërdorim detyre, pasi ishte roje dhe ka lejuar mbjelljen e kanabisit në Park, njihet si një nga militantët e PS të Librazhdit. Burimet bëjnë të ditur se, drejtori i Parkut dhe roja kanë patur dijeni për parcelat me kanabis brenda Parkut Kombëtar, por nuk është ndërhyrë për mos lejimin e kultivimit.
Ndonëse roja i Parkut dhe kryeplaku i fshtatit kanë përfunduar në pranga, pritet që ata të lirohen pas ndërhyrjes së deputetit Taulant Balla. E gjitjhë zona e Çermenikës është e mbjellë me kanabis dhe ruhet me roje të armatosur. Banorët të zonës bëjnë të ditur se, këto zona me kanabis janë në zotërim të njerëzve të Taulant Ballës ndaj nuk i prek njeri.
Edhe asgjësimi i 2600 rrënjëve të kanabisit është bërë pas sinjalizimeve të banorëve të zonës dhe reagimit të ashpër të tyre. Madje ka patur edhe konflikte mes banorëve dhe disa trafikantëve që vijnë nga qyteti i Librazhdit për të kultivuar drogë.
Burime nga Librazhdi bëjnë të ditur se, parcela me drogë janë mbjellë edhe në Spathar, Babje, Dardhë, Xhyrë e Sopot, të cilat kontrollohen nga shoferi i Taulant Ballës.
Me ardhjen e “Rilindjes” në pushtet, kultivimi i kanabisit mori një hov të gjerë. Harta e Shqipërisë ka marrë ngjyrën e drogës. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur pushtimi masiv i vendit nga kanabisi siç po ndodh nën këtë qeverisje, me mbikëqyrjen e ministrit të Brendshëm. Propaganda false e mashtruese të disa rrënjëve që nxjerr qeveria në ekran, gjoja si sukses të luftës ndaj drogës është një fasadë.
Policia bën gjoja sikur organizon aksione për shkatërrimin e parcelave me kanabis, por në fakt shkatërron ato parcela, të cilat nuk zotërohen nga Tahiri dhe njerëzit e tij, por të disa “hallexhinjve”. Kështu, pra policia korr kanabisin e parcelave ku nuk u del për zot njeri.
Nëse qeveria do të kishte pikësynim goditjen e kultivimin e lëndëve narkotike, atëherë si shpjegohet që kanabisi lulëzon në të gjithë vendin, ndërsa policia bën sikur organizon aksione, duke korrur disa parcela të vogla, që u përkasin njerëzve pa mbështetje nga polcia. Apo më keq akoma, korr kanabisin, pasi është vjelë droga nga trafikantët.
Enton DOÇI