Dy familjarë të ngushtë të zv.drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, një ish-shef komisariati policie në Tiranë, një avokat nga Tirana me bashkëshorten, një sipërmarrës i fuqishëm janë personat që kanë kryer transaksione me shtetasin Vasil Rrapo, të cilit iu sekuestruan rreth 20 mijë metra katrorë tokë në zonën e bregdetit, në Himarë.
Gjykata e Vlorës me kërkesë të Prokurorisë vendosi javën e shkuar sekuestron preventive për pasurinë tokë, të regjistruar në hipotekën e qytetit në emrin e shtetasit Vasil Rrapo.
Prokuroria ka zbuluar se Rrapo ka falsifikuar sipërfaqen e pronës, nga 5980 m2, të cilën e ka fituar në bazë të Ligjit nr. 7501, e ka vendosur në Hipotekë në shifrën 25980 m2. Prokuroria e Vlorës, në një njoftim zyrtar të shpërndarë të premten, tha se në dokumentet e Vasil Rrapos, është shtuar numri “2” para shifrës reale takuese të Rrapos.
Pra, ai është regjistruar si pronar i një sipërfaqeje prej 25.980 m2, ndërkohë që realisht ka përfituar nga ligji i vitit 1991 vetëm 5980 m2. Nga shqyrtimi i dokumenteve hipotekorë, rezulton se disa persona “VIP” kanë blerë tokë te Vasil Rrapo, bazuar pikërisht në dokumentin e falsifikuar.
Kështu, rezulton që kanë blerë nga Vasil Rrapo sipërfaqen me nga 1 mijë metra katrorë shtetasit Al. Çipa dhe An. Çipa, njerëz të afërt të zv.drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardian Çipa.
Po ashtu, kanë blerë nga 1 mijë metra katrorë një avokat i njohur në Tiranë, A. Gurabardhi dhe bashkëshortja e tij. Lista e blerësve të tokës që rezulton e regjistruar në emër të Vasil Rrapos vijon me një biznesmen të fuqishëm në Tiranë, N. Janina, i cili ka blerë 5 mijë m2, si edhe me një ish-shef komisariati policie në Tiranë, Gj.Prendi, i cili ka blerë 1 mijë metra katrorë tokë.
Skandali
Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar 20 mijë metra katrorë tokë në Himarë në zonën e Porto Palermos. Sipas prokuorisë, toka dyshohet se është përfituar me dokumente të falsifikuara. Sipërfaqja e tokës është në pronësi të shtetasit Vasil Rrapo. Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimin në bazë të kallëzimit të disa shtetasve, të cilët kanë dokumentacionin e trashëgimisë së ligjshme mbi pronën, e cila aktualisht është e regjistruar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP), Vlorë, në emër të shtetasit Vasil Rrapo. “Në bazë të hetimit, Prokuroria e Vlorës ka konstatuar se shtetasi ka përfituar tokë në bazë të ligjit nr.7501/1991 “Për tokën” një sipërfaqe prej 9582 m2. Por, në Hipotekën e Vlorës, sipërfaqja e tij rezulton 29.582 m2. Prokuroria ka bërë veprimet e nevojshme hetimore, nga ku ka rezultuar se është fallsifikuar dokumenti për marrjen e tokës, në të cilin është shtuar numri “2” përpara shifrës së sipërfaqen reale, duke e shndërruar pronësinë e shtetasit Vasil Rrapo nga 9582 m2 në 29.582 m2″, – thuhet në njoftimin e prokurorisë. Prokuroria e Vlorës ka konstatuar se pjesa më e madhe e kësaj sipërfaqe, e cila është regjistruar në ZVRPP në emër të shtetasit, është tjetërsuar, duke u shitur te persona të tretë ose duke u dhuruar.