“Roja bregdetare greke ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra emigrantëve në Mesdhe gjatë një periudhe trevjeçare, duke përfshirë nëntë të cilët u hodhën qëllimisht në ujë”, ka denoncuar prestigjiozja britanike BBC, duke cituar dëshmitarë.
Të nëntë janë në mesin e më shumë se 40 personave që dyshohet se kanë vdekur si pasojë e dëbimit me forcë nga ujërat territoriale greke ose që janë nxjerrë sërish në det pasi arritën në ishujt grekë, sipas BBC.
Roja bregdetare greke ka kundërshtuar të gjitha akuzat për veprimtari të paligjshme.
Media britanike shkruan se ka publikuar pamjet e 12 personave duke u futur në një varkë të rojes bregdetare greke dhe më pas janë braktisur në një gomone.
Qeveria greke është akuzuar prej kohësh se i ka kthyer emigrantët me detyrim, duke i shtyrë drejt Turqisë, prej nga kanë kaluar, gjë që është e paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.
Por, BBC ka publikuar shifrat që tregojnë se emigrantët kanë vdekur rezultat i veprimeve të rojes bregdetare greke.
Në pesë nga incidentet, emigrantët thanë se u hodhën direkt në det nga autoritetet greke.
Në katër prej këtyre rasteve ata shpjeguan se si kishin zbritur në ishujt grekë, por u dëbuan. Në disa incidente të tjera, emigrantët thanë se ishin futur në gomone pa motorë, të cilët më pas u shfrynë ose dukej se ishin shpuar.
Një nga rrëfimet më rrëqethëse u dha nga një burrë nga Kameruni, i cili thotë se u ndoq nga autoritetet greke pasi zbarkoi në ishullin Samos në shtator 2021.
Ai ka dëshmuar se po planifikonte të regjistrohej në tokën greke si azilkërkues.
“Ne mezi ankoruam dhe policia erdhi nga pas”, rrëfeu emigranti për BBC. “Ishin dy policë të veshur me të zeza, dhe tre të tjerë me rroba civile. Ata ishin të maskuar, i shihje vetëm sytë.”
Ai dhe dy të tjerë, një tjetër nga Kameruni dhe një burrë nga Bregu i Fildishtë, u transferuan në një varkë të rojes bregdetare greke “ku ngjarjet morën një kthesë të tmerrshme”.
“Ata filluan me [tjetrin] kamerunian. E hodhën në ujë. Refugjati nga Bregu i Fildishtë tha: ‘Më shpëto, nuk dua të vdes… dhe më pas vetëm dora e tij ishte mbi ujë dhe trupi i tij ishte poshtë. Ngadalë dora i rrëshqiti poshtë dhe uji e përfshiu.”
I intervistuari tha se rrëmbyesit e kanë rrahur: “Më binin në kokë. Ishte sikur po goditnin një kafshë.”
Dhe më pas ai thotë se e kanë shtyrë edhe atë në ujë, pa jelek shpëtimi, por ishte në gjendje të notonte deri në breg, por trupat e dy të tjerëve – Sidy Keita dhe Didier Martial Kouamou Nana – u gjetën në vijën bregdetare turke.
Avokatët e të mbijetuarit kërkojnë që autoritetet greke të hapin një çështje vrasjeje të dyfishtë.
Një tjetër burrë, nga Somalia, tha për BBC-së se si në mars 2021 ishte kapur nga ushtria greke kur mbërriti në ishullin e Kios dhe më pas iu dorëzua rojes bregdetare greke.
Ai tha se roja bregdetare i kishte lidhur duart pas shpine, përpara se ta hidhte në ujë.
“Më hodhën me zinxhir në mes të detit, donin të vdisja”, tha ai.
Emigranti shtoi se arriti të mbijetonte duke notuar në shpinë, përpara se njëra nga duart e tij të shkëputej nga ligatura. Por deti ishte i trazuar dhe tre në grupin e tij vdiqën. Ai shtoi se kur arriti në tokë u pa nga roja bregdetare turke.
Në incidentin me humbjen më të madhe të jetëve, në shtator 2022, një varkë me 85 emigrantë hasi telashe pranë ishullit grek të Rodosit pasi motori i saj u fik.
Mohamed, nga Siria, tregoi se thirrën rojen bregdetare greke për ndihmë, e cila më pas i zhvendosi në një varkë, i ktheu në ujërat turke dhe i futi në gomone. Mohamed thotë se gomones që iu dha atij dhe familjes së tij nuk e kishte mbyllur valvula siç duhet.
“Ne filluam menjëherë të fundosenim, ata e panë, na dëgjuan të gjithëve duke bërtitur, por megjithatë nuk na ndihmuan,” tha ai për BBC.
“Fëmija i parë që vdiq ishte djali i kushëririt tim… Pas kësaj humbën jetën një nga një. Një fëmijë tjetër, një fëmijë tjetër, pastaj vetë kushëriri im. Në mëngjes kishin vdekur shtatë ose tetë fëmijë. Fëmijët e mi nuk vdiqën deri në mëngjes… pak para se të mbërrinte roja bregdetare turke.”
Ligji grek u lejon të gjithë emigrantëve që kërkojnë azil të regjistrojnë kërkesën e tyre në disa prej ishujve në qendra të veçanta regjistrimi.
Por emigrantët e intervistuar nga BBC, të cilët u kontaktuan me ndihmën e Grupit të Konsoliduar të Shpëtimit për mbështetjen e migrantëve, thanë se ata u kapën përpara se të arrinin në këto qendra. Ata rrëfyen se këta burra vepronin në mënyrë të fshehtë, pa uniformë dhe shpesh të maskuar.
Grupet e të drejtave të njeriut pretendojnë se mijëra njerëz që kërkojnë azil në Evropë janë detyruar të kthehen ilegalisht nga Greqia në Turqi dhe u është mohuar e drejta për të kërkuar azil, e cila është e sanksionuar në ligjin ndërkombëtar dhe të BE-së.
Aktivisti austriak Fayad Mulla na tha se zbuloi vetë se sa të fshehta duken të jenë operacione të tilla në shkurt të vitit të kaluar, në ishullin grek të Lesbos.
Duke udhëtuar drejt vendndodhjes ku dyshohet se emigrantët ishin kthyer me detyrim, ai u ndalua nga një burrë me kapuç, i cili më vonë u zbulua se punonte për policinë. Ai tha se policia më pas u përpoq të fshinte pamjet e ndalimit nga kamera e tij dhe ta akuzonte atë për rezistencë ndaj një oficeri policie. Por në fund, nuk u ndërmor asnjë veprim tjetër.
Dy muaj më vonë, në një vend të ngjashëm, Mulla arriti të filmonte një kthim të detyruar, publikuar nga The New York Times.
Një grup që përfshinte gra dhe foshnje u zbritën nga pjesa e pasme e një furgoni pa targa dhe u dërguan poshtë një bankine tek një varkë e vogël.
Ata u transferuan më pas në një anije të rojes bregdetare greke larg nga vija bregdetare, u nxorën në det dhe më pas u vendosën në një gomone. Emigrantët u shpëtuan më vonë nga roja bregdetare turke.
Këtë pamje, të cilat BBC i ka verifikuar, iu treguan Dimitris Baltakos, ish-shefit të operacioneve speciale me rojet bregdetare greke.
Gjatë intervistës, ai nuk pranoi të spekulonte për atë që tregonin pamjet, pasi kishte mohuar më herët se rojes bregdetare greke do t’i kërkohej ndonjëherë të bënte ndonjë gjë të paligjshme.
Por gjatë një pushimi, ai u regjistrua duke i thënë dikujt në greqisht: “Nuk u kam thënë shumë, apo jo? Është shumë e qartë, apo jo. Nuk është fizikë bërthamore. Nuk e di pse e bënë atë në mes të ditës… Është… padyshim i paligjshëm. Është një krim ndërkombëtar.”
Ministria e Çështjeve Detare dhe Politikave Ishullore e Greqisë tha për median britanike se pamjet janë duke u hetuar aktualisht nga Autoriteti Kombëtar i Transparencës i pavarur i vendit.
Një gazetare investigative nga ishulli Samos deklaroi se ajo filloi të bisedonte me një anëtar të forcave speciale greke përmes aplikacionit të takimeve Tinder.
Kur ai e telefonoi nga një “anije luftarake”, Romy van Baarsen e pyeti atë më shumë për punën e tij dhe çfarë ndodhte kur shikonin një varkë refugjatësh.
Ai u përgjigj se “i përzëmë”, duke shtuar se urdhra të tillë ishin “nga ministri”, teksa theksoi se ndëshkoheshin nëse nuk ndalonin varkat.
Greqia është një hyrje në Evropë për shumë emigrantë. Vitin e kaluar, kishte 263,048 mbërritje detare në Evropë, me Greqinë që mori 41,561 (16%) prej tyre. Turqia nënshkroi një marrëveshje me BE-në në vitin 2016 për të ndaluar emigrantët dhe refugjatët të kalojnë në Greqi, por tha në vitin 2020 se nuk mund ta zbatonte më atë.