Namik Simixhiu është njëri prej katër të arrestuarve pasi SPAK lëshoi dje 15 urdhra arresti për inceneratorin e Tiranës. Simixhiu është vënë në pranga së bashku me Bledar Karolin, Jetmir Llapaj dhe Taulant Tushën, ky i fundit krahu i djathë i kryebashkiakut të Tiranës.
Mes 15 personave për të cilët SPAK lëshoi urdhër arresti është edhe Alba Thoma, ish-Drejtoresha Juridike e Ministrisë së Mjedisit e cila cilësohet dhe si “truri” i inceneratorëve.
Në mënyrë të veçantë mes 4 të arrestuarve spikat Namik Simixhiu, i cili rezulton se ka lidhje shumë të ngushta me familjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Ai vjen nga rrethi familjar i bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa.
Raportohet se Namik Simixhiu është kushëriri i parë i vjehrrës së kryebashkiakut Erion Veliaj.
Njëkohësisht, Simixhiu është një nga drejtorët e Bashkisë së Tiranës dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në inceneratorin e Tiranës.
Ai rezulton dhe anëtar i bordit të Entit Rregullator të Ujit.
Përvecse njëri i afërt i bashkëshortes, Simixhiu ka qenë edhe vartës direkt i kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Ai ka mbajtur detyrën e drejtorit të mbetjeve, një post që e implikon direkt në aferën e inceneratorit të Tiranës.
Kjo e fundit, e cila i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 100 milionë eurosh, është nën hetim prej gushtit të 2020-s.
Ndërtimi i inceneratorit mori miratimin e Veliajt më 27 mars 2017, kur ai u shpreh “dakord në parim” për procedurën koncesionare.
Pa marrë më parë mendimin e Këshillit Bashkiak, Veliaj dha miratimin për një projekt që do t’u kushtojë taksapaguesve të Tiranës rreth 430 milionë euro për 30 vjet.
Megjithatë, vetë Veliaj është jashtë listës së personave të vendosur nën masë sigurie në procedimin penal të inceneratorit të Tiranës.
Në gusht të këtij viti, Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK firmosi vënien nën sekuestro të inceneratorit të Tiranës. Hetimet kanë nisur në kuadër të procedimit penal për veprat penale të “Mashtrim me pasoja të rënda” në bashkëpunim, “Shpërdorim i detyrës”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.