Njeriu i finaleve!

Dani Alves njeriu i finaleve. Mbrojtësi i Juventusit i transferuar me parametra zero tek bardhezinjtë, mund të konsiderohet një super goditje nga ana e drejtuesve të klubit torinez. Deçiziv me golin e realizuar kundër Lazios, në finalen e Kupës së Italisë. Karriera e tij në nivel skuadrash europiane nisi tek Siviglia, më pas Barcelona dhe së fundmi Juventusi. 33-vjeçari numëron plot 27 finale të fituara nga 30 të luajtura. Një shirit i gjatë rekordesh. Krahu i djathë i repartit të prapavijës është në duar të sigurta, të shumta janë krosimet që vijnë nga ai krah, asistet, por edhe golat.
Në finalen e madhe të Champions League, kundër Realit të Madridit, Dani Alves është asi nën mëngë për trajnerin e bardhezinjve Masimiliano Allegri. Një listë e gjatë titujsh të fituar nga braziliani duke nisur që me 6 kampionate në La Liga me fanellën e Barcelonës, 4 Kupa Mbreti, 5 SuperKupa të Spanjës, 2 Kupa Uefa, 4 SuperKupa europiane, 3 Champions, 3 Botërore Klubesh dhe së fundmi 1 Kupë Italie me Juventusin që me gjasa do të pasohet edhe me 2 trofe të tjerë. Në nivele klubesh 28 trofe, por nëse në listën e sukseseve rendisim edhe 2 Kupa Konfederatash me kombëtaren e Brazilit dhe 1 Kupë Amerike, atëherë trofetë e ngritur shkojnë në 31. Shifra që ai mbart mbi vete janë të jashtëzakonshme për një futbollist, i cili duket ka ende shumë për të dhënë në fushën e blertë.
Pësoi 2 gola, por ky fakt nuk e pengoi të shpallej lojtari më i mirë në fushë për Lazion, në një finale Kupe dhe mbi të gjitha përballë një skuadre si Juventusi që mund të konsiderohet pa frikë edhe si ekipi më i fortë në Europë për momentin. Në “Olimpico” të Romës mbrëmjen e të mërkurës, Thomas Strakosha zhvilloi ndeshjen e tij më të rëndësishme në karrierë, edhe pse është vetëm 22 vjeç talenti shqiptar kishte qetësinë e një eksperti mes shtyllave.
Me disa pritje fantastike Strakosha bëri që bardhezinjtë të mos ta fitonin me një rezultat më të thellë finalen e Kupës së Italisë, ndërsa i mohoi golin në disa raste, një sulmuesi të lindur si Gonzalo Higuain. Mediat italiane e vlerësuan me notën 7,5 paraqitjen e kuqeziut, i cili me formën që po tregon në këtë fund sezoni duket se ka të sigurtë vendin e titullarit në formacionin e kombëtares shqiptare në sfidën kualifikuese ndaj Izraelit, takim në të cilin Etrit Berisha do të mungojë sërish për arsye skualifikimi. 22-vjeçari edhe pse është lojtari më i ri në moshë që luan në formacion te Lazio nga ndeshja në ndeshje po tregon se e meriton të mbrojë portën e skuadrës bardhekaltër edhe në momentin që Federico Marchetti të jetë rikuperuar nga dëmtimi. Por pavarësisht paraqitjes së tij të shkëlqyer në përfundim të duelit të “Olimpicos”, të cilin Lazio e humbi me rezultatin 2-0 ndaj Juves, Strakosha ishte shumë i zhgënjyer dhe kjo dallohet qartë në një postim të portierit shqiptar në profilin e tij në Instagram. “Të humbasësh një finale është diçka shumë e keqe për një futbollist. Më vjen keq që kemi humbur përballë një publiku të jashtëzakonshëm, që me të vërtetë na la pa fjalë”, thekson 22-vjeçari.

Exit mobile version