Njeriu i mafies emërohet shef i Mbrojtjes së Dëshmitarëve!

Drejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, Ardian Çipa, është shkarkuar nga detyra, por do të emërohet në një detyrë tjetër të rëndësishme në polici. Burimet nga policia bënë të ditur se, Çipa ka qenë dje në mesditë në zyrën e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa, i cili i ka komunikuar edhe largimin nga detyra dhe kalimin në një detyrë tjetër. Burimet bëjnë të ditur se, Ardian Çipës i është komunikuar detyra e re në krye të Strukturës për Mbrojtjen e Dëshmitarëve.
Ardian Çipa ka patur disa detyra të rëndësishme në Policinë e Shtetit gjatë këtyre 4 viteve të qeverisë së “Rilindjes” duke nisur nga posti i drejtorit të Policisë së Tiranës deri tek detyra e fundit dhe është përdorur nga Rama-Tahiri për mbylljen e një sërë çështjesh kriminale si dhe zhdukjen e dokumentave super sekrete dhe provave të trafikantëve të drogës që kanë lidhje me qeverinë.
Dy javë më parë, Çipa u akuzua publikisht për zhdukjen e 28 dokumentave tepër sekrete nga kasaforta e Policisë së Shtetit. Denoncimi i këtij skandali shtetëror u bë nga ish-Kryeministri Berisha, i cili publikoi mesazhin e një komisari policie. Berisha bëri të ditur atëhere se në kasafortën e Policisë së Shtetit, Ardian Çipa dhe Saimir Tahiri kanë vjedhur dokumentat super sekrete, ndërsa ministri aktual Fatmir Xhafa dhe Çako përpiqen të fshehin zhdukjen e dokumentave. 28 dokumentat super sekret nga kasaforta e Policisë së Shtetit janë vjedhur dy javë para se Tahiri të pushohej nga detyra e ministrit të Brendshëm.
Ky skandal u mbajt i fshehtë nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, ndërsa oficeri njoftonte Berishën se për këtë ngjarje ishin marrë masa ndaj tre punonjësve të policisë që ruanin kasafortën, duke i pushuar nga puna. Në fakt, kasaforta përdorej me dy kode nga Çipa dhe ish-ministri Tahiri dhe është mëse e qartë se dokumentat janë vjedhur nga ata për të zhdukur gjurmët e krimeve. Berisha i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit të ndërhyjë me urgjencë për të prerë duart e krimit në dokumentat supersekrete të luftës kundër tij dhe të vendosë para ligjit autorët e këtij akti të rëndë kriminal, për të cilët e gjithë Policia e Shtetit flet dhe ka dijeni!
Menjëherë pas denoncimit të ish-Kryeministrit Berisha, Prokuroria bëri të ditur se kishte nisur hetimet për zhdukjen e dokumentave sekrete nga kasaforta e Policisë së Shtetit. Prokuroria e Tiranës bëri të ditur, se prej më shumë se 10 ditësh janë duke u kryer hetimet për zhdukjen e dokumentave nga kasaforta, e cila ka qenë në varësi të drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit. Ndër të tjera, Prokuroria sqaroi se, hetimet po kryhen për zyrtarë të policisë të përfshirë në këtë skandal të zbuluar nga kontrolli i brendshëm në polici, SHKB dhe proçedimi është regjistruar me akuzën e “shpërdorimit të detyrës e nxjerrjes së sekretit shtetëror”.
Në zhdukjen e dokumentave sekrete është përdorur e njëjta skemë si në rastin e djegies së Laboratorit të Kriminalistikës në fillim të muajit nëntor të vitit 2015, ku u zhdukën provat e drogës të sekuestruara nga Prokuroria. Pas zhdukjes së monstrave të drogës së sekuestruar u lanë të lirë trafikantët e drogës, të cilët kishin bashkëpunuar me krerët e policisë për trafikimin jashtë shtetit.
Policia pranoi rënien e zjarrit, por deklaroi se kishte patur vetëm dëmtim të kabujve elektrikë në katin e dytë të godinës të Laboratorin Shkencor. Ndërsa, fotografitë e publikuara nga ish-Kryeministri Berisha tregonin se zjarri kishte rënë në korridorin ku ndodhej droga dhe dosjet kriminale. Një oficer policie i shkruajti Berishës atëherë se, nga zjarri i qëllimshëm u dogjën 240 kg drogë dhe 49 dosje të krimeve të rënda.
Berisha ishte informuar nga një oficer policie, sipas të cilit, natën, çunat e krimit i kanë vënë në katin e dytë zjarrin Laboratorit të Policisë Shkencore, ku mbaheshin dhe shqyrtohen provat e narkotikëve dhe dokumentat më të rëndësishme të dosjeve të bandave, përfishirë këtu dëshmitë e shumta për lidhjen me krimin dhe bandat e trafiqeve të Tahirit.

R.POLISI

Artikulli paraprakSi i ndan milionat e tenderave kryebashkiaku i Librazhdit me Ballën
Artikulli tjetërPista Tahiri në vrasjen e ish-komisarit Dalipaj