Njohja e shtetit palestinez, pse Izraeli po pengon pajtimin dhe çfarë po kërkon Europa?

Një konferencë e planifikuar në Arabinë Saudite këtë muaj, për të cilën mbështetësit e Palestinës shpresonin se do t’i shtynte qeveritë perëndimore të njihnin një shtet palestinez, ka dobësuar ambicien e saj.

Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Palestinën, do të mbahet në New York nga 17 deri më 20 qershor, nën bashkëpresidencën e Francës dhe Arabisë Saudite.

Ndryshimi i qëllimeve të konferencës tregon një tërheqje nga një vizion i mëparshëm që do të shënonte një deklaratë të përbashkët të njohjes së Palestinës si shtet nga një grup i madh vendesh, përfshirë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Emmanuel Macron, presidenti francez dhe bashkë-sponsorizues i eventit tha se njohja e Palestinës është “një detyrë morale dhe kërkesë politike”, por zyrtarët francezë u shprehën se konferenca nuk do të çojë në njohjen e Palestinës si shtet.

Tashmë shihet si një çmim për të paguar lidhur me armëpushimin e përhershëm në Gaza, lirimin e pengjeve izraelite, reformën e Autoritetit Palestinez, rindërtimin ekonomik dhe fundin e sundimit të Hamasit në Gaza.

Franca dhe Arabia Saudite kanë ngritur tetë grupe pune për të përgatitur një zgjidhje me dy shteteve ndërsa Macron po organizon një konferencë të shoqërisë civile nën flamurin e Forumit të Paqes në Paris.

Izraeli dhe SHBA-të kanë marrë pjesë në takimet përgatitore për konferencën, por nuk kanë komentuar, duke nxitur spekulime se mund të bojkotojnë konferencën.

Izraeli ka luftuar shumë për të parandaluar palestinezët pa shtetësi që të arrijnë vetëvendosjen. Sondazhet tregojnë se vetëm një e pesta e elektoratit izraelit tregon një zgjidhje me dy shtete dhe 56% e izraelitëve hebrenj mbështetën “transferimin e qytetarëve arabë të Izraelit në vende të tjera”.

Izraeli ka miratuar gjithashtu plane për të ndërtuar 22 vendbanime të tjera në Bregun Perëndimor – zgjerimi më i madh në dekada. Ministri i mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se ishte “një veprim strategjik që pengon krijimin e një shteti palestinez”. Iniciativa e Macron është cilësuar si “katastrofike” nga ambasadori i Izraelit në Francë, Joshua Zarka.

Njohja e një shteti palestinez më parë shihej si rezultat i një plani të dështuar dy-shtetëror të viteve 1990. Megjithatë, qeveritë në Evropë ngrenë pikëpyetje nëse Izraeli ka ndonjë qëllim për të lehtësuar kontrollin e tij mbi palestinezët.

Irlanda, Spanja dhe Norvegjia njohën shtetin palestinez vitin e kaluar. Macron ka këmbëngulur se do të njihte vetëm një shtet palestinez pa Hamasin – i njëjti qëndrim si Mbretëria e Bashkuar.

Në një letër të hapur drejtuar Macronit, The Elders, një grup ish-diplomatësh të lartë të OKB-së, thonë se njohja është “një hap thelbësor transformues drejt paqes” e cila duhet të merret si çështje parimore, e ndarë nga negociatat e shtetësisë palestineze dhe se si apo kur duhet të çarmatoset Hamasi.

Anne-Claire Legendre, këshilltarja e presidentit për Lindjen e Mesme, u shpreh se konferenca duhet të shënojë një moment historik për zgjidhjen mes dy shtete.

“Ne duhet të kalojmë nga fjalët në vepra dhe duhet të kalojmë nga fundi i luftës në Gaza në fund të konfliktit”, tha ajo.

Legendre u takua këtë javë me zyrtarë izraelitë për të diskutuar lidhur me konferencën. Ajo u takua gjithashtu me kryeministrin palestinez, Mohammad Mustafa.

Mediat izraelite raportuan se zyrtarët francezë thanë se: “Njohja e një shteti palestinez mbetet në tryezë, por jo si produkt i konferencës. Kjo do të mbetet një temë dypalëshe midis shteteve”.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, i cili pritet të marrë pjesë në konferencë, ndodhet nën presion nga deputetët për të ndëshkuar ashpër Izraelin, ndërsa po i kërkohet të sqarojë kushtet për njohjen e shtetit palestinez nga Mbretëria e Bashkuar.

Hamish Falconer, ministri i Lindjes së Mesme, u tha deputetëve këtë javë se mendimi i Mbretërisë së Bashkuar po evoluonte.

“Një arsye pse qëndrimi tradicional i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar ka qenë që njohja e një shteti palestinez duhet të vijë në fund ose gjatë një procesi zgjidhjeje me dy shtete ishte shpresa se ne do të ecnim drejt një zgjidhjeje me dy shtete. Shumë mendje kanë ndryshuar për shkak të retorikës së qeverisë izraelite – deklaratave të qarta nga kaq shumë njerëz se ata nuk janë më të përkushtuar ndaj një zgjidhjeje me dy shtete”, u shpreh ai.

Por britanikët po kërkojnë angazhime të forta në konferencën mbi qeverinë e ardhshme të Palestinës, përfshirë përjashtimin e Hamasit nga çdo qeverisje e ardhshme e Gazës, diçka që vetë Hamasi duket se e ka pranuar në planet e ndryshme të hartuara nga shtetet arabe.

Një numër gjithnjë e në rritje i deputetëve konservatorë janë ndarë nga grupi i tyre i parë për këtë çështje dhe tani mbështesin njohjen, përfshirë ish-prokurorin e përgjithshëm Sir Jeremy Wright.

Franca shpreson që një grup shtetesh perëndimore që njohin një shtet palestinez të balancohet nga shtetet myslimane që normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin.

Megjithatë, njohja e Izraelit nga Arabia Saudite duket e pamundur. Princi i kurorës saudite, Mohammed bin Salman, ka pohuar vazhdimisht se Izraeli po kryen një gjenocid, një pikëpamje që ndahet gjerësisht nga opinioni publik saudit./”The Guardian”

Artikulli paraprak“Pallati i Ëndrrave” dhe pasaporta evropiane e PS-së
Artikulli tjetër“Nxehen” çmimet në bregdet, stepen blerësit e huaj