Një spital në Kinë u ka bërë ftesë specialistëve të sëmundjes së kancerit nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania për të ndihmuar në trajtimin e disidentit të burgosur dhe laureatit të çmimit “Nobel për Paqe”, Liu Xiaobo.
Sipas autoriteteve kineze, ftesa nga spitali vjen pas kërkesës së familjes dhe konsultimit me ekipin mjekësor të 61-vjeçarit.
Disidentit iu dha liri me kusht për arsye mjekësore në muajin maj, pasi u diagnostikua me kancer të veshkave në një fazë të avancuar.
Dy ditë më parë Gjermania i kërkoi Kinës të lejojë Liun të trajtohet jashtë vendit. Por Pekini njoftoi se gjendja shëndetësore e tij nuk e bën të mundur udhëtimin. Por sipas disidentit Hu Jia, gjithashtu mik i Liut, në një video të hedhur në YouTube fundjavën e kaluar ai shfaqet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Qeveritë e huaja dhe grupet e të drejtave të njeriut i kanë kërkuar Kinës që ta lejojë atë të trajtohet jashtë vendit.
Liu Xiaobot është një poet dhe aktivist i të drejtave të njeriut, i cili u arrestua pasi shkroi “Akti ’08”, një manifest që bën thirrje për reforma demokratike në Kinë. Në vitin 2010 ai u nderua me çmimin “Nobel për Paqe” për fushatën e tij për demokraci dhe të drejta të njeriut. Ai u dënua me 11 vjet burg për “nxitje të përmbysjes së pushtetit shtetëror”, një ligj që përdoret shpesh nga autoritetet kineze për të heshtur disidentët.
Marrja e informacionit të besueshëm dhe të pavarur mbi gjendjen shëndetësore të disidentit dhe mbi dëshirën e tij për të udhëtuar jashtë vendit për t’u kuruar ka qenë e vështirë, pasi ai dhe gruaja e tij, janë izoluar për shumë kohë nga autoritetet, larg mundësive për të kontaktuar miqtë dhe mediat.