Noka: Droga çau detin, por pasi u kap në Itali na del aksion i përbashkët

Deputeti i PD, Flamur Noka ka reaguar për drogën e nisur nga bregdeti i Vlorës dhe të sekuestruar nga policia italiane në Leçe. Në një postim në rrjetin social Facebook, Noka shtron pyetjen se nga po del kjo sasi droge.
“Sërish 700 kilogramë drogë nga Shqipëria në Itali. Po nga del vallë kjo drogë, se Rama e Tahiri thonë nuk ka më kanabis në vendin tonë. Droga çau detin, por, pasi u kap në Itali na del aksion i përbashkët. Po nëse është aksion i përbashkët, pse nuk ndalohet asnjëherë droga në Shqipëri, po gjithnjë në Itali. E vetmja meritë e Ramës e Tahirit është që kur droga kapet në brigjet fqinjë, këta të dy bëjnë një deklaratë për mediat”, shprehet Noka.
Guardia di Financa e Salentos në Itali bllokoi mëngjesin e djeshëm një tjetër gomone me 734 kg marijuanë në zonën e Leçes. Gomonia ishte nisur nga bregdeti i Vlorës dhe sipas mediave italiane, vlera e drogës së sekuestruar e ndarë në 33 koli arrin në 7 milionë euro nëse do të hidhej në treg. Mediat italiane shkruajnë se, dy skafistët nga Vlora A.P. 43 vjeç dhe G.S. 39 vjeç kanë tentuar që të arratisen, por janë kapur nga motovedetat e Guardia di Financës. Por policia shqiptare ka nxituar të deklarojë se operacioni i bllokimit të drogës në Leçe është bërë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Nuk kuptohet pse e lejoi Policia e Shtetit gomonen me drogë që të nisej nga bregdeti i Vlorës? Edhe në dy raste të tjera të sekuestrimit të tonelatave të drogës në Itali, policia shqiptare ka deklaruar se ka marrë pjesë në sekuestrimin e drogës shqiptare në Itali. Policia shqiptare nuk bën gjë tjetër veçse publikon njoftimin e mediave italiane dhe shton se ka marrë pjesë edhe vetë në operacion. Ky është një tjetër mashtrim, që policia bën për të mbuluar trafikun e drogës që e lejon vetë.

Exit mobile version