Noka: Kupola e policisë e përfshirë në mbjellje dhe trafik të drogës

Deputeti demokrat, Flamur Noka deklaron se e vetmja zgjidhje për situatën në vend është shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme. Në një prononcim për mediat, ai tha se Guardia di Finanza ka monitoruar vetëm 17% të territorit dhe ka rezultuar se ka 5-fishim të sipërfaqes duke shtruar pyetjen se nëse do të kishte monitoruar të gjithë vendin sa do të ishte kjo sipërfaqe. “Vetëm 17% ishte e monitoruar nga Guardia di Finanza. 5-fishimi i sipërfaqes është shifër e frikshme. Ajo që ne kemi paralajmëruar që në Shqipëri është 5-fishuar u konfirmua nga GDF. Ajo konfirmon se edhe fara e re, vietnameze e hyrë në dogana, është mbjellë 2-3 herë, ka pasur 2-3 kultivime. Është një alarm i madh për shoqërinë shqiptare. Karteli po shkatërron gjithçka”, tha Noka.
I pyetur nga mediat në lidhje me denoncimet e bëra prej tij për situatën me kanabisin vietnamez, Noka dha disa detaje të tjera, sipas të cilave: “Holanda konfirmon, mediat holandeze, zyrtarët holandezë se, 2 milionë fara të kanabisit janë blerë në Holandë dhe kanë ardhur në Shqipëri. Ne e bëmë publike dhe e denoncuam. Mirëpo Kryeministri, ministri i Brendshëm, siç e kanë bërë në modë, mohuan në mënyrë kategorike duke bërë edhe ironi se mos është japoneze”.
I pyetur nëse do të ishte zgjidhje përdorimi i forcave ushtarake në kushtet e krijuara, deputeti demokrat Noka tha: “Është vetëm një gjendje e jashtëzakonshme që mund të japë zgjidhje për situatën. Drejtorët e qarqeve janë ata që drejtojnë këtë biznes kriminal në Shqipëri. Unë po ju them situata që është në Shqipëri në lidhje me territorin e mbuluar me kanabis është për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Kupola e policisë e përfshirë në mbjellje dhe trafik të drogës. Përveç fitimeve marramendëse luhet edhe loja për të blerë votën, siç ndodhi në Dibër”, tha Noka.
Po dje në një reagim për mediat, Noka e cilësoi ministrin Tahiri si turpin e Europës, ndërsa kërkoi dorëheqjen e tij. “Ky që del në televizion dhe kur një mace kalon në rrugë, sot nuk tha asnjë fjalë për pesëfishimin e sipërfaqes së mbjellë me kanabis për një vit. Zëri i ka ikur që kur u sekuestruan 23 tonë kanabis në Vlorë. Sipërfaqe e pesëfishuar me drogë e konfirmuar me zë dhe me figurë nga Guardia di Finanza dhe asnjë trafikant i arrestuar, është bilanci i qartë se s’ka asnjë përdredhje alla Tahirçe ta fshehë e ta tjetërsojë. Mediat prestigjioze evropiane kanë dhënë alarmin e Shqipërisë së kthyer në kanabistan. Je bërë turpi i Evropës dhe vazhdon shkon në zyrë. Largohu sa më shpejt, revolta e popullit do të jetë e hidhur për ty dhe Ramën tënd”, tha Noka.

Artikulli paraprakMjeku i QSUT rrëzon policinë: Vajzat ishin helmuar me kanabis
Artikulli tjetërAgjenti i FBI në Tiranë për të monitoruar Byronë e Hetimit