Në pritje të rritjes së normave të interesit në tregjet ndërkombëtare, Banka e Shqipërisë ka vënë në monitorim bankat tregtare që t’u përgjigjen reagimeve pa cenuar stabilitetin financiar, në raportin vjetor të 2016 përgatitur për Kuvendin. Për shkak të mospërputhjeve midis aktiveve dhe detyrimeve të ndjeshme ndaj lëvizjeve në normat e interesit, sektori është i ekspozuar ndaj një rritjeje të shpejtë të normës së interesit. Ndonëse probabiliteti i rritjes së shpejtë të normave të interesit është aktualisht i ulët, Banka e Shqipërisë iu ka rekomanduar bankave të përfshijnë vlerësimin e këtij rreziku në analizat e tyre dhe të veprojnë për minimizimin e tij në rast se ai vlerësohet i rëndësishëm. Niveli i pozicioneve të hapura neto valutore paraqitet në rënie krahasuar me një vit më parë, duke sugjeruar ekspozim të kufizuar ndaj rrezikut (luhatjeve) të kursit të këmbimit. Në dhjetor 2016, në nivel sektori, pozicioni i hapur valutor “në blerje” shënonte 7.0% të kapitalit rregullator (nga 7.7% në dhjetor të vitit 2015). Por megjithëkëtë fakt Banka e Shqipërisë ka lançuar një nismë për deeuroizimin e mëtejshëm të ekonomisë.