Notari amerikan James Feigen ka rënë dakord t’i paguajë gati 11 mijë dollarë një shoqate bamirëse në Brazil për të zgjidhur përfshirjen e tij në një skandal grabitjeje në Lojërat Olimpike të Rios, duke i mundësuar atij kthimin në Shtetet e Bashkuara.
Avokati i zotit Feigen e bëri njoftimin dje pas takimeve të gjata me autoritetet qeveritare dhe ligjore në Rio.
Tre notarët e tjerë amerikanë të përfshirë në raportimin e rremë të grabitjes së tyre tashmë janë kthyer në Shtetet e Bashkuara.
Policia braziliane ka thënë se po shqyrton ngritjen e akuzave për vandalizëm dhe dëshmi të rreme ndaj notarëve amerikanë, pasi ata pranuan se kishin sajuar historinë në lidhje me grabitjen e tyre me armë.
Notarët Ryan Lochte, Jack Conger, Gunnar Bentz dhe James Feigen fillimisht i thanë policisë se ata ishin grabitur me armë të dielën herët në mëngjes duke u kthyer nga një festë jashtë Fshatit Olimpik në Rio de Zhaneiro.
Por dy nga notarët, Conger dhe Bentz, e pranuan se kishin fabrikuar historinë pasi u arrestuan në aeroportin e Rios të mërkurën mbrëma, ndërkohë që ata po përpiqeshin të ktheheshin në Shtetet e Bashkuara. Dy notarët amerikanë të enjten në mbrëmje u kthyen me avion në Shtetet e Bashkuara pasi u morën në pyetje nga autoritetet. Lochte u kthye në Shtetet e Bashkuara të hënën para daljes së njoftimeve për fabrikimin e historisë së grabitjes së tyre me armë.
Komiteti Olimpik i Shteteve të Bashkuara i ka kërkuar falje Brazilit për veprimet e notarëve amerikanë dhe pretendimet e tyre të rreme për grabitje.
Fernando Veloso, kreu i policisë civile në Rio, u tha gazetarëve të enjten se kamerat e sigurisë tregonin se notarët në fakt kishin vizituar një pikë karburanti të dielën herët në mëngjes dhe se sipas dëshmitarëve ata kishin dëmtuar një banjo, ishin përballur me një roje të armatosur dhe ishin larguar para se policia të arrinte në vendin e ngjarjes.