Analisti Agim Baçi ka komentuar zhvillimet e fundit politike, duke thënë se opozita dhe mazhoranca bënë marrëveshje, por kjo e fundit nuk zbatohet nga Rama, për të cilin thotë se nuk çon deputetët në Komisionet Hetimore.
I ftuar në emisionin ‘Open’ në News24, ai tha se opozita duhet të gjejë zgjidhje për ta zvogëluar fuqinë e Ramës, ndërsa thekson se kryeministri nuk ndalet duke synuar të marrë çdo lloj domeni, të opozitës dhe shoqërisë civile.
“Është tallje dhe unë Ramës nuk i besoj fare! Nuk e ka shpikur Rama, është një shkollë e përhershme. Autokracia që ka ndërtuar Rama janë pushtete të tilla që duan zgjerim të përhershëm sepse nuk ndihen të sigurt në asgjë. Janë si diktaturat që ndjekin narrativen e grupit armiqësor. E ka bërë edhe Berisha kur ka qenë në pushtet, të zvogëlojë kundërshtarin dhe ta përçajë, Rama e ka këtë.
Unë jam kundër kësaj politike sepse ne nuk i zgjedhim për të përça kundërshtarin, por për të ndërtuar këtë vend. Opozita duhet të gjejë zgjidhje për ta zvogëluar këtë fuqi të Ramës dhe gjërat që na bashkojnë janë shumë më të mëdha. Ajo që mua më trishtoi është se u ule të bësh një marrëveshje dhe pas dy javësh të mos çosh deputetët. I dha komisione, e shkele në mënyrë të hapur Kushtetutën. Të gjitha raportet ndërkombëtare thonë se Parlamenti e ka humbur funksionin pasi nuk e kontrollon kryeministrin.
Mendon që çdo njeri është jashtë ti si në diktaturë kur Enveri thoshte e ka bërë Mehmeti në kokën e vet dhe nuk mbaj përgjegjësi politike. Ai nuk ndalet sepse synon të marrë çdo lloj domeni, atë të opozitës, të shoqërisë civile. A keni parë shoqëri civile sot? Në kohën e Berishës protestonte edhe për gardhin e hekurit atje. Tani nuk ka sepse lloji i pushtetit të Ramës nuk lejon asgjë tjetër. Pas arritjes së marrëveshjes, për mua është qetësi e gënjeshtër. Ishte më reale protesta duke u përballur”, tha Baçi