Nuk do ketë drejtësi alla Shullaz

Garantimi i zgjedhjeve të lira prioriteti kryesor i shqiptarëve

– Zoti Basha, cili është konkluzioni i mbledhjes së Grupit parlamentar të PD në një fazë shumë të rëndësishme për ju ku flitet për drejtësinë, diskutimet në Komisionin e posaçëm për Reformën në Drejtësi, por edhe për një draft të PD?
Grupi parlamentar ka mbështetur plotësisht punën e bërë nga anëtarët tanë në komisionin ad-hoc dhe nga ekspertët e PD, që i kanë dhënë shqiptarëve atë që qeveria ua ka mohuar për dy vite me radhë, qartësi për një Reformë në Drejtësi që nuk mbron, por lufton krimin dhe korrupsionin në nivele të larta qeveritare. Në këtë kuadër, Grupi parlamentar dhe PD kanë qenë të qarta prej fillimit kur Edi Rama çoi draftin e parë për kapjen e drejtësisë me elementë të tillë si Byronë Kombëtare të Hetimit nën kontrollin e Shullazit apo Saimir Tahirit, që për ne është e njëjta gjë, që Venecia të shprehej, Venecia u shpreh, drafti u çmontua me turp. Edi Rama për një javë nuk u prononcua dhe pastaj në vend që të dilte të kërkonte falje dhe të ofronte bashkëpunim, prodhoi draftin e dytë po kaq problematik, draft që po kështu u çmontua nga Komisioni i Venecias. Së fundi, Komisioni i Venecias me këtë çmontim të dytë, la dy detyra për klasën politike shqiptare, për qeverinë në radhë të parë dhe për opozitën. Të gjejmë bashkërisht zgjidhje të standardit europian për arkitekturën e sistemit të drejtësisë dhe për mënyrën e emërimit të organeve të reja të sistemit të drejtësisë sepse për komponentin më kryesor të reformës që është lufta kundër korrupsionit, nuk kishte çfarë të thoshte Venecia. PD, unë, ua bëmë të qartë shqiptarëve, faktorit ndërkombëtar dhe qeverisë që sa i përket luftës kundër korrupsionit, pra Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Byrosë Kombëtare të Hetimit jo nën sqetullën e Tahirit dhe krimit, por ashtu siç tha Venecia nën kupolën e drejtësisë dhe procesit të pastrimit dhe vetëpastrimit të drejtësisë përmes asaj që quhet procesi i Vetingut, PD e jepte votën e saj që në shkurt apo mars. Propozuam në mars që të ecej me komponentin antikorrupsion, me amendamentet kushtetuese dhe ligjet përkatëse, të dyja bashkë. Siç ecëm për dekriminalizimin ku bëmë edhe ligjin dhe amendamentin në një seancë dhe në këtë mënyrë t’i hapej rruga ndërtimit të institucioneve antikorrupsion, sepse këto institucione nuk lindin brenda ditës. Ndërtimi i tyre kërkon minimalisht 6 muaj, ndoshta 10-12 muaj. Mesa duket ky ka qenë dhe hesapi i mazhorancës, që të mos kishte prokurorë antikorrupsion nëpër këmbë teksa po afrojnë zgjedhjet, të mos kishte polici gjyqësore antikorrupsion dhe antimafia të pavarur politikisht, të pandikuar politikisht, që nuk merr telefonata nga Kryeministri, ministri i Brendshëm para zgjedhjeve. Kjo ofertë e jona hasi në një vesh të shurdhër dhe u kërkua të kalojë e gjithë paketa, pjesa antikorrupsion dhe pjesa e institucioneve. Për pjesën e institucioneve Venecia e thotë fare qartë: Duhet vullnet politik i të dy palëve.

– Çfarë kuptoni ju si kryetar i opozitës me vullnet politik, një tërheqje absolute të shumicës? Nga se, nga cilat pjesë duhet të tërhiqet shumica?
Jo absolutisht. Ne kërkojmë instrumente të natyrës europiane. Pra, institucione europiane dhe jo institucione të shpikura për të krijuar vende pune për veten e tyre me nga 6 milionë lekë në muaj, se kjo ka qenë idea. Taksapaguesit duhet ta dinë që klientët e qeverisë, të vetëquajturit ekspertë të nivelit të lartë, së bashku dhe me mbështetje qeveritare krijuan institucione me pagesa dy-trefish Kryeministri apo Presidenti që do të punësoheshin vetë dhe ku do të caktonin vetë se cili nga gjyqtarët bënte dhe cili nuk bënte.

– Ne flasim për arkitekturën apo për buxhetin e arkitekturës?
Po flasim për arkitekturën. Parimi i arkitekturës duhet të jetë parim europian jo parim alla Shullaz. Se Shullazi është një fenomen edhe i korrupsionit moral, politik, është produkt i korrupsionit politik të kësaj qeverisje. Jo formulë alla Shullaz dhe alla Kokëdhimë, por një formulë europiane të institucioneve të reja.

– E keni ju këtë formulë sot?
I takonte qeverisë të ulet dhe të negocionte, nuk e bëri. Prandaj e kemi bërë ne.

– Cila është formula juaj?
Është një formulë, e cila paraqet 7 institucione të drejtësisë, ekspertët e kanë shpjeguar në detaje dhe unë nuk marr përsipër të bëj ekspertin sot. Por mund t’u them se në diskutimin e grupit kjo formulë është gjetur plotësisht në përputhje me atë që dëshirojmë ne, një standard europian të menaxhimit të sistemit të drejtësisë. Ndërkohë për pjesën tjetër të luftës kundër korrupsionit, pra për Prokurorinë e Posaçme, Njësinë e Posaçme Hetimore siç është riquajtur Byroja Kombëtare e Hetimit dhe për procesin e kontrollit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, PD ka thënë po që prej marsit zyrtarisht. Për procesin e vendimmarrjes dhe ky është komponenti i tretë, partnerët ndërkombëtarë kanë ofruar disa formula, kanë garantuar PD se do të mbështesin cilindo formulë që PD do ta gjykojë të pranueshme në kuptimin e balancimit të interesave politike. Dhe ne kemi vënë gishtin tek formula e vendeve të rezervuara, sigurisht duke i njohur primatin, pra duke i dhënë mazhorancës mundësinë që të emërojë në përputhje me përgjegjësitë e saj para elektoratit dhe opozitës në përputhje me përgjegjësitë e saj para elektoratit. Për ne çështja e vendimmarrjes sipas kësaj formule konsiderohet e zgjidhur. Për ne çështja e luftës kundër korrupsionit përmes institucioneve të reja antikorrupsion konsiderohet e zgjidhur. Ajo që mbetet pa zgjidhur është mundësia që ky Kryeministër apo cilido Kryeministër të nesërmen të fusë duart në arkitekturën e drejtësisë. Që kjo mos të ndodhë dhe që Shqipërisë t’i garantohet një sistem drejtësie njësoj si europianëve ku Kryeministri nuk merr në telefon dhe kërcënon prokurorë e gjyqtarë për të mbrojtur Kokëdhimën, për të shpëtuar deputetët e tij, por një drejtësi të standardit europian që garantohet nga një arkitekturë institucionesh të standardit europian. Për këto jemi të gatshëm të dialogojmë me mazhorancën, nuk themi që kemi monopolin e të vërtetës, por ne kemi ofruar zgjidhje, zgjidhje të standardit europian. Mazhoranca është e ftuar, paradoksalisht u takon atyre të na ftojnë ne, por s’e kanë bërë, e kam bërë unë dhe e përsëris.

– Kam përshtypjen që jeni gjithë kohën të ftuar në komision parlamentar apo kërkohet një tryezë e një niveli politik?
Komisioni ka funksionuar si teatër kukullash, nuk ka funksionuar si një komision i vërtetë ku rrihen mendimet dhe ku ka një teknikë negociimi për hir të parimeve.

– E qartë, atëherë ku është teatri i njerëzve, nëse do e quajmë kështu?
Bashkëkryetarët e komisionit apo çfarëdo formati tjetër të ndihen komodë kundërshtarët tanë politikë, ne jemi gati të angazhohemi.

– A mund të bëni diferencën e arkitekturës së opozitës me atë të shumicës, ku është diferenca që ndan PD dhe qeverinë?
Është parimi. Parimi i arkitekturës së propozuar nga shumica është shpërndarja e kompetencave në 5-6 institucione të reja, të cilat që nesër mund të krijojnë pakte mossubimi me njëra-tjetrën sepse ndërvaren nga njëra-tjetra. Ky është një problem i vjetër i drejtësisë shqiptare që pesëfishohet me këtë arkitekturë. Ndërsa propozimi ynë është thjeshtimi i arkitekturës dhe vendosja e përgjegjësive të qarta para institucioneve dhe qytetarëve. Ta dinë qytetarët cili institucion ka përgjegjësinë për kontrollin e integritetit të gjyqtarëve, po e bën apo nuk po e bën si duhet dhe çfarë mekanizmash ka qytetari për të kontrolluar dhe disiplinuar atë institucion që nuk e bën punën si duhet. Ne ofrojmë një skemë të standardit europian të llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë europiane dhe jo një pyll përgjegjësish të koklavitura, të ndërthurura, në konflikt interesi me njëra-tjetrën, ku nuk shquhet dot e mira nga e keqja dhe përgjegjësi apo fajtori nga viktima.

– Çfarë duan të zgjidhin ambasadorët kur bënë një ecejake nga njëra seli tek tjetra, çfarë synojnë të zgjidhin në këtë ngërç?
Në rrafshin e përgjithshëm është një pyetje për ambasadorët dhe studiuesit e shkencave politike.

– Edhe për ju, ju e dini çfarë nuk shkon.
Në PD vijnë dhe marrin nga PD jo vetëm vullnetin tonë politik që prej ditës së parë për Reformën në Drejtësi, por edhe vendosmërinë tonë për t’u qëndruar parimeve mbi të cilat funksionon drejtësia në vendet e tyre.

– A mundet ndërkombëtarët që në një moment kaq të rëndësishëm, ku jemi drejt finalizimit të një reforme shumë të rëndësishme për shqiptarët, që t’u lënë në dorë palëve politike dy elementë kryesorë për të cilat nuk kanë rënë dakord gjatë gjithë kohës, siç është arkitektura dhe vendimmarrja, për t’i zgjidhur ata pa ndërhyrë dhe pa ju dhënë një model? A kemi sot një model të tyre për dy çështjet?
Po, në rastin e vendimmarrjes na është ofruar një model, vendimin do ta marrë legjislatura, Parlamenti shqiptar jo ambasadorët. Dhe pse Parlamentit i mbaron mandati dhe ambasadorëve u mbaron mandati, po Parlamenti aty është dhe me një mandat të rinovuar është përfaqësues i vullnetit të popullit. Prandaj kërkohet që mbi këtë model të ofruar, në rastin e vendimmarrjes, të ketë një dialog politik. Ne kemi marrë vendimin tonë në mbështetje të një prej modeleve të ofruara nga ndërkombëtarët që është modeli i vendeve të rezervuara.

– Po thoni që paketa që është sot nuk e ka mbështetjen absolute të ndërkombëtarëve, Venecias, OBDAT, EURALIUS?
Në këtë paketë reflektohen dilemat që Venecia përcolli në Tiranë për dy çështje, arkitekturën dhe vendimmarrjen. Tha qartë, këto të dyja duhet t’i vendosin palët politike në Shqipëri përmes dialogut gjithpërfshirës. Derisa Venecia e tha këtë, tellalli nuk mund të mos e japë. Ata që bënë draftin e kanë reflektuar të kuqe mbi të bardhë, pjesë që janë shënuar me të kuqe në draft janë pjesët ku pritet dialogu politik. Dhe çdokush që pretendon të kundërtën, që pretendon se drafti kështu siç erdhi ishte i përfunduar dhe gati për votim ose është i keqinformuar ose gënjeshtar.

– Keni folur për reformën zgjedhore, e keni nxjerrë në një moment të rëndësishëm ku diskutohet edhe për Reformën në Drejtësi. Është një manovër politike që opozita të ngulmojë fort në dy reforma të rëndësishme që kushtëzojnë njëra-tjetrën? A është koha e mjaftueshme që ju të keni sukses tek të dyja apo njëra kushtëzon tjetrën që të mos miratohen të dyja?
Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme Reforma në Drejtësi ka zero shans të përmirësojë jetën e shqiptarëve, pa zgjedhje të lira dhe të ndershme asgjë tjetër në këtë vend nuk mund dhe nuk do të funksionojë. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë parakusht i çdo parakushti. Reforma zgjedhore është e vonuar, nuk ka kohë sepse zgjedhjet janë vitin e ardhshëm. Gjithçka tjetër është në funksion të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

– Po nëse nuk mjafton as koha për Reformën në Drejtësi?
Nuk ka asnjë shans që BE t’i hapë negociatat me një vend që nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk ka asnjë shans që BE t’i hapë negociatat një vendi kaq problematik me krimin dhe drogën. Ditë për ditë po bëhemi lajm në mediat europiane sepse nuk zbatohen ligjet ekzistuese. Edhe kur të miratohet Reforma në Drejtësi, që uroj të miratohet me vullnetin e të dyja palëve, por që i garantoj shqiptarët që nëse kjo palë nuk e ka vullnetin, pala ime e ka vullnetin dhe do ta miratojë si qeverisje e ardhshme. Urimi im është të gjejmë gjuhën e përbashkët, por dhe nëse e gjejmë, implementimi i kësaj reforme do të kërkojë të paktën 10 muaj. Pa monitoruar zbatimin e kësaj reforme harrojeni se ka një europian të vendit më të parëndësishëm që do të votojë pro hapjes së negociatave për Shqipërinë. Kjo sa i përket Reformës në Drejtësi, por ndërkohë Shqipëria po monitorohet për zbatimin e ligjit për dekriminalizimin dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në këtë treshe ajo për të cilën vërtet nuk ka kohë është të krijojmë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. PD dhe unë i kemi mëshuar kësaj që prej fillimit, nuk është një proces pazari me Reformën në Drejtësi. Reforma zgjedhore, kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme qëndrojnë në vetvete si imperative dhe kërkesa më urgjente jo thjesht e opozitës, por çdo qytetari, edhe votuesve të kundërshtarëve tanë politikë. Shqiptarët duan të lënë pas periudhën e manipulimit zgjedhor. Ajo që ofrojmë ne është votimi elektronik dhe biometrik që nënkupton dhe numërimin elektronik. Nënkupton që horrat dhe zuzarët të dalin pa punë ditën e zgjedhjeve.

– Është koha për një votim të sigurt elektronik?
Koha është tani për të bërë ndryshimet zgjedhore, për të ndarë financat, prokuruar sistemet moderne që ekzistojnë, për t’i mbikëqyrur së bashku në mënyrë që të funksionojnë.

– Projekti pilot i zgjedhjeve të shkuara dështoi me sukses, çështja është në Prokurori.
Shikoni çfarë celulari kishit vitin e shkuar dhe çfarë celulari keni sot. Teknologjia ka avancuar me hapa të jashtëzakonshëm, ofron sot dhe është provuar që garanton përmes përmirësimeve elektronike, zgjedhje elektronike, zgjedhje biometrike. Shqipëria e ka bazën e të dhënave biometrike, çdo qytetar disponon kartë dhe pasaportë biometrike. Të dhënat janë të regjistruara dhe kjo mundëson që çdo qytetar të votojë thjesht dhe vetëm me shenjën e tij të gishtit.

– Për cilën kohë flasin ambasadorët kur thonë se nuk ka kohë për të miratuar Reformën në Drejtësi?
Flasin për një kohë ku Shqipërinë e zotërojnë bandat kriminale, korrupsioni ka arritur në nivele të paimagjinueshme. Nëse më 2004 BB thoshte Shqipëria ka nivel korrupsioni në kapje shteti, e bazonte sepse prokurimet e drejtpërdrejta ishin 25%, sot kanë shkuar 71% vetëm katërmujorin e parë të këtij viti. Në këtë kuptim Shqipëria ka një nevojë të ngutshme për një drejtësi të pavarur, të fortë dhe profesionale që të ndëshkojë krimin dhe korrupsionin dhe që t’u japë qytetarëve drejtësi në mosmarrëveshjet e tyre të natyrës civile. Por çdokush që thotë se po u miratua kjo copë letër nesër Shqipëria do të jetë ndryshe, gënjen, është naivitet. Ky është një proces, të cilit i hapim rrugë me një reformë të standardit europian, por është implementimi, zbatimi dhe mënyra si do i zbatojmë rregullat ajo që do të provojë nëse drejtësia me të vërtetë do të reformohet. Një draft i bazuar mbi standardin europian, i miratuar me konsensus e hap këtë rrugë dhe shans për Shqipërinë. Por kjo nuk do të ndodhë brenda natës, asnjë shqiptar nuk duhet të mashtrohet, të gjithë duhet ta dinë se procesi i reformës nuk mbaron me votimin në Parlament, fillon me votën në Parlament dhe zbatimi i asaj që do të votojmë si Prokuroria e Posaçme, Njësia e Posaçme Hetimore apo procesi i kontrollit dhe verifikimi i figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në vetvete do të zgjasë me vite.

– Duket sikur PD nuk i intereson koha e miratimit.
Atyre që nuk u intereson koha e miratimit janë PS dhe LSI. Atyre nuk u interesojnë gjyqtarë dhe prokurorë të pavarur para zgjedhjeve dhe ja kanë dalë kësaj.

– Ata thonë se e keni kapur ju…
Po e kemi kapur ne me Shullazin, Koço Kokëdhimën, Fatmir Xhafaj, ne e kemi kapur sistemin. Të gjithë e dinë që drejtësia është e kapur nga Edi Rama, që merr në telefon gjyqtarë dhe prokurorë, i kërcënon dhe merr atë që do nga ata në kundërshtim me ligjin. E bëri herën e fundit me Koço Kokëdhimën, nuk ka asnjë pikë dyshimi që kjo drejtësi është e kapur nga kjo qeverisje dhe Venecia na e ka thënë të zezë mbi të bardhë. Na thotë që duhet të ndalë çimentimi i kapjes politike sepse ashtu si dhe ne e dimë që kjo drejtësi është e kapur politikisht. Presidenti i Venecias i thotë Shqipërisë të mos çimentohet kapja politike, prezumon që ka një kapje politike dhe si mund të mos prezumojë që ka kapje politike kur anëtarët e KLD zëvendësohen në mënyrë antikushtetuese, ligji për Gjykatën Administrative ndryshohet kundër konsensusit politik, ligji për Gjykatën e Lartë ndryshohet kundër konsensusit politik. Mazhoranca pasi bëri këto lëvizje humbi çdo interes për Reformën në Drejtësi. Për një vit këta që bërtisnin reformë, reformë, nuk u ndjenë. Në dreka dhe darka e hapën barkun me ambasadorët dhe u thanë reforma u bë, i skandalizuan ambasadorët, u shfaqën të vërtetë siç janë. Për ta reforma ishte kapja e drejtësisë. Kemi insistuar që nga fillimi për një reformë të vërtetë që lufton korrupsionin, këta kanë pasur tjetër axhendë dhe kanë tjetër axhendë. Kjo është arsyeja pse u shty dhe u shty. Edhe sot po të miratohet, efektet e saj nuk do të ndjehen para zgjedhjeve. Edi Rama dhe Ilir Meta ia dolën të pamundësojnë që para zgjedhje parlamentare të kemi një korpus gjyqtarësh dhe prokurorësh me integritet, të pacenuar, të pacenueshëm, të pashantazhueshëm që do të hetonin chek up-in e Ilir Beqajt dhe Vilma Nushit, prokurimet e drejtpërdrejta për Carapulin.

– Edhe për ish-ministrat e PD….
Të marrim një herë këto, flasim dhe për të djeshmet. Por të marrim një herë të sotmet që po u marrin frymën shqiptarëve, merremi dhe me të djeshmet nuk kemi asnjë kompleks. Pra, sterilizimin, koncesionet, fëmijët e tyre që bredhin me syze 60 mijë euro kur deklarohen të papunë. Të gjitha këto hetohen në një vend europian, qeveritarët janë gjatë gjithë kohës në lupë. Këtyre nuk u intereson ky hetim, prandaj e kanë shtyrë drejtësinë dhe duan të lajnë duart sikur nuk e do PD. Çfarë interesi ka opozita më themelor se transparencën, vendosjen para drejtësisë së pavarur të aferave që ne i denoncojmë ditë për ditë? Pra, e kundërta është e vërtetë. Çdo qytetar e kupton që motivi për të shtyrë reformën u takon atyre që janë kapur me presh në duar dhe të siguroj që nuk janë presh, janë 2.2 miliard euro në dy vite. Janë bandat e Shullazit që bëjnë kërdinë nga jugu në veri, e kanë mbushur Shqipërinë me kanabis. Këto janë të vërtetat. Apo ai tjetri që donte të bënte kokainë në qendër të Europës, këto janë mynxyrat e kësaj qeverisje. Natyrisht nuk duan skaner, nuk duan drejtësi të pavarur. Bëjnë gjithçka dhe sot falë tyre edhe drejtësia e pavarur po të jetë realitet, do të jetë realitet pas qershorit të 2017. Eliminuan çdo mundësi për një hetim të pavarur dhe vendosjen para përgjegjësisë të Saimir Tahirit, Arben Ahmetaj, Ilir Beqajt, të Shullazit, Koço Kokëdhimës, Habilajve dhe qindra skandaleve të tjera që nuk na del koha t’i rreshtojmë. Siç thotë dhe populli “ditë e re, skandal i ri”.

– Janë i gjithë Grupi parlamentar i PD në të njëjtën linjë për Reformën në Drejtësi?
PD një qëndrim ka, që reforma duhet të miratohet, nuk ka asnjë diskutim për këtë. Nëse sot apo nesër mazhoranca është gati të ulet me ne dhe të diskutojë mbi meritat e saj propozimet tona, ne jemi mendjehapur, jemi gati të pranojmë dhe propozimet e tyre. Kemi vetëm një kusht, standard europian, moskapje politike. Po të kishte qenë për ne, reforma do të kishte mbaruar një vit më parë. Sot do të kishim SPAK, BKH, ministra dhe banditë prapa hekurave, jo t’u bëjnë karshillëk qytetarëve.

– Në qershor nuk ka asnjë shans që të propozohet rekomandimi për hapjen e negociatave?
Hapja e negociatave në vlerësimin tim si kryetar i opozitës ka zero shans nëse Shqipëria nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, nëse Shqipëria nuk zbaton ligjin e dekriminalizimit, nëse Shqipëria nuk zbaton Reformën në Drejtësi, që lufton dhe nuk mbron krimin në nivele të larta. Këto tri kushte janë numëruar me dhjetëra herë këtij kryetari opozite dhe atij Kryeministri. I di ai, i di dhe unë, nuk ka vend për hipokrizi. Shqiptarët nuk janë fëmijë të vegjël të gënjehen me karamele. Nuk ka karamele, Shqipëria duhet të zbatojë ligjin për dekriminalizimin, duhet të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të zbatojë një Reformë në Drejtësi që nuk mbron, por lufton korrupsionin dhe krimin. Po u plotësuan këto tri kushte atëherë do të hapen negociatat. Nuk plotësohen këto tri kushte, nuk ka negociata për Shqipërinë, ka izolim për Shqipërinë.

– Zoti Basha, a vendosi Grupi për një draft përfundimtar të Partisë Demokratike?
Siç e bëmë të ditur kjo javë u mor për të shqyrtuar propozimet e Partisë Demokratike për aspektet politike të reformës, të cilat siç theksojnë edhe ekspertët ndërkombëtarë, autorë të draftit të tretë, por siç thekson edhe Komisioni i Venecias janë përgjegjësi e vendimmarrjes së legjislatorit, pra të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë.
Kështu që sot për më shumë se dy orë grupi parlamentar diskutoi në mënyrë shumë të hapur dhe konstruktive mbi draftin e propozimeve kushtetuese të hartuar nga ekspertët tanë sa i përket dy komponentëve, arkitekturës dhe vendimmarrjes.
Do ta bëj të qartë për të gjithë ata që nuk e kanë kuptuar, se ka edhe nga ata që e kanë kuptuar, por bëjnë sikur nuk e kanë kuptuar: tek vendimmarrja ne qëndrojmë fort mbi propozimin e bërë nga faktori ndërkombëtar për vende të rezervuara. I kemi thënë “Po” dhe për ne këtu çështja konsiderohet e zgjidhur. Sigurisht duhet dhe pala tjetër të shprehë vullnetin për të cilin kemi marrë garanci nga faktori ndërkombëtar.
Për arkitekturën, “Venecia” e thotë qartë, drafti e përsërit në pjesën të kuqe mbi të bardhë se arkitektura që pamundëson kapjen politike është përgjegjësi e legjislatorit. Pra, nuk ka dhe nuk mund të ketë një formulë, e në veçanti nuk mund të ketë pranueshmëri të një formule, e cila nuk garanton moskapjen politike.
Thënë më shkoqur, Partia Demokratike nuk ka pranuar dhe nuk do të pranojë kurrë institucione të drejtësisë që lënë shtegun e hapur për një drejtësi alla Shullaz dhe alla Kokëdhima. Me fjalë të tjera, ku Kryeministri aktual apo cilido Kryeministër në të nesërmen të fusë duart e të bëjë çorbën sipas qejfit të tij.
Këtë Partia Demokratike nuk e pranon dhe kjo nuk duhet t’i vijë askujt si çudi, sepse ne këtë e kemi thënë prej ditës tonë të parë. Prej ditës tonë të parë kemi thënë Po për Reformën në Drejtësi, por jo kapjes politike. Dhe sot qëndrojmë për të njëjtin parim, Po Reformës në Drejtësi. Aspektin antikorrupsion, atë që iu nxin jetën qytetarëve, korrupsionin në nivele të larta qeveritare, korrupsioni në drejtësi, kemi që në mars që themi ejani të votojmë amendamentet, sigurisht bashkë me aktet ligjore dhe t’i hapim rrugë.
Nuk duan t’i votojnë, duan t’i votojnë të gjitha bashkë. Dakord! Por kurrsesi nuk mund të përdoret kjo për t’i bërë presion opozitës me hipokrizira të tilla si: ka kohë e s’ka kohë. Parimi është më i rëndësishmi dhe parimi është drejtësi e pakapur.
Drejtësi alla Shullaz, alla Prenga, drejtësi alla Kokëdhima ne nuk kemi pranuar dhe nuk do të pranojmë kurrë. Drejtësi të standardit europian, kemi sugjerimet tona, propozimet tona. Mendoj unë janë jashtëzakonisht të shoshitura, të bazuara mbi standardin europian. Nëse ka vullnet të ulemi, t’i negociojmë dhe të ecim përpara.
Pa dyshim që kjo kërkon kohë dhe jo presion dhe as hipokrizi. Sepse në qoftë se ka një gjë urgjente sot në Shqipëri është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Ta harrojnë kushdo që profeson ndryshe se Bashkimi Europian do t’i hapë dyert për negociata një Shqipëria që nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Bashkimi Europian kurrsesi nuk mund dhe nuk do t’ia hapë negociatat Shqipërisë për sa kohë që nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe koha për të rënë dakord, për të krijuar së bashku kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme po mbaron. Kjo është koha që po mbaron, e në veçanti për propozimin tonë për votimin elektronik, votimin biometrik që po kështu do të thotë numërim elektronik.
Dhe Partia Demokratike dhe unë personalisht jemi 100 për qind të përkushtuar për t’i dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sepse pa zgjedhje të lira dhe të ndershme gjithçka tjetër është fiasko, është falso, është kot dhe kot do të përfundojë.
Kjo është Republikë parlamentare, nuk është Republikë prokuroriale, as nuk është Republikë gjyqësore.
Nëse zgjedhjet e ardhshme shqiptarët nuk kanë mundësi të zgjedhin me votën e tyre të lirë dhe të ndershme një qeverisje të përgjegjshme dhe përgjegjëse ndaj tyre nuk ka prokuror dhe gjyqtar ta shpëtojë Republikën.
Prandaj zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të cilat zunë një pjesë të mirë të debatit dhe të diskutimit në Grupin parlamentar janë prioriteti numër një i vendit. Siç është prioritet absolut edhe zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, për të cilin sapo ka nisur procesi i verifikimit. Nguti për ta asgjësuar ligjin akoma pa nisur procesi i verifikimit tregon që pas ferrave ka jo lepur, por derra të mëdhenj.
Por le t’ia lëmë ligjit bashkë me kërkesën tonë ndaj organeve përkatëse, e në veçanti ndaj Prokurorisë që të bëjë verifikime të plota, të shpejta për personat me rekorde kriminale në Parlamentin e Shqipërisë. Sot që flasim i kanë fshehur ato, sipas të dhënave paraprake që ne disponojmë dhe po i verifikojmë, por po kështu në institucione të tjera.
Dekriminalizim, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të hapur për t’i dhënë formë përfundimtare Reformës në Drejtësi. Ku kemi rënë dakord tashmë në aspektin antikorrupsion për të cilin shqetësohen qytetarët dhe ku për aspektin e arkitekturës të institucioneve kushti ynë i vetëm është ai që ka qenë prej ditës së parë, drejtësi e pakapur, jo drejtësi alla Shullazi, jo drejtësi alla Kokëdhima, drejtësi e pakapur e standardit europian. Dhe për këtë Partia Demokratike nuk është gati të bëjë kompromis për cilësinë. Sigurisht është gati të negociojë për zgjidhje dhe alternativa të ndryshme që do të mishërojnë një drejtësi të pakapur.

– Zoti Basha, a mund të quhet hipokrizi deklarata e ambasadores së Bashkimit Europian se koha është tani për të miratuar reformën sepse do të ikë koha për të marrë ftesën për hapjen e negociatave për anëtarësim?
Deklaratat e ambasadorëve i komentoni ju sepse duhet të kuptoni që unë kam punë më të rëndësishme sesa komentet e deklaratave të ambasadorëve. Por mund t’ju them se Bashkimi Europian nuk mund dhe nuk do të hapë kurrë dyert e negociatave për një vend që nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Marrë nga Ora News

Exit mobile version