Nuk e kanë me Yllin, kanë hallin e babit të Zenit!

Nga Desada Metaj

Ka mjaftuar një deklaratë e Ylli Rakipit dhe befas Foltorja dhe i gjithë sponsorizimi i tyre në media ka nisur një betejë ndaj këtij të fundit dhe TV ku ai punon duke përdorur gjithë artilerinë e mundshme. Që nga statuset në rrjete sociale e deri tek paralajmërimet për “nxjerrje të palarash” në programet televizive. Kjo skemë është qartas e frymëzuar nga shpikësi më i madh i përbaltjes së kundërshtarëve politikë dhe të gjithë atyre që mendojnë ndryshe nga ai. Quhet Sali Berisha, për momentin ndodhet në izolim, në katin e lartë të pallatit ku jeton, nën akuzat e Spak për korrupsion. Por sërish e ka fuqinë të sulmojë me mjetet e fuqizuara nga “regjimi i Ramës”, çdokënd që nuk sinkronizohet me betejat e tij për të shpëtuar veten dhe familjen nga ajo çka po i ndodh 2-3 vitet e fundit.

Gjithçka nisi kur Ylli Rakipi, në emisionin e tij deklaroi se ka parë dhe takuar gjatë një drekë Shkëlzen Berishën, Erion Veliajn dhe gazetarin Clirim Peka. Kjo deklaratë mund të jetë e vërtetë për sa kohë këtu janë takuar të gjithë me të gjithë, kanë bërë marrveshje te fshehta dhe publike dhe kjo ka ndodhur jo pak këto 30 vitet e fundit. Mundet të mos jetë e vërtetë për shkak se betejat për influencë dhe pazaret e vogla janë gjithmonë prezent në politikë dhe media. Por ajo që vlen pas gjithë tollovisë “kanë drekuar apo s’kanë drekuar” është në fakt shqetësimi i madh i Foltores dhe ngrehja e një beteje të re. Këtë herë jo me Veliajn për inceneratorët por me Ylli Rakipin dhe TV ku ai punon. Dhe morali i fabulës vijon të mbetet: kush nuk është me mua është tradhtar dhe pazarxhi. Ky lajtmotiv që ka shoqëruar këto 30 vjet politikën e Sali Berishës nuk mund të ndryshonte tani. Dhe kjo nuk lë jashtë as pasuesit e tij, që këto vitet e fundit për shkak të mungesës së koherencës dhe seriozitetit janë shndërruar dhe në personazhe qesharakë. Ama kjo nuk i ka penguar që çdo herë të gëlltisin atë që kanë vjellë për bashkëpunëtorë dhe ish bashkëpunëtorë, të shndërrohen në përgjues të rëndomtë apo të bëjnë marrveshje me regjimin (siç e konsiderojnë qeverisjen e Ramës). E gjjtha në funksion të dhënies së oksigjenit për ballkonin e katit të tetë tek rrugica e shpresës.

Kjo që po ndodh së fundmi, përveç anës qesharake të betejave pa thelb dhe revolucioneve veç me fillim e pa fund, tregon dhe njëherë sa seriozisht e ka Foltorja betejën me korrupsionin. Se sa të sinqertë kanë qenë kur kanë bërë denoncimet për inceneratorët dhe kur pa e fshehur janë bërë avokatët e Arben Ahmetajt për këtë aferë. Sa për rikujtesë, çështjen e korrupsionit për inceneratorët e ka denoncuar PD shumë vite më përpara. Puna më me vlerë që ka bërë një forcë opozitare në parlament ka qenë komisioni hetimor për inceneratorët. Një punë në grup që u finalizua me padinë e qepur më së miri në Spak dhe me një raport final. Këtë raport flamurtari i Foltores për inceneratorët, Belind Këlliçi dhe deputetët e tjerë nuk e firmosën kurrë.

Sa për median dhe gazetarët, Ylli Rakipi ka qenë nga të vetmit që ka bërë emisione e ka publikuar fakte më së miri. Ndaj sot, ai nuk ka nevojë për avokati. Njerëzit kanë sy e vesh, madje dhe mendje për të gjykuar pa u ndikuar nga Syri i Berishës. E sa për ti bërë qesharakë më shumë se ç’janë jam e sigurt se ai ja del më mirë se unë.

Shqiptarët jo më larg se një vit nuk do votojnë as për Ylli Rakipin dhe as Çlirim Pekën. Ata do zgjedhin mes qeverisë dhe alternativës së opozitës. Dhe kjo e fundit me copëzën që drejton nga ballkoni po u tregon qartas se korrupsioni ka emër dhe mbiemër, Sy dhe veshë. Madje ka dhe TV. Që megjithë sforcot për të shpallur armiq të brendshëm nuk do ja dalë kurrë të bindë shqiptarët që ka moral për të bërë opozitë siç duhet. Thjesht po u tregon se diferenca ndodhet mes disave të janë më shumë e disa të tjerë më pak të korruptuar. Sa për këtë, ja kanë dalë të na i tregojnë më së miri!

Exit mobile version