“Nuk e njoh Artan Gaçin”- Tjetërsimi i pronave në Himarë, pse GJKKO i ndryshoi masën e sigurisë ish-drejtorit të Kadastrës Vlorë! Jorgo Goro në burg, 2 ende në kërkim

Gjykata e Posaçme la dje në fuqi masën sigurisë “Arrest në burg” për kryebashkiakun socialist të Himarës, Jorgo Goro, i arrestuar për tjetërsim pronash.

Për Vezir Gjikokën është lënë në fuqi masa “arrest në shtëpi”, ndërkohë GJKKO ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj, Bilbil Aliajt, i cili është lënë në detyrim paraqitje. Goro akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me pronën ku Artan Gaçi, ish-deputeti socialist dhe bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, po ndërton një investim strategjik në miliona euro.

SPAK e akuzon Goron se ka shpërdoruar detyrën në dy episode, në të parin duke shmangur Këshillin e Qarkut për sipërfaqen prej 5512 metra katrorë tokë dhe mbi bazën e dokumentit të tij, toka u regjistrua në Kadastër në kundërshtim me ligjin dhe më pas iu shit nga Stavri Mëhilli ish-deputetit Gaçi, me një vlerë relativisht të ulët krahasimisht me tregun.

Stavri Mëhilli e kishte siguruar pronën përmes dokumenteve false e për këtë, ai është shpallur në kërkim, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Kryebashkiaku në detyrë i Himarës akuzohet edhe për sipërfaqen prej 5080 metra katrorë, që po ashtu në finale ka kaluar në duart e bashkëshortit të Olta Xhaçkës. Në lidhje me këtë sipërfaqe, ai e ka kaluar përgjegjësinë tek Drejtoria e Menaxhimit në tokës.

Goro ka deklaruar para prokurorëve, se thjesht ka firmosur kthim përgjigjen si titullar institucioni drejtuar Kadastrës së Vlorës pas përpilimit të dokumentacionit nga drejtoria përkatëse. Por sipas SPAK, Goro në bashkëpunim me Jerasimo Bashin, në atë kohë drejtori i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, pa kryer verifikime kanë përcjellë dokumente të falsifikuara pranë organeve kompetente dhe mbi bazën e tyre, ka bërë të mundur regjistrimin e sipërfaqes prej 5512 m2 tokë bujqësore pronësi shtet në favor të subjektit “Pribta”.

Prokuroria thotë më tej së ka kryer veprime faktike në terren të sipërfaqes së tokës bujqësore prej 5080 metra katrorë duke ia mbivendosur atë një pasurie toke shtet. Jerasimo Bashi dhe Stavri Mëhilli nuk janë gjetur ende nga policia, ndaj masat e sigurisë për ta nuk janë ekzekutuar.

HETIMI

SPAK bëri me dije dy ditë më parë se gjithë skenari i tjetërsimit për sa i takon regjistrimit të sipërfaqes së tokës truall prej 5512 m2, pronës me dokumente false, ka qenë me qëllim shitjen e saj tek Artan Gaçi. “Rezulton të jetë përdorur nga shtetasi Stavri Mëhilli me qellim regjistrimin e pronës, shitjen, më pas përfitimin e të hollave sipas çmimit të rënë dakord në kontratën e shitjes me palë blerëse përfaqësuesin e personit juridik, shtetasin Artan Gaçi.

Nga ana tjetër, procesi i regjistrimit të pronës në fjalë është mundësuar dhe përfunduar nga veprimtaria e kundërligjshme dhe të pabazuara në asnjë verifikim apo akt zyrtar, si dhe në tejkalim të kompetencave të organeve të qeverisjes vendore nga funksionarët publikë të Bashkisë Himarë si dhe nga veprimet në kundërshtim me ligin te nëpunësve të ZVRPP Vlorë/ASHK Vlorë”.

Ndërkohë që u mësua se në fakt Goro i ka mohuar akuzat para prokurorëve, po ashtu siç edhe drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Bilbil Aliaj, i cili para Gjykatës së Posaçme ka thënë se: “Nuk kam pasur asnjë kontakt apo njohje me investitorin Artan Gaçi, apo me persona të tjerë të lidhur me të. Nuk kam pasur sugjerime, udhëzime apo ndërhyrje lidhur me këtë çështje përfshirë dhe Jorgo Goron. Më ka ardhur një praktikë si titullar, e përpiluar nga punonjësit përkatës, siç ndodhë zakonisht ku janë ekspertët dhe stafi përpilues, të cilën e kam firmosur si titullar. Kërkoj masë më të butë sigurie si detyrim paraqitje”!

Sipas SPAK, kreu i Kadastrës së Vlorës, Bilbil Aliaj dhe juristi Vezir Gjikoka, asokohe ‘kanë pranuar dokumentacionin ligjor dhe lëshuan një vërtetim nga dokumentet hipotekorë, duke kryer regjistrimin fillestar të tokës në favor të Foto Mëhillit dhe më pas të trashëgimtarëve të tij’!

Exit mobile version