Nuk është Rusi, Bablok: Drejtësi ia thonë emrin!

Që shigjeta e korrupsionit anon nga të vetët, nuk është faji i drejtësisë së re. Që një pjesë e mirë e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë sot janë në burg, sërish nuk është faji i drejtësisë së re. Ama që gjuha e përdorur sot nga Kryeministri i Shqipërisë është e papranueshme, është gjuha e një njeriu në hall, që fundin e ka afër dhe që duket pa shpëtim, kjo po është pasojë e drejtësisë së re.

Edi Rama sot, nën avujt e tërbimit nga një situatë që i ka dalë nga kontrolli, si kurrë me parë dhe si asnjë precedent i njohur në  historinë e demokracisë, i është sulur drejtësisë. Ai ka kaluar çdo kufi duke bërë krahasime me Rusinë, më saktë me drejtësinë e Vladimir Putin, pse gjoja kjo drejtësia jonë i degdis në burg hajdutët. Daljen nga kontrolli, Rama e ka justifikuar me faktin se administrata shtetërore, gjoja na qenka intimiduar prej vendimeve të gjykatës speciale, për të çuar zyrtarët hajdutë pas hekurave.

Këto ka thënë sot Kryeministri,  në ato “live”-t e veta, ku del e flet me vete mes dalldisë së vjedhjeve që po i dalin në sipërfaqe e frikës se ka ardhur radha e tij.

E meqë Babloku sot ka shkuar shumë larg i duhen kujtuar disa të vërteta:

E para, është e vërtetë se administrata shtetërore sot është, jo e intimiduar, por e tmerruar. Por jo nga drejtësia. Është e tmerruar dhe ka mbetur bosh dhe askush nuk pranon të punojë në të, sepse ministrat, zv.ministrat, drejtorët dhe sekretarët e përgjithshëm i detyrojnë të plotësojnë letrat e vjedhjeve të tyre. I detyrojnë të firmosin nën kërcënimin e bukës së fëmijëve. Prandaj ikin dhe nuk pranojnë të jenë vartësit e tu, Bablok.

Pikërisht kjo drejtësi, që ty të duket si e Putinit, u jep shpresë që ata të ikin e të presin ditë më të mira.

E dyta, Kryeministri ka thënë sot edhe se SPAK është shpresa e vetme e opozitës për të goditur maxhorancën. Mirë e ke sërish Bablok, por interpretimi nuk është ai që mundohesh me zor të madh të bësh. Opozitës ia ke lehtësuar rrugën, ti o Bablok. Ke vjedhur, vrarë e i ke hapur dritën jeshile krimit dhe kriminelëve aq shumë, sa opozita s’ka fare nevojë të lodhet që të vijë në pushtet. Boll të numërojë bashkëpunëtorët e tu që janë në burg, dhe e ka rrugën e pushtetit të shtruar. Ndaj, mendoje edhe një herë këtë punë.

Dhe e treta: Si ke thënë Bablok? “Zonja e drejtësisë i ka sytë me gjak”. Jo or jo, nuk i ka me gjak. I ka të lodhur nga qindra dosjet që ti dhe të tutë i keni vënë përpara dhe të mjerës drejtësi i duhet të marrë veten nga çfarë faktesh ka përpara, me miliarda vjedhje, kërcënime për vrasje dhe përdorim çmendurak të pushtetit. Drejtësia nuk i ka sytë me gjak Bablok, i ka vigjilentë dhe duke bërë gati vendimet e radhës, për njerëzit tuaj më të afërt, e më pas, për ty që ke aq shumë mëkate për të paguar, sa edhe vetë drejtësia do të vihet në vështirësi për llojin e vendimit që do t’i duhet të marrë./Pamfleti

Exit mobile version