Lidhja mes Ramës dhe Berishës nuk është vetëm frika e përbashkët që kanë ndaj SPAK, apo bashkimet e votave në parlament për amnistinë dhe mbylljen e listave, por edhe një armiqësi e pandërprerë me Lulzim Bashën. Ashtu si Rama që sajoi lajmin e rremë për aksidentin e kreut të Demokratëve Euroatlantikë, sot në kuvend deputetit i Berishës Asllan Dogjani, përdori emrin e Bashës në një shaka pa krimë, për të mbuluar gafën e mëparshme me emrin e deputetit Fadil Nasufi.
Ndërsa po zhvillonte interpelancën me ministrin e Brendshëm për një çështje shumë sensitive,
vetëvrasjen e një 17-vjeçareje në Gjirokastër ditë më parë, deputetit i Berishës kërkoi të shkaktojë hilaritet në sallë me vrasjen, duke dëshmuar një atrofizim të ndjeshmërisë publike dhe përgjegjësisë politike edhe në sallën e parlamentit, ku halli që mbizotëron janë hetimet e SPAK dhe lëpirja për një vend në listë të mbyllur, për të cilin janë gati të heqin dorë nga çdo cipë.
Fillimisht ai kujtoi vrasjen e një personi (Bujar Nasufit), por në lapsus tha “vrasja e Fadil Nasufit…”. në sallë për pak sekonda pati ilaritet, pasi Fadil Nasufi është deputet socialist në Parlament, i qarkut të Beratit, ish-kryebashkiak.
Ndërsa të pranishmit shpërthyen në të qeshura dhe i kujtuan gafën, Dogjani kërkoi ndjesë, jo në shqip, por në anglisht:
“Sorry, sorry….” (më vjen keq, ndjesë), tha ai.
Duke vijuar fjalën, teksa të qeshurat e kolegëve vijonin, Dogjani iu drejtua kolegut Nasufi:
“Fadil, do të të zgjatet jeta…”.
Por për të devijuar më tej vëmendjen, duke vijuar edhe batutat në parlament, Dogjani jo pa qëllim kujtoi edhe një ‘viktimë’ tjetër.
“Vrasja e Lulzim Bashës…”, tha ai dhe të qeshurat vijuan. Teksa shtoi: “Këtë e thashë për humor...”.
Në këto raste thuhet se personave të anatemuar u shtohet jeta, ndërsa hallexhinjve të SPAK-ut po iu mbaron vaji i kandilit./alfapress