“Nuk i besoj Trump, por idetë e tij janë të duhurat”

Më 20 janar ka filluar zyrtarisht mandati i Donald Trump si President i 45-të i Shteteve të Bashkuara dhe Stephen Walt duhet të jetë i kënaqur. Docent i Politikës Ndërkombëtare në John F. Kennedy School of Government të Harvard University, Walt është një prej eksponentëve më të shquar të shkollës realiste në fushën e diplomacisë dhe idetë e tij nuk janë dëgjuar shumë (eufemizëm) nga anët e Shtëpisë së Bardhë këto 8 vitet e fundit. Teoria sipas së cilës i ftohti i madh midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë nuk i duhet veshur agresivitetit të Putinit, por asaj (lexo NATO-s) që është zgjeruar në mënyrë të rrezikshme në Lindje derisa të provokojë reagimin e pashmangshëm të Moskës, nuk është marrë asnjëherë në konsideratë. Qysh nga rënia e Murit të Berlinit, Aleanca Atlantike ka përfshirë Republikën Çeke, Hungarinë, Poloninë, Bullgarinë, Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Rumaninë, Sllovakinë, Slloveninë. Pastaj, në vitin 2008, njoftimi se edhe Gjeorgjia e Ukraina do të futeshin në orbitën perëndimore.
Të mendosh se Moska do ta pranonte këtë rrethim me një buzëqeshje, thekson Walt, ka qenë jashtëzakonisht “naive”. Veç të tjerash, përplasja me Putinin e ka hutuar Amerikën nga prioriteti i vërtetë i saj: kundërshtimi i Kinës, ndoshta duke spostuar drejt Azisë forca dhe kapitale të përdorur për mbrojtjen e Europës. Këto masa pothuajse janë injoruar. Të paktën, deri më tani. Pasi Trump duket se e ka shkruar programin e tij duke kopjuar librat e Walt: raporte më të mira me Rusinë, dorë e ashpër me Kinën, braktisje të aleatit europian në fatin e tij. Megjithatë, docenti i Harvard nuk është i kënaqur as edhe tani. Walt ka bërë një fushatë të pamëshirshme kundër Trump, sepse vetëm një gjë është më e bezdisshme sesa t’i shikosh të neglizhuara idetë e tua: të mësosh se janë përqafuar nga një president “i paparaqitshëm, i paparashikueshëm, i papërgatitur, instinktiv, hakmarrës dhe kokëshkretë”, i urryer nga të gjitha gazetat më të rëndësishme të botës. Por nuk ke çfarë i bën. Ankthi më i madh i Walt është bërë tashmë realitet dhe megjithëse nuk i beson Trump, për revistën “Tempi” shpjegon se pse “idetë e tij janë ato të duhurat”.

– Profesor, cilat janë prioritetet e Shteteve të Bashkuara në politikën e jashtme?
Më i rëndësishmi është raporti me Kinën, pasi është rivalja e vetme potenciale ndaj dominimit amerikan. Prioritete dytësore janë paqëndrueshmëria e vazhdueshme e Lindjes së Mesme, brishtësia e Bashkimit Europian, raportet me Rusinë dhe kërcënimi afatgjatë i ndryshimeve klimaterike.

– Pse gjatë viteve të fundit janë përkeqësuar kaq shumë raportet me Rusinë?
Besoj se motivi kryesor është ekspansioni i NATO-s në Lindje, të cilin e kanë pasuar përpjekjet për t’i tërhequr vende si Ukraina në orbitën perëndimore. Edhe tentativa për të ndryshuar disa qeveri në Lindje të Mesme nuk ka ndryshuar. Kjo ka përfunduar duke provokuar një reagim të ashpër nga ana e Moskës. Ja si kemi arritur deri këtu.

– NATO-ja ka qenë tepër agresive apo, siç përsërisin Barack Obama dhe shumë liderë perëndimorë, është faj i neoimperializmit të Putinit?
“Agresive” nuk është fjala e duhur. NATO-ja dhe Bashkimi Europian kanë qenë naivë. Besonin se zgjerimi drejt Lindjes ishte një akt dashamirës që do të favorizonte vende si Ukraina dhe Gjeorgjia. Nuk kanë menduar se bëhej fjalë edhe për një kërcënim ndaj Rusisë. Problemi këtu nuk është ajo që “ne” mendojmë, por ajo që besojnë liderët rusë. Kemi harruar se fuqitë e mëdha janë gjithmonë të ndjeshëm ndaj kufijve të tyre dhe të shikuarit e aleancës më të fuqishme ushtarake të botës që lëvizte gjithnjë e më shumë drejt Lindjes nuk ka sesi të mos e alarmonte Putinin.

– Është vërtet Kina një kërcënim për Amerikën?
Janë akoma shumë më të dobët sesa ne, sidomos nga pikëpamja ushtarake. Por potenciali i tyre po rritet, sidomos në zonat afër me vetë Kinën. Ja pse Shtetet e Bashkuara po i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje Azisë dhe duhet të vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë.

– Çfarë mendoni për objektivat e politikës së jashtme të Trump?
Përmirësimi i raporteve me Rusinë dhe impenjimi akoma më shumë për të frenuar Kinën në vetvete është i drejtë.

– Por…
Por kjo qasje duhet realizuar me maturi dhe i duhet shpjeguar në detaje popullit amerikan dhe aleatëve të tij. Përndryshe, do të dukej se po i shisnim aleatët tanë për t’i bërë qejfin Putinit.

– Nuk i besoni shumë Trump apo jo?
Jo, nuk i besoj pasi nuk duket se është një kuptues i hollë i politikës ndërkombëtare dhe nuk duket i interesuar për të vërtetën. Marrja e vendimeve politike duke u bazuar në informacione false apo ide të gabuara është mënyra më e mirë për të shkaktuar një katastrofë. Veç kësaj, Trump më duket i paparashikueshëm, nxehet shpejt dhe kjo nuk është cilësi e dëshirueshme për një lider.

– Le të shtiremi se Trump ju ka zgjedhur si këshilltarin e tij. Çfarë do t’i sugjeronit?
Para së gjithash do t’i thoja që të lejonte që posti i SACEUR, Komandantit Suprem të NATO-s në Europë, të mund të merret nga një oficer ushtarak europian. Mund të fillohet kështu aksioni i çimpenjimit amerikan në Europë. Pastaj do ta këshilloja që t’i jepte fund luftës në Afganistan dhe t’ja linte pataten e nxehtë të ISIS-it aktorëve lokalë në rajon. Kështu mund të përqendrohet tërësisht mbi Azinë.

– Do të jetë ende Europa një partnere e rëndësishme për Amerikën?
Nga pikëpamja tregtare, patjetër. Europa është aleate edhe në disa zona me interes të përbashkët, si aktivitetet antiterrorizëm. Ama është një kontinent i pasur që mund t’ja lejojë vetes që të mbrohet vetë. Mund ta bëjë pa vështirësi dhe është momenti tani që të nisë e ta marrë seriozisht këtë detyrë: nuk mund të mbështetet gjithmonë tek Uncle Sam.

– Nëse do t’ju duhej të vinit bast 1 dollar, si besoni se do të evoluojnë me Trump raportet midis Shteteve të Bashkuara nga njëra anë dhe Kinës e Rusisë nga ana tjetër?
Jam i gatshëm që të vë shumë më tepër! Marrëdhënia me Kinën do të jetë gjithnjë e më e tendosur, si në fushën ekonomike, ashtu edhe në atë strategjike. Kurse raportet me Rusinë mund të përmirësohen, por që kjo të ndodhë është e nevojshme që të dyja palët të tregojnë një shkallë të caktuar durimi dhe imagjinate. Duhet të jenë të gatshme për “të jap që të më japësh”.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakTrump në Filadelfia, rendit aspiratat kryesore politike
Artikulli tjetërRevolucioni në Greqi nuk po duket