Nga Vehap Kola
Sot, disa gazetarë publikuan të dhënat për shpenzimet në reklama në Facebook nga dhjetë kandidatët më aktivë në rrjetet sociale gjatë kësaj fushate. E kuptueshme. Transparenca mbi shpenzimet është e rëndësishme dhe çdo kandidat duhet të bëjë transparente fondet që përdor.
Por ajo që mungon me ulërimë, është heshtja e plotë për një të vërtetë shumë më të hidhur, më të errët dhe më të rëndësishme për integritetin e zgjedhjeve: milionat e dollarëve dhe eurove që paguhen në mënyrë informale, cash, për të blerë kohë televizive në mediat konvencionale.
A e di publiku se sa kërkon një televizion për 30 minuta kohë televizive në orarin e shikueshmërisë së lartë?
A ka parë publiku ndonjëherë ndonjë faturë që justifikon pjesëmarrjen e kandidatëve në show-t më të ndjekura të prime time-it?
Sa dhjetëra mijëra euro janë paguar nën dorë nga disa kandidatë për të patur akses në ekranet më të rëndësishme?
Dhe më tej, a ka ndonjë investigim nga gazetarët për origjinën e këtyre parave?
A e ka pyetur ndonjë gazetar ndonjë televizion për marrëveshjet që lidhen në prapaskenë me partitë politike apo me drejtues të fushatave zgjedhore?
Apo ndoshta, është pikërisht media që përfiton dhe ndaj hesht?
Financimi i mediave gjatë fushatave është po aq i rëndësishëm dhe po aq problematik sa financimi i partive politike. Në fakt, në shumë raste, të dyja ndërlidhen drejtpërdrejt: paratë e partive që nuk kalojnë nëpër banka, marrëveshjet që nuk janë të dokumentuara, ndërmjetësit që ushtrojnë presion mbi kandidatët për të paguar, shpesh në dorë, etj.
A nuk përbën kjo një skemë potenciale të pastrimit të parave?
A nuk është kjo një shkelje flagrante e parimeve të transparencës dhe barazisë në garë?
Nëse do të kishim gazetarë të vërtetë, këto do të ishin pyetjet e ditës. Këto do të ishin hetimet që do të bënin bujë. Jo listat sipërfaqësore të shpenzimeve transparente në rrjetet sociale.
Bashkë me hetimin për blerjen e votës në terren, është koha që SPAK të hetojë edhe shit-blerjen e kohës televizive. Kush ka paguar? Sa? Për kë? A janë këto para të deklaruara? A janë ndoshta të njëjtat para që vijnë nga burime të paligjshme? A është përfshirë media në këtë zinxhir të errët?
Transparenca në Facebook është lehtësisht e gjurmueshme. Të publikosh të dhëna të tilla është punë krejt e thjeshtë, që nuk kërkon ndonjë investigim të madh. Profesionalizëm është të hedhim dritë mbi atë që nuk është e dukshme: marrëdhënien e dyfishtë dhe të dyshimtë midis politikës dhe mediave.