Nuk ka armëpushim

Nuk amnistohet

Bledi KASMI

Në dy daljet e tij të fundit para publikut Kryetari i opozitës, Basha ka deklaruar me ton të prerë politik largimin e Ramës.
Deklarata e parë erdhi vetëm pak orë pas dorëheqjes së ish-Kryebashkiakut të Kavajës të dënuar nga drejtësia italiane për përdhunim në grup, dënim, i cili i bashkëngjitet edhe dënimeve të mëparshme të tij për trafik droge dhe prostitucion.
Basha kërkoi largimin e Ramës “si e keqja kryesore që ka sot vendi për prurje të tilla kriminale, si rasti i Kavajës dhe shumë raste të tjera”.
24 orë pas kësaj deklarate, Basha ruajti të njëjtat tone kundër Ramës kur tha dje se, “Rama është tutori i Elvis Roshit”.
Mesazhet që Basha ka dhene gjatë këtyre 48 orëve të fundit shkojne në anën e kundërt të propagandës së Ramës.
Kryeministri është në një nga momentet më të vështira të këtyre tre viteve në qeverisje dhe në kuotat më të ulëta të kredibilitetit.
Ndërsa kriminelët po i ikin një e nga një, ai po synon që ta zhvendosë vëmendjen e opinionit në një takim me Kryetarin e opozitës për reformën në drejtësi.
Mediat afër tij përgjatë gjithë ditës së djeshme kishin si lajm kryesor pikërisht detajet e papërcaktuara për takimin, duke anashkaluar në plan të dytë megaskandalin e përdhunuesit Roshi që u detyrua të japë dorëheqjen pas zbardhjes së dokumentit nga drejtësia italiane.
Përmes një propagande të tillë, Rama po përpiqet t’i japë ngjyra të tjera politike takimit me Bashën. Duke kuptuar lojën e Ramës, Basha jo vetëm që nuk ka lënë shteg që të mendohet se do të lehtësoje pozitat e Rames.
Mesazhi i Bashës është i qartë, “armëpushim nuk do të ketë” me Ramën pavarësisht se një takim mes kreut të opozitës edhe atij të mazhorancës e imponon dialogu që kërkon Komisioni i Venecias për Reformën në Drejtësi.
Ky takim nuk e amniston Ramën nga asnjë prej megaskandaleve të tij. Nuk e bën opozitën të heshtë përballë lukunisë së kriminelëve që ai ka futur në të gjitha institucionet, duke nisur nga Parlamenti dhe më tej tek Kryetarët e Bashkive. Nuk mund ta zbrapsë opozitën nga beteja me koncesionet klinteliste korruptive, nga qindra afera të tjera të vjedhjes me tenderat, nga shndërrimi i vendit në një plantacion gjigant droge dhe mbi të gjitha nga beteja për zgjedhje të lira dhe garantimi i votës së lirë të shqiptarëve.
Takimet mes krerëve të opozitës dhe mazhorancës ndodhin për të zgjidhur kriza të rënda dhe për të evituar kosto të rënda. Zakonisht këto takime prodhojnë një hapje të krahut të pushtetit ndaj opozitës, jo si Pazar, por si imponim nga rrethanat politike të krijuara, duke garantuar kushte të barabarta në një proces zgjedhor.
Kështu ka ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre 15 viteve të fundit dhe jo vetëm këtu. Berisha shtrëngoi duart me opozitën socialiste në marsin e ’97, duke evituar një përplasje civile dhe duke i bërë të qartë liderëve të rebelimit të atyre ditëve se pushteti nuk merret me grykën e pushkës, por me votë. Kështu ka ndodhur edhe kur Nano shtrëngoi duart me Berishën për t’i hapur rrugën tranzicionit të butë të pushtetit nga socialistët tek demokratët.
Kjo nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri. Rasti i fundit është ai i Maqedonisë, ku takimi mes kreut të qeverisë dhe kryetarit të opozitës çoi në dorëheqjen e Kryeministrit Gruevski, në vënien në punë të Prokurorisë Speciale dhe në përgatitjen e vendit për zgjedhjet e reja të parakohshme, pavarësisht problematikës së atjeshme sot.
Askush nuk mund të thotë se çfarë do të prodhojë takimi mes Bashës dhe Ramës, por ajo që mund të thuhet duke parë eksperiencat e përgjithshme politike, duke parë krizën e rëndë morale dhe degradimin e institucioneve është se vendi po shkon drejt një rrotacioni politik të pashmangshëm dhe problemi më madhor i demokracisë sot është vota e lirë.
Po kaq e rëndësishme është që sot të kemi një produkt për një drejtësi të pa kapur nga pushteti, pasi kjo do të ishte fundi i demokracisë dhe kalimi në një diktaturë të oligarkëve dhe krimit të organizuar. Rama ka dëshmuar se nuk tërhiqet prej kësaj ëndrre që mund t’i sigurojë atij pushtet të përjetshëm, ndërsa për opozitën, një drejtësi e pavarur është vija e kuqe, e cila nuk do të mund të shkelet.
Rama nuk është më një Kryeministër me këllqe të forta si tre vjet më parë. Abuzimi me pushtetin dhe flirti i tmerrshëm me krimin e organizuar e kanë kthyer atë në një kufomë politike. Kryetarit të PS i kujtohet shumë mirë, se në ditën më të mirë politike të tij, pas 8 vitesh në opozitë në vitin 2013, ai mori vetëm 63 vota. Ndërsa sot, pas tre vitesh të një pushteti të një mijë e një të zezave, ai e ka të qartë se nuk mund të marrë as 50 deputetë.
Përpëlitjet e Ramës janë ato të një të mbyturi që kërkon fijen e kashtës për të shpëtuar. Drejtësia nuk mund të jetë arka që mund të bëjë Ramën profet të rremë përmes kapjes së saj.

Artikulli paraprakRama në krye të detyrës, ekspozon zyrën me flutura në Napoli
Artikulli tjetërItali, Kamza nënshkruan marrëveshje binjakëzimi me 6 bashki europiane