Nga Vehap Kola
Nuk blej nga një dyqan që i ka punëtorët të pakënaqur. Ky është parimi që mundohem të zbatoj në treg.
Një kompani që nuk kënaq punëtorët e saj, nuk mund të kënaqë klientët e saj. Ju mendoni se një punëtor i pakënaqur do t’ju shërbejë si i ka hije punës?
P.sh., blej nga marketi i lagjes ku burrë e grua punojnë për familjen e tyre. Për gjërat që nuk i gjej aty, shkoj i detyruar te supermarketi ku punonjësit trajtohen si skllevër. I dallon nga arrogamca e supervizorit, nga uniformat e varfra dhe të pista, nga shëndeti shpeshherë i keq.
Përpara se të regjistrosh fëmijën në shkollë, bisedo me një mësues në atë shkollë, a është i kënaqur? A paguhet puna e tij me ndershmëri? A respektohet dinjiteti i tij? A mbështetet misioni i tij?
Për mësues të pakënaqur kemi shkollat publike, nuk kemi nevojë të blejmë me lekë pakënaqësinë tonë për të mbushur xhepat e pangopur të dikujt tjetër.
Akoma nuk ka ardhur koha që puna të respektohet dhe të vlerësohet? Shqipëria po zbrazet nga përpjekjet e përbashkëta të qeverisë dhe biznesit për ta plaçkitur sa më shumë.
Konfuci ka thënë që të jesh i pasur në një vend të padrejtë është e turpshme. Por ne akoma ia vëmë fajin kamarierit që nuk gjen forcë të buzeqeshë kur na merr porosinë.