Nuk ka hapa fals!

Fitorja 0-8 në Riazor riktheu në një farë mënyre qetësinë në shtëpinë e Barcelonës pas asaj krize që përfshiu skuadrën blaugrana për disa javë. Gjithsesi, ai sukses ndaj Deportivos duhet të hidhet menjëherë pas krahëve nga Barcelona, pasi këtë të shtunë të besuarit e Luis Enriques do të sfidojnë në “Camp Nou”, Sportingun e Gijonit, një skuadër që lufton për mbijetesë, së cilës trajneri asturian nuk i zë aspak besë.
“Ndodhemi në një situatë të rrezikshme. Surprizat janë të shumta dhe për këtë nuk ka të bëjë fare klasifikimi. Sportingu i Gijon-it po zhvillon një sezon unik, dhe për mendimin ka shanse të mira të sigurojë qëndrimin në Primera, pavarësisht pozicionit në të cilin ndodhet në renditje. Unë me zemër jam një tifoz i kësaj skuadre më pëlqen ky ekip, sepse reflekton, shpirtin e një qyteti”.
Më pas, Luis Enrique foli edhe për brazilianin Neymar, i cili nuk do të marrë pjesë në Kupën e Amerikës me kombëtaren braziliane, por vetëm në Lojërat Olimpike.
“Kritikat e shtypit ndaj Neymar? Nuk e di nëse janë treguar të padrejtë me të, pasi nuk e kam zakon të lexoj shtypin. Fakti që nuk do të luajë në Kupën e Amerikës më duket vendimi më i drejtë për të dhe për klubin. Unë aktualisht e shoh Neymar-in në një formë shumë të mirë”.
Kanë mbetur edhe pesë javë deri në fund, të cilat do dhurojnë emocione të forta në garën për titullin kampion të Spanjës. Vetëm pak kohë më parë dukej se ishte një “luftë me mullinjtë e erës”, duke parë ecurinë e shkëlqyer të Barcelonës, diferencën e pikëve dhe formën e mirë fizike. Por, në mënyrë të befasishme, katalanasit ranë në një krizë totale, si në rendiment, ashtu edhe në rezultate. Kaq mjaftoi që Atletiko e Madridit ta barazojë me pikë, ndërsa Reali të jetë vetëm një pikë më pak.
Nejmar është vënë në shënjestër të krizës së Barcelonës, veçanërisht pas humbjes së fundit me Valencian, ku shpërtheu edhe lajmi se ai nuk shkon mirë me Mesin. Prandaj, rivalët e katalanasve janë gati të përfitojnë nga situata e krijuar. Sipas tabloidit britanik, “Daily Star”, drejtuesit e Barçës janë të gatshëm të hyjnë në bisedime për shitjen e sulmuesit brazilian.
Në “pole position” vazhdon të mbetet Mançester Junajtid, që në të shkuarën bëri edhe një ofertë prej 150 milionë paundësh (190 milionë euro), e cila korrespondon edhe me klauzolën e prishjes së kontratës së lojtarit. Por, përveç anglezëve, të interesuar për kapitenin e “Seleçaos” janë edhe francezët e PSG-së, kështu që “djajtë e kuq” duhet të mposhtin konkurrencën me skuadrën e Al-Khelaifit. Katalanasit kanë refuzuar çdo ofertë të klubeve të interesuar deri më sot.

Artikulli paraprakDudek: Doja t’i jepja një grusht Benitezit
Artikulli tjetërRiver Plate avancon në Copa Libertadores