Nuk ka kthim pas!

“E kam vendosr, do të largohem nga Reali. Nuk ka kthim pas”. Sipas gazetës madrilene “Marca” janë këto fjalët e Cristiano Ronaldos, që ua ka thënë në konfidencë shokëve të skuadrës në kombëtaren portugeze që ndodhet e grumbulluar në Rusi për Kupën e Konfederatave, duke konfirmuar kështu lajmin e thënë nga “A’Bola”, mëngjesin e së premtes.
Një zgjedhje që sigurisht nuk mbështetet në arsye sportive, pasi CR7 gjatë sezonit të fundit fitoi Primera Division dhe Championsin e 12-të me Los Blancos, por te sjellja jo gjithmonë e pranueshme nga ana e portugezit e tifozërisë së Realit dhe nga rasti i fundit që lidhte me akuzat e Prokurorisë për evazion fiskal.
Ndoshta qëndrimi indiferent i klubit për këtë çështje duke mos e mbrojtur publikisht 32-vjeçarin ka qenë pika që mbushi kupën. Tashmë Ronaldo është gati të dëgjojë të gjitha ofertat e klubeve të mëdha europiane për të vendosur se ku do ta vijojë karrierën. I pari në listë është Manchester United, me tifozët e “Djajve të Kuq”, që kanë nisur të ëndërrojnë për rikthimin e CR7.
Sigurisht që Reali nuk mund ta mbajë me pahir një lojtar të këtij niveli, por do të bënte gjithçka për të përfituar sa më shumë nga shitja e tij. Klubi spanjoll nuk ka nxituar për të mbajtur një qëndrim zyrtar për këtë çështje, pasi Ronaldo është nën kontratë. Skuadra që dëshiron të marrë shërbimet e 4 herë Topit të Artë duhet të përgatitet për të shpenzuar rreth 400 milionë euro.
Sipas të përditshmes sportive katalanase “Mundo Deportivo”, Manchester United është padyshim një nga destinacionet më tërheqëse për Cristiano Ronaldon, i cili ka vendosur të largohet nga Real Madrid. Prania e Jose Mourinhos në stolin e klubit anglez më herët është parë si pengesë për rikthimin e portugezit në “Old Trafford”.
Mourinho dhe Ronaldo kishin prishur raportet në vitin 2013. Por, “Mundo Deportivo” shkruan se tani raportet mes dy portugezëve janë të mira. Thuhet se Mourinhon dhe Ronaldon i ka pajtuar menaxheri Jorge Mendez, i cili është përfaqësues i të dy portugezëve. Ribashkimi mes Jose Mourinhos dhe CR7 në të njëjtin ekip duket më afër se kurrë. Kjo është një çështje parash.
Raportimi nga gazeta sportive portugeze, “A ‘Bola”, se Cristiano Ronaldio dëshiron të largohet nga Real Madridi, ka aktivizuar menjëherë drejtuesit e Paris Saint-Germain. Sipas tabloidit britanik “Daily Mail”, drejtuesit e ekipit nga Parisi tashmë janë takuar me menaxherin e portugezit, Jorge Mendes, për të biseduar rreth një transferimi të mundshëm.
Paris Saint-Germain thuhet se është ekip që mund të përballojë blerjen e Ronaldos. Por, këtë të fundit e kërkon edhe Manchester United. Pritet të shihet se cili do të jetë vendimi i Cristiano Ronaldos. Për këtë portugezi do të vendosë më 3 korrik, pas finales së Kupës së Konfederatave.

Exit mobile version