NGA BATO KOSOVA
Vetëm 81 ditë na ndajnë nga zgjedhjet politike të 11 Majit dhe ajo që bie në sy për njerëzit e stërvitur me zhvillimet politike, është dështimi spektakolar i Berishës përballë një mazhorance të shkalafitur si ajo e Edi Ramës, që pak ditë më parë humbi njeriun e dytë më të rëndësishëm të pushtetit, për një akuzë që fakton para shqiptarëve dhe ndërkombëtareve korrupsionin e socialistëve.
Kjo do të ishte dhurata më e madhe për çdo opozitë të shëndetshme, por për grupimin e Berishës, që gëzon ende privilegjet e zgjedhjeve të 2021-shit, pra të rezultatit të PD-së së Bashës, ky avantazh kthehet në një zero të madhe, sepse nuk kanë as moralin e as qëndrimet e duhura politike për të sfiduar Ramën, pasi tashmë perceptohen gjerësisht si ana tjetër e medaljes së pushtetit.
Mjafton të shohim degradimin e betejave publike të Berishës dhe të tijëve për të kuptuar pse ata nuk shihen si një alternativë, por si një shtojcë e qeverisë.
Mosbindja civile rezultoi një dështim spektakolar, sheshet bosh dhe objektivat politike të paarritshme, bën që ajo të arkivohet me turp. Askush nuk di më se, çfarë u arrit përmes saj, në shërbim të qytetarëve dhe interesit publik. Për të mos harruar se, për vite Berisha dhe tijët, anatemonin protestat e Bashës, të cilat i cilësonin si xhiro në bulevard, por ato që organizuan ata vetë, nuk arritën kurrë, as përmasat, as impaktin, që kishin ato të organizuar përpara se Berisha t’i mbivendoste interesin e tij personal, aksionit opozitar.
Basha për shembull arriti t’i impononte Ramës një qeveri teknike, ndërkohë, pasi u ngjirën për muaj me radhë për ta fituar atë përpara zgjedhjeve të 2025-ës, edhe këtë dështim e fshinë nga artikulimi, sepse nuk arritën asgjë.
“Betejën”, (Thonjëzat janë të domosdoshme sepse betejë nuk pati), për të bërë që emigrantët me dokumenta të huaja, e hodhën shumë shpejt në kosh, pasi arritën pazarin e radhës me Ramën, për të numëruar bashkë me PS-në, votat e diasporës, duke ia hequr këtë kompetencë KQZ-së, bashkë me disa arnime të tjera, të cilat qëndisën dashurinë mes Ramës dhe Berishës për të mbajtur marrëveshjen e tyre të 2008-ës, por pa sjellë asnjë përfitim pozitiv në interes të qytetarëve, të cilët do të gjejnë një sistem zgjedhor të përkeqësuar, ku ata nuk do të kenë mundësi të zgjedhin, por vetëm të votojnë.
Me këtë bilanc, Berisha shkon në zgjedhjet, në të cilat Ramën nuk e ka përballë, por në krah për të mbrojtur interesat e tyre të përbashkëta.
Për më tepër, që të dy kanë hequr dorë përfundimisht nga taktikat në përballjen e tyre me drejtësinë, duke hequr masjat dhe hapur një luftë frontale, me sulme që janë si dy pika uji, e që i bëjnë të duken si e njëjta parti, me të njëjtin program, me të njëjtën retorikë, me të njëjtat protesta kundër SPAK-ut, e që në këto zgjedhje kërkojnë të njëjtin rezultat, mbajtjen e status quo-së.
Dhe tani që kanë dallë cullak përballë opinionit publik për atë që janë, dy gurët e fundit të dominosë që kërkojnë t’i rezistojnë kohës dhe thagmave të tyre, zgjedhja për qytetarët duket fare e qartë, sepse nëse votojnë njërin, marrin edhe tjetrin. Nëse votojnë Berishën dhe komisionin e të vërtetës që ka propozuar, pra nisma e tij anti-SPAK, marrin Ramën me komisionin e tij Xhafaj, që synon vendosjen nën kontroll të drejtësisë. Nëse votojnë Ramën dhe trupën e tij të kamikazëve, që po përpiqen të shtrëngojnë radhët përballë furisë së drejtësisë që ka hyrë në oborrin e tyre të korruptuar, marrin në këmbim Berishën që ka të njëjtin hall me të.
Ata janë në simbiozë me njëri-tjetrin, pra nuk gjallojnë dot pa njëri-tjetrin, prandaj çdo votë më 11 Maj, duhet të jetë kundër tyre, sepse është e vetmja mënyrë për të rrëzuar planin e tyre të përbashkët për të mbajtur monopolin 34-vjeçar të politikës, që ka prodhuar shpopullim, varfëri dhe korrupsion./Alfapress.al