Brenda çadrës së rezistencës ku protesta vazhdon edhe natën

Nuk ka më kthim prapa! Protesta para Kryeministrisë do të vazhdojë pandërprerje natë-ditë. Për të përballuar të ftohtin protestuesit ngritën një çadër të madhe në Bulevard përballë Kryeministrisë. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në çadër ndodheshin rreth 1 mijë vetë për të vazhduar protestën edhe natën. Në fakt edhe qindra protestues të tjerë kërkonin që të qëndronin përgjatë gjithë natës në protestë, por për shkak të kapacitetit të çadrës, ishte e pamundur. “Donim të qëndronim edhe ne gjithë natën në protestë, por nuk kishte më vend në çadër. Na thanë se mund të bjerë shi natën dhe nuk kishim ku të futemi. Do të vijmë nesër në mëngjes dhe për çdo ditë”, u shprehën dy djem të rinj.
Në çadër sheh njerëz të moshave të ndryshme dhe tepër të entuziazmuar. Ata shprehen se janë të vendosur të qëndrojnë natë-ditë para Kryeministrisë derisa sa të realizohet kërkesa kryesore e opozitës. Largimi i Ramës dhe krijimi i qeverisë teknike për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Kjo do të jetë shtëpia jonë tani e tutje. Do të qëndrojmë derisa të largohet Rama dhe qeveria e tij. Nuk ka më kthim prapa”, u shpreh një burrë rreth të 40-ve.
Tek secili prej protestuesve sheh vendosmëri dhe revoltë kundër qeverisë. Shumë prej tyre thonë se papunësia i ka detyruar të dalin në protestë. “Papunësia na detyron të ikim jashtë, të punojmë. Papunësi gjithandej”, thotë një i ri. Ndërsa një i moshuar thotë se ka dalë në protestë për energjinë elektrike. “Për energjinë elektrike, na gënjeu poshtërsisht për çmimin. Ka qenë 95 lekë të vjetra, shkoi 114 lekë”, shprehet i revoltuar ai.
Një i moshuar tjetër nga një fshat i Librazhdit shprehet se, Rama e ka katandisur popullin si mos më keq. “Hajdeni në fshatin Gostimë dhe shikoni se çfarë bëhet. E ka katandisur këtë popull si mos më keq”, tha ai.
Dy të rinj protestues thonë se nuk do të largohen nga sheshi derisa të rrëzohet qeveria Rama. “Nuk do të shkulemi nga ky shesh deri në rrëzimin e qeverisë Rama”, thotë njëri nga të rinjtë. “Unë kam ardhur nga Lezha dhe nuk do të lëviz nga këtu deri sa të na japë përgjigje, ai të ikë nga kjo lloj qeverisje”, thotë i riu tjetër.

Basha flet nga çadra e protestuesve: Qëndresë deri në fitore!

Kryetari i PD, Lulzim Basha shkoi rreth 20:00 të mbrëmjes së djeshme tek protestuesit në çadër. Basha u shpreh se protesta do të vazhdojë deri sa të arrihet fitorja elementare, që është ajo e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Është fillimi i një lëvizje popullore. Ajo që mund ta krahasoj është ajo para 27 vitesh. Vendimi i madh që morën së bashku qytetarët shqiptarë. Largimin e kësaj qeverie dhe krijimin e një qeverie teknike. Ata do të rrinë derisa të realizojnë një të drejtë themelore që e kemi fituar me ligj përpara 27 vitesh, të drejtën për të zgjedhur vetë pushtetin. Mendoj se vullneti i qytetarëve është më i fortë se korrupsioni. Do të rrimë deri sa të arrijmë një fitore elementare. Kjo është mënyra e vetme. Çdo mundësi institucionale është ezauruar. Ky shtet ka humbur çdo legjitimitet. Ky është manifestimi më i madh popullor dhe është jo vetëm një shenjë besimi, por edhe shenjë e një ndryshimi të madh që po vjen, përtej kufijve të PD”, u shpreh Basha për mediat.
Më tej kryetari i opozitës u shpreh se, kjo është një forcë që nuk mund të ndalet. “Kam marrë mesazhe nga miqtë tanë ndërkombëtare që përshëndesin këtë protestë të qytetarëve. Kjo kauzë nuk është e Lulzim Bashës, nuk është e PD, është e shqiptarëve, zgjedhje të lira dhe të ndershme”, përfundoi Basha.

Banorët e Tiranës mbështesin protestuesit

Ndonëse po afrohet mesi i natës, në bulevard nuk ka më qetësi. Brenda çadrës protestuesit të vendosur për të mos u larguar asnjë çast nga sheshi, brohorasin dhe hedhin parulla kundër qeverisë, ndërsa jashtë saj sheh qindra qytetarë të Tiranës në mbështetje të tyre. “Do të qëndrojmë këtu edhe një orë dhe do të largohemi për në shtëpi. Ne kemi ardhur për të mbështetur vëllezërit tanë në protestë. Do të vijmë për ditë këtu”, u shpreh një burrë i moshuar. “Ishim këtu në drekë dhe erdhëm prapë tani për të mbështetur vëllezërit tanë. Këtu do të jemi për çdo ditë deri në orët e vona të mbrëmjes. Nuk mund ta durojmë më këtë qeveri të korruptuar”, shprehet një çift.
Një grup të rinjsh i afrohen çadrës dhe përshëndesin protestuesit brenda saj. “Jemi me ju! Këtu do të na keni për çdo natë”, thonë ata. Përgjatë gjithë bulevardit ka lëvizje qytetarësh, ndërsa brenda çadrës ka harmoni dhe gjallëri. Vetëm godina e Kryeministrisë rrethuar me perden e zezë ngjan si një gur varri. “Zezon Kryeministria ashtu si vetë kryeministri”, thotë një protestues. Protestuesit shpërthejnë në të qeshura. “Rama largohu”. “Ik, ik, ik”, dëgjohen brohoritjet në shesh.

Protestuesit në çadër

Brenda çadrës ka entuziazëm. Protestuesit janë miqësuar me njëri-tjetrin sikur të njiheshin prej vitesh. Ata vijnë nga Tirana e rrethe të ndryshme të vendit dhe kanë vetëm një qëllim: Largimin e qeverisë! Në mëngjes, protestës do t’i bashkohen mijëra protestues të tjerë.
“Kam ardhur, sepse nuk kam asnjë mundësi jetese. Burrë e grua jemi të papunë dhe nuk kemi asnjë mundësi për të ushqyer tre fëmijët tanë. Do të qëndrojmë këtu derisa të shporret kjo qeveri”, tha një burrë rreth të 50-ve.
“Unë jam nga Mallakastra dhe kam ardhur të protestoj kundër kësaj qeverie që e ka çuar vendin në mjerim. Jemi të zhgënjyer nga qeverisja e Ramës. Ai premtoi 300 mijë vende pune, por e shtoi edhe më shumë papunësinë. Në fshatin tim ka mjaft familje që mezi sigurojnë bukën e gojës. Vendi është kthyer më keq se në vitin 1990, ndaj kërkojmë largimin e kësaj qeverie”, u shpreh ai.
“Kemi ardhur për të protestuar kundër kësaj qeverie dhe për një qeveri që e ndihmon popullin”, tha një vajzë protestuese. Ashtu si ajo edhe dy shoqet e saj u shprehën se, qeveria e Ramës e ka çuar vendin në udhëkryq.
Edhe deputetët Aldo Bumçi, Asllan Dogjani dhe Roland Keta u shprehën se do të qëndrojnë pranë protestuesve.

Deputetët tek protestuesit

Bashkë me protestuesit në sheshin para Kryeministrisë ndodheshin edhe mjaft deputetë të opozitës. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Gruda Duma u shpreh se, reagimi i opozitës do të vijojë derisa kryeministri Rama t’i japë përgjigje problemeve që i ka krijuar vetë me qeverisjen e tij. “Do të qëndroj këtu me protestuesit. Do të jemi pas mesnate, do të bëjmë pak pushim dhe do të kthehemi prapë”, u shpreh deputetja Duma.
Deputeti Astrit Patozi theksoi, se PD dhe qytetarët janë të vendosur në kauzën e tyre për zgjedhje të lira e të ndershme, Patozi ndalet edhe tek shqetësimet kryesore të shqiptarëve. Patozi tha se, aktualisht qeveria shqiptare është e rrënuar, dhe “rri në këmbë” vetëm në sajë të numrave. “Në rast se qeveria do të rezistojë, edhe protesta do të jetë e gjatë. Uroj që qeveria të jetë e arsyeshme, dhe të pranojë një kërkesë legjitime, jo vetëm nga PD, por nga të gjithë qytetarët. Kjo është kauza e gjithë shqiptarëve, jo vetëm e PD. Ne kërkojmë zgjedhje të lira e të ndershme, asgjë më shumë se kaq. Ne kemi një qeveri tmerrësisht të dobët, që rri në këmbë vetëm me numra. Kemi një qeveri të rrënuar. Ndaj ne kemi shpresë sot, se protesta do të kthejë shpresë te shqiptarët”, u shpreh Patozi.
Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, që ndodhej në protestën brenda çadrës së vendosur pranë Kryeministrisë tha se, kjo forcë është bashkë me qytetarët në protestë për një motiv që është ai i garantimit të zgjedhjeve të lira e të pakontestueshme. Ai tha se, qeveria teknike është e mundur vetëm me ndryshimin e raporteve aktuale në Parlament. “Kemi një motiv që ka sjellë të gjithë këta qytetarë sot për të protestuar. Motivi i garantimit të zgjedhjeve të lira, të barabarta dhe të pakontestueshme. Dua t’iu drejtohem kolegëve të PS-së, se kur bëhet fjalë për zgjedhjet në demokraci nuk mund të ketë standarde të dyfishta dhe nuk mund të kuptohen ata sot me heshtjen e tyre, kur 4 muaj para zgjedhjeve nuk ka përfunduar Reforma Zgjedhore. Zgjedhjet e vitit 2015 me standarde më të ulëta se ato të 2013-ës. Për të mos folur për zgjedhjet e pjesshme në Korçë apo në Dibër”, u shpreh Dule.

Rexhep POLISI

Artikulli paraprakBerisha: Revolucioni demokratik filloi, mbi 500 mijë në shesh
Artikulli tjetërFaqja e pare