Nuk ka pazare, Lëvizja që ka nisur nuk ndalet

Në ditën e 5 të protestës së opozitës, kreu i PD, Basha shprehu vendosmërinë se nuk ka kompromise dhe pazare për kushtin e opozitës, qeveri teknike që do të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme. “S’ka kompromis, kthim pas, as pazar”. Kështu u tha Basha demokratëve dhe qytetarëve në protestë pas deklaratave të ndërkombëtarëve për t’iu kthyer normalitetit në politikë. Gjithashtu Basha iu drejtua me këtë mesazh kryeministrit Rama dhe aleatit të tij Meta. “Do i shkojmë deri në fund pa asnjë tërheqje, komprosim, as pazar. Le ta dijë mirë Edi Rama, le ta dëgjojë mirë Ilir Meta, jo një, por 10 darka të hanë bashkë buka e popullit do i ngelet në fyt. Nuk ka pazar me zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo nuk është lëvizje e PD-së, por lëvizje mbarëpopullore kombëtare. U them ndonjë analisti që kërcen hu më hu ta ndajnë mendjen. Kjo që ka nisur nuk ndalet. Shqipëria nuk do të jetë kurrë më si më parë”. Opozita do të vijojë protestën e saj dhe nuk do të negociojë për kushtet e saj. Kërkesa pa kompromis e demokratëve, është qeveria teknike. “Çdo përpjekje për të bërë pazar me shpresën e besimin për zgjedhje të lira do të dështojë me turp. Nuk jemi këtu për të bërë pazar me protestën e popullit e të lëmë në baltë qindra qytetarë që na bashkohen dhe po na bashkohen ditë për ditë. Jemi këtu për të shembur në themele këtë sistem të korruptuar. Nuk ka kthim pas nga protesta, nuk ka kthim në Parlament pa plotësuar kushtin qeveri teknike për zgjedhje të lira e të ndershme”, tha kreu i PD.

Mesazhi i Bashës për studentët

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i është bashkuar sërish protestuesve pasditen e djeshme, të cilët prej së shtunës, 18 shkurt, qëndrojnë në çadrën e vendosur pranë Kryeministrisë. Gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë e mbledhur aty, Basha u ka premtuar atyre se në ditën e parë të detyrës së tij si kryeministër, do të anulojë ligjin e arsimit të lartë. “Për studentët dhe arsimin e lartë, një qeveri e zgjedhur me votë të lirë të qytetarëve shqiptarë, që unë do të kisha nderin t’i shërbeja si kryeministër, në ditën time të parë do të firmos anulimin e ligjit të arsimit të lartë. Në plehra e ka vendin ligji që vjel shqiptarët, që i bën të paguajnë dyfish qytetarët shqiptarë, një herë nga taksimi i përgjithshëm që i merr shqiptarëve, e një herë nga tarifa. Ne nuk do të pranojmë kurrë që vendimet për arsimin e lartë t’i marrin një grusht politikanësh, e aq më pak ministrja e salcës që nuk ka kualifikimet e nevojshme për të qenë ministre, e aq më pak e arsimit. Këtë vendim duhet ta marrin grupet e përbashkëta të akademikëve dhe studentëve. Nuk do të ketë asnjë të ri shqiptar që do të mbetet pa studiuar për shkak të pamundësisë ekonomike. Për ata që mbarojnë arsimin e lartë dhe enden rrugëve, qeveria ime ka një plan. Ju prisni me të drejtë dhe unë do ju jap modelin europian në qeverisje. Çfarë është e mirë për Europën, është e mirë edhe për shqiptarët. 10 mijë stazhe në vit me pagesë 200 mijë lekë në muaj plus sigurimet shoqërore e shëndetësore, kjo është skema që ne nxisim, që studentët të mos mbeten rrugëve e kafeneve, por të njohin tregun e punës, të industrisë apo vendin e punës. Kjo skemë do të paguhet nga buxheti i shtetit. Paratë do t’i marrim nga xhepat e derrave që sot i vjedhin, dhe i marrin në koncesione korruptive, tipike rilindase”, tha Basha. Teksa ka ritheksuar edhe një herë kërkesën e protestuesve për zgjedhje të lira e të ndershme, Basha u shpreh se qeveria teknike është vetëm stacioni i parë i kësaj lëvizje popullore. “Kjo është një protestë popullore dhe qëllimi është t’i kthejmë popullit një republikë demokratike. Qeveria teknike është vetëm stacioni i parë. Së bashku po hedhim themelet e një Shqipërie tjetër, e një republike tjetër. Ndërkohë që vjedhin e batërdisin pasuritë e vendit, e kanë zhytur Shqipërinë si asnjëherë më parë në drogë e krim. E tashmë po kërkojnë të vjedhin zgjedhjet. Synojnë që të shndërrojnë çdo qytetar të këtij vendi, në një skllav të kësaj qeverie fasadë. Jemi këtu për t’i thënë jo kësaj. Jemi këtu për të hedhur nga themelet këtë ngrehinë të kalbët e të korruptuar. Kush ka nostalgji apo dëshiron të jetë pjesë e regjimit të vjetër, ta dijë se do të na ketë kundër, të gjithëve ne, qytetarëve. Ne nuk do të ndalemi derisa ta shembim. Republika e krimit dhe korrupsionit do të marrë fund, ky është vendimi i shqiptarëve, ne nuk tërhiqemi deri në fitore. Miqtë tanë nga Brukseli në Washington, Athinë, Londër e kudo ku janë, japin mbështetjen e tyre për zgjedhje të lira e të ndershme. Mos besoni këdo që ju thotë ndryshe. Nuk ka njeri europian e amerikan që të jetë kundër zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ndaj zgjedhjet që do të vijnë duhet të garantojnë parimin themelor të demokracisë, zgjedhje të lira e të ndershme. Por zgjedhje të tilla nuk mund të ketë me kriminelët në pushtet, me Shqipërinë hambar droge për të mbështetur kriminelët në pushtet”, u shpreh kryedemokrati. Në fund të fjalës së tij, Basha ka përcjellë edhe një mesazh për studentët dhe të rinjtë shqiptarë: “Të rinjve shqiptarë, studentë dhe gjimnazistë, u them bëhuni gati, Shqipëria që po vjen është Shqipëria juaj. Do të jetë vetëm në duart tuaja, Shqipëria që po vjen. Asgjë nuk do të jetë më si më parë. Gjithçka do të ndryshojë me fuqinë e kësaj lëvizje popullore, kombëtare dhe demokratike. Kastat do të përmbysen, republika e krimit do të marrë fund. PD dhe unë jemi të vendosur të bëjmë pjesën tonë në këtë betejë kombëtare, në këtë lëvizje kombëtare e popullore. Vendimi ishte në dorën tuaj dhe fitorja është në dorën tuaj. Unë nuk tërhiqem, Parlamenti i krimit ka marrë fund, ky këtu është Parlamenti i vërtetë i republikës së re që po lind. Ndaj ju kërkoj që duke luftuar për kërkesat tuaja të drejta, për tarifa të ulura, për kuotat, për stazhet e paguara nga shteti, të mbështesni kauzat e drejta, e sidomos atë që do ta mundësojë këtë, zgjedhjet e lira e të ndershme”.

Arben SHAHINI

Exit mobile version