“Nuk ka qenë udhëtim i lehtë”/ Burhan Misiraj: Duhet të jemi zëri për ata që nuk kanë mundësi

Nga Burhan Misiraj

Të dashur qytetarë të qarkut Fier, miq dhe mbështetës, sot, më shumë se çdo herë tjetër, dua t’ju them faleminderit nga zemra. Faleminderit që më besuat, që më dëgjuat dhe që u bashkuat në këtë rrugëtim, që nuk ishte vetëm i imi, por i të gjithëve ne që besojmë në një Shqipëri më të ndershme, më të drejtë dhe më të mirë.

Ky nuk ka qenë një udhëtim i lehtë, nuk ka qenë as e thjeshtë për të shprehur lirshmërisht me votë mbështetjen kur përballesh me pengesa, presione, madje edhe kërcënime. Dhe pikërisht për këtë arsye, jam akoma më i bindur se duhet të jemi zëri për të gjithë ata që nuk mundën të shprehnin të lirë vullnetin e tyre, për çdokënd që na hapi derën e na mirëpriti në shtëpinë e tyre, për të gjithëve që ju dhamë dorën, biseduam e ndamë problematikat e emigrimit, papunësisë, varfërisë e nevojës për ndryshim, për të gjithë që kishin besim se vendi ynë meriton të qeveriset me ndershmëri.

Një falënderim të veçantë në këtë udhëtim kam padiskutim për familjen time të madhe, që ka qenë gjithmonë pranë meje, në çdo hap, në çdo sfidë dhe më kanë treguar se nuk jam e nuk do të jem kurrë vetëm.

Ne dolëm përpara qytetarëve me ide të qarta, me një program që nuk premtonte mrekulli, por një ndryshim real. Dhe kjo nuk përfundon me një ditë zgjedhjesh. Përkundrazi është vetëm fillimi i një angazhimi që do të vazhdojë, sepse Shqipëria ka nevojë për njerëz që nuk dorëzohen.

Tashmë nis një kapitull i ri, me betejën e përbashkët për të ndërtuar të ardhmen, me besim dhe përkushtim. Sepse Shqipëria meriton më shumë. Qarku i Fierit meriton më shumë.

Ju përulem me respekt. Faleminderit për gjithçka!

Exit mobile version