Në Komisionin e Ekonomisë, ku po diskutohet projektbuxheti 2018, nënkryetarja demokrate e Komisionit, Jorida Tabaku, vuri në dukje 10 defektet kryesore. Tabaku ka vënë në dukje mungesën e fondeve për rritje pagash dhe pensionesh, ndërsa ka vënë në dukje se ajo që deklaroi Rama për një qeveri të vogël rezulton një mashtrim në një kohë kur numri i punonjësve në administratë është rritur. Ndërsa është ndalur tek çështja e ndihmës ekonomike, Tabaku ka bërë të ditur se ndihma ekonomike vijon të jetë e njëjtë pa asnjë fond shtesë apo rritje.
“Nuk ka rritje pagash. Nga 5,5 mld lekë, fondi tani është 1 mld lekë. Nuk ka rritje pensionesh. Nga 2,5 mld lekë, fondi tani është 1,8 mld lekë. Nuk ka qeveri të vogël. Numri i punonjësve është rritur. Nga 81 617 punonjës, bëhet 81 660. Nuk ka fonde as për indeksim pagash e pensionesh. Ndihma ekonomike nuk shtohet. Ishte 20 miliardë, është 20 miliardë lekë” është shprehur Tabaku.
Nga ana tjetër, ajo ka vënë në dukje se edhe kompensimi i ish-të përndjekurve politik mbetet në vend numëro, ndërkohë që qeveria edhe për këtë zë nuk ka bërë asnjë rritje fondesh.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me fondet e arsimit dhe shëndetësisë, në një kohë që të dy këto sektorë janë ndër më të rëndësishmit.
Tabaku ka vënë në dukje gjithashtu stopimin e investimeve publike dhe atyre strategjike, ndërsa ka denoncuar shpenzimet e luksit dhe koncesionet abuzive.
“Nuk rritet kompensimi i të përndjekurve, shqetësim që Partia Demokratike e ka ngritur vazhdimisht.. Ishte 2 mld lekë, është 2 miliardë lekë. Me këtë ritëm duhen 20 vjet të përfundojë pagesa për ish-të përndjekurit.
Investimet janë në vlerën 86 miliardë, por siç është praktikë e kësaj qeveria nuk do të zbatohen. Në këtë shumë përfshihen 9,4 miliardë lekë koncesione, 1,8 miliardë lekë shpenzime luksi.
Investimet kryesore strategjike janë braktisur, duke filluar nga rruga e “Arbrit” që jepet me koncesion, duke vazhduar me shkollat e shëndetësinë që përsëri jepen me koncesion.
Arsimi është në minimumin e mundshëm të fondeve me 3,6 mld lekë, ku nuk përfshihet as kërkesa e opozitës për libra falas.
Shëndetësia është 1,98 miliardë lekë, duke përfshirë dhe koncesionet në shëndetësi. Në minimumin historik”, ka bërë të ditur Tabaku.