Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në seancën e jashtëzakonshme të kësaj të hëne kthimin e dosjeve të kandidatëve për komisionet e vettingut tek Avokati i Popullit për rishqyrtim.
Vendimi është miratuar me 81 vota pro, ato të mazhorancës, ndërkohë që deputetët e opozitës së djathtë nuk kanë qenë të pranishëm në sallë.
Votimi vjen pas dy takimeve të bërë më herët gjatë ditës nga krerët e koalicionit qeverisës, kryeministri Rama dhe kreu i Kuvendit Meta, të shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tyre, përkatësisht Gramoz Ruçi dhe ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili.
Në seancë plenare, Ruçi ka akuzuar presidentin e Republikës se nuk ushtroi kompetencat e tij për reformën në drejtësi.
Siç e kërkon ligji, duhen 27 anëtarë për të plotësuar vendet vakante të organeve të vettingut, ndërkohë që Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka përzgjedhur si kandidatë 21 nga ata që plotësojnë kriteret formale.
Por ONM-ja ka dhe një listë tjetër dhe sipas saj janë 79 anëtarë nga ata që Avokati i Popullit i kishte klasifikuar në listën e atyre që nuk plotësonin kushtet formale, të cilët mund të kualifikohen nëse u jepet një shans tjetër.
Pikërisht kthimi i procesit tek Avokati i Popullit, që këtyre 79 kandidatëve t’u kërkohet dokumenti që u mungon, ishte zgjidhja e arritur në takimin e partnerëve të koalicionit.
Avokatit të Popullit do t’i lihet një javë kohë për të vendosur se cilët do të jenë kandidatët përfundimtarë për anëtarët e komisioneve dhe më vonë do të dalë lista me të paktën 3 emrat e mazhorancës, që do të kontrollojnë punën e Avokatit të Popullit.