Nuk kam vendosur asgjë për të ardhmen

Nuk është çdo gjë e përfunduar për transferimin e Mats Hummels te Bayerni i Mynihut verën e ardhshme. Gjatë ditëve të fundit në media është folur shumë për arritjen e marrëveshjes mes Borussias dhe bavarezëve për kalimin e mbrojtësit të kombëtares gjermane në “Allianz Arena”, por ka qenë vetëm futbollisti 27-vjeçar ai që ka hedhur poshtë këto zëra.
Në një intervistë për mediat Hummels është shprehur: “Nuk është e thënë që unë të largohem, çdo gjë është akoma e mundur, pasi nuk kam vendosur ende për asgjë. Ajo komunikatë e dalë në media ka dhënë një ndjesi të gabuar dhe nuk e di përse është bërë”. Ishin këto fjalët e mbrojtësit 27-vjeçar, i cili la gjithçka të hapur përsa i përket të ardhmes së tij. Për të lënë të lirë Mats Hummels-in, shefi ekzekutiv i Borussias së Dortmundit, Hans Joachim Watzke theksoi se drejtuesit e Bayernit duhet të paguajnë klauzolën e largimit të lojtarit që kap shifrën e 38 milionë Eurove nëse dëshirojnë të bëjnë të tyrin shtatlartin e prapavijës.

Artikulli paraprakCopa Libertadores, eliminohen River Plate dhe Corinthians
Artikulli tjetërKlop i entuziazmuar