Një tjetër ngjarje sa skandaloze aq edhe qesharake ka ndodhur dje në një fshat të Librazhdit. Autoritetet shtetërore kanë gjobitur me 80 mijë lekë të reja një të moshuar nga një fshat i Librazhdit, i cili kishte nxerrë disa kafshë në shitje për të fituar disa para për të ushqyer familjen e tij. Sipas autoriteteve, kafshët që po tregtoheshin nga fshatari i varfër nuk kishin leje. Denoncimi është bërë nga një banor i zonës në rrjetet sociale, duke marrë me qindra komente për këtë veprim qesharak të autoriteteve shqiptare.
Një ditë më parë policët bashkiakë të Veliajt i sekuestruan karrocën e kokoshkave një gruaje në Tiranë. Pas marrjes me dhunë të mjetit që siguronte bukën e gojës, gruas i ra të fikët në mes të rrugës. Fotoja e publikuar në rrjetet sociale, tregon momentin kur gruaja shembet në tokë, ndërkohë që asnjë ambulancë nuk është prezente. Të paktën disa qytetarë i kanë ardhur në ndihmë gruas, e cila thotë se nuk ka 5 mijë lekë për ta rimarrë mbrapsht karrocën.
Aksionet e Policisë Bashkiake të Tiranës, kanë kohë që kanë marrë trajtën e gestapos së Hitlerit. Njerëz të veshur me uniformën e Policisë Bashkiake që veprojnë 10 herë më të dhunshëm se vetë Forcat Speciale të Policisë së Shtetit. As rasti i gjobitjes absurde të një gruaje të vjetër për një tufë spinaq pak kohë më parë e shumë e shumë denoncime të tjera të barbarisë së policëve bashkiakë të Erjon Veliajt nuk ka ndikuar aspak në vetpërmbajtjen e kësaj trupe policore që ka marrë trajtën e një bande gjobëvënësish e dalë jashtë kontrollit.