Nuk largohem nga Kombëtarja

Ergys Kaçe nuk do të lërë Kombëtaren. Përkundër raportimeve mediatike që paralajmëronin diçka të tillë, mesfushori ka konfirmuar se as nuk e ka menduar diçka të tillë. Supersport kontaktoi me 23-vjeçarin, i cili bëri të ditur se gjithçka në lidhje me këtë çështje e ka sqaruar në një intervistë dhënë për faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, duke e sugjeruar në këtë mënyrë si pikë referimi pas lajmeve nga më kontradiktoret në lidhje me të. Në intervistën për faqen zyrtare të organizmit drejtues të futbollit shqiptar, pyetjes se sa të vërteta janë aludimet për largimin e tij nga skuadra Kombëtare, Kaçe i përgjigjet tekstualisht në këtë mënyrë.
“Paraprakisht mund të them se këtu s’ka asgjë të vërtetë. Kurrë nuk kam menduar këtë gjë, e jo më ta deklaroj. Unë e dua Shqipërinë dhe jam krenar për atë që kam dhënë për kombëtaren shqiptare të futbollit. Do të vazhdoj të jap kontributin tim maksimal, në çdo ndeshje, duke treguar vlerat e mia, të cilat si gjithmonë do t’i vë në shërbim të skuadrës”.
Më tej, Kaçe sqaron dhe marrëdhënien me trajnerin De Biasi, ndërsa shprehet se nuk ka ndodhur asgjë e veçantë për të tërhequr vëmendje kaq të madhe, pasi e konsideron një komunikim normal me trajnerin pa harruar të theksojë se respekton trajnerin dhe zgjedhjet e tij si një futbollist profesionist. Kaçe shton se patjetër që ai dëshiron të aktivizohet më tepër, por e di që vetëm me punë do të arrijë synimet që ka vendosur në karrierën e tij ndaj dhe është i bindur se do të tregojë se sa vlen duke punuar akoma më tepër. Kaçe nuk e fsheh se komunikon shpesh me Presidentin e FSHF, Duka si një njeri që i qëndron pranë skuadrës kombëtare, por kurrë nuk ka folur me të për largimin e tij nga kombëtarja apo diçka të tillë. Për sa i përket të ardhmes Kaçe i ka gjërat e qarta, ndërsa premton se është i përkushtuar për të dhënë më të mirën si në klub, ashtu edhe me Kombëtaren Kuqezi.
Tekniku kishte 25 futbollistë në dispozicion për ndeshjet kundër Lihtenshtejnit dhe Spanjës, ndërsa më të shumtë në numër në listë ishin mesfushorët. Ndaj, në ndeshjen kundër Lihtenshtejnit ai vendosi të sakrifikonte Latifin, duke mos e futur në protokoll, si dhe Memushajn, i cili, për shkak të një dëmtimi ishte në rolin e një tifozi në tribunë për këtë 90-minutësh.
Mesfushori i Kombëtares, Ergys Kaçe, është prononcuar për një të përditshme sapo është marrë vendimi i trajnerit për ta lënë atë dhe Liridon Latifin jashtë listës së 23 futbollistëve që shënohen në protokoll. I pyetur në lidhje me këtë vendim, mesfushori ka qenë krejtësisht i paqartë për arsyen pse trajneri e ka bërë diçka të tillë.

Exit mobile version