“Nuk lejohen më luhatje”, ish-futbollisti Kapllani: Silvinjo u bind nga Tuci, si ndryshoi Kombëtarja në Gjeorgji

Kombëtarja shqiptare luajti dy ndeshjet e këtij muaji në kuadër të Ligës së Kombeve, një humbje në Çeki ndaj vendësve dhe një fitore në transfertë kundër Gjeorgjisë.

Për analizën e paraqitjeve të këtyre dy takimeve dhe më tepër, “Panorama Sport” ka zhvilluar një intervistë me ish-futbollistin e Kombëtares shqiptare, Edmond Kapllani. Ish-sulmuesi thotë se çfarë ndryshoi në kaq pak ditë, çfarë problematike has ende në ekip dhe gjithashtu komenton ndryshimet në formacion dhe debutimin si titullar të Tucit.

Kapllani, çfarë ndodhi brenda pak ditësh, nga një humbje në Çeki vjen ajo kthesë kundër Gjeorgjisë, çfarë ndryshoi në Kombëtare?

Ç’është e vërteta, Çekia ishte një ndeshje për t’u harruar dhe ekipi ynë kombëtar nuk funksionoi nga fillimi deri në fund, përveç atyre 5-6 minuta të rastit që pati Asani. Të them të drejtën nuk është se bëmë një ndeshje që të bindnim për një rezultat pozitiv, prandaj them ishte një ndeshje për tu harruar dhe siç u tregua pas tri ditësh në Gjeorgji, parashikoj që Silvinjo nuk është marrë shumë me ndeshjen me Çekinë, por më shumë me Gjeorgjinë, sepse ishte kohë e shkurtër. Ndeshja me Gjeorgjinë ishte një fitore morali, impenjimi ishte i duhur dhe kishim më shume episode, prandaj e fituam këtë ndeshje. Vuajtëm 20 minutat e fundit, por të them të drejtën vuajtëm për fajin tonë sepse kishim mundësi për ta mbyllur ndeshjen pas 1-0, kishim momente të mira para portës kundërshtare, duhet t’i kishim shfrytëzuar më mirë. Është një fitore e vuajtur, por e merituar.

Si ju dukën ndryshimet e Silvinjos ndeshjen e dytë, duket sikur trajneri u shpërblye?

Silvinjo e ka kuptuar, por ai do që të bindet. Që të futë në lojë një lojtar si Tuci, një djalë i ri, në një ndeshje të vështirë për ekipin kombëtar pas dy humbjeve ai duhet që të bindet. Dhe Tuci duket se ia ka dalë ta bindë gjatë stërvitjeve dhe ndeshjeve që ka luajtur tek ekipi i tij, ndërsa zëvendësimi i Kumbullës me Ajetin, me gjithë respektin për Kumbullën, sepse është një mbrojtës shumë i mirë, por Ajeti ka personalitetin e duhur në këtë lloj ndeshje, siç e tregoi. Nëse shohim lëvizjen e Hysajt me Balliun, ishte sepse Hysaj nuk ka minuta me ekipin e tij, ai luajti në Çeki dhe ndoshta ka qenë edhe një arsye për të futur një freski me Balliun. Si në pjesën e parë, ashtu edhe të dytën ai doli shumë shpesh pas shpinës së Asanit, ku futi dy tri krosime, pra bëri një ndeshje pozitive. Të tria lëvizjet që ka bërë Silvinjo qëlluan në shenjë, dhe sinqerisht është dhe merita e tij.

Artikulli paraprakMinistria e Bujqësisë lejon tregtimin e pesticideve të ndaluara nga BE, si ndëshkohen fermerët
Artikulli tjetër“La Repubblica”: Brukseli kundër paktit Rama-Meloni, e quan të paligjshëm