Interi ka filluar përgatitjet për ndeshjen ndaj PSG-së që në ditën pas fitores ndaj Barcelonës në Ligën e Kampioneve. Jo në terrenin sportiv duke u përgatitur taktikisht për sfidën me ekipin e Luis Enrikes, por duke mbledhur sa më shumë informacione për të.
Pjesë e punës, ka qenë edhe dërgimi i një “spiuni” për të ndjekur ndeshjen që parisienët luanin të mërkurën ndaj Arsenalit në fushën e tyre. Dhe i dërguari nuk ka qenë vetëm një pjesëtar i stafit të Inzagit, por edhe një prej futbollistëve zikaltër.
Benzhame Pavard ka qenë i pranishëm në tribunën e “Parc Des Princes” për duelin kundër londinezëve, të cilin PSG e fitoi me shifrat 2-1. Lojtari kishte planifikuar që më parë një udhëtim në Francë pas ndeshjes së Interit, të cilin ai e ndoqi si tifoz i mirëfilltë pasi nuk mund të luante për shkak dëmtimi. Por ai ka shfrytëzuar rastin për të ndjekur nga afër rivalët e radhës në Ligën e Kampioneve, me shpresën që kur të vijë dita e finales, të jetë edhe ai në fushë ndaj tyre.