Nuk më trishton djali i Sevos, por sociologu Tarifa!

Namir LAPARDHAJA

Unë i padëgjuari në Tiranë nuk doja të bëja replikë me djalin e Sevos. Kur reagova fillimisht lidhur me sulmet ndaj Agron Tufës as që e mendova e as kisha ndonjë pretendim të më merrnin për avokat të Agron Tufës, sepse nuk ka nevojë për avokatinë time, e aq më pak të jem menaxher i imazhit të tij. Unë thjesht doja të rrëfeja se nuk e kisha besuar se letërsia e Tufës dhe këmbëngulja e tij për të zbardhur krimet diktaturës, apo edhe të kohës së Luftës, do të zgjonte të gjithë ata që kanë fjetur e vazhdojnë të flejnë mbi gënjeshtrat që kanë sajuar për vite me radhë gjatë diktaturës, e që, për fatin tonë të keq, duan që t’i besojnë dhe fëmijët tanë.

Dhe kur mbërriti lajmi këtu në Berat (se mbërrin pak vonë në provincë) se në Tiranë djali i Sevos ishte marrë me mua, u habita. Por, kur u kujtova se djali i Sevos është pedagogu dhe sociologu Tarifa, atëherë më përfshiu vërtet një trishtim. Me trishtoi gjuha e tij, a thua se jepte leksione ligësie dhe voglësie të njeriut.

Më duhet të pranoj se, emrin e Fatos Tarifës e kisha ndeshur vite më parë, teksa akuzohej për vjedhje fondesh në Ambasadën Shqiptare në Uashington. Nuk kam besuar atëherë se ai mund ta bëjë një akt të ulët, si vesi i vjedhjes, e as sot, që po shkruaj këto radhë nuk i besoj.

Më shumë për Tarifën jam i trishtuar që ai, edhe pas shumë vitesh, nuk ka pasur asnjë shans të kuptojë krimet e komunizmit që çdo ditë janë botuar, sidomos nga Instituti që drejton z. Tufa. Por e di, se ai s’ka asnjë shans të ndëshkojë krimet e asaj kohe, sepse ai ende i beson ato përralla që ia ka treguar Sevo pasi bashkëredaktonte librat e Enverit, sidomos ato që retushonin të shkuarën pasi i dilnin shokët tradhëtarë.

Por Fatosi, si djali i Sevos, mund të ketë të drejtë të besojë në ato përralla. Ama, Fatosi sociolog vijon të jetë një dëm për gjithë shoqërinë, pasi ai helmon studentët me teoritë e tij. Ndaj dhe u trishtova sot, teksa pashë një faqe të tërë gazete, me gjuhë urrejtje, a thua se e shkruante një analfabet i sociologjisë, një njeri që nuk ka lexuar e nuk ka parë kurrë botë, e aq më pak të kuptojë se ç’është sociologjia.

Nëse këtë gjuhë ai përdor edhe me studentët, mjerë ne për leksionet që u ka dhënë studentëve. E imagjino se ç’mund të ketë bashkëbiseduar me miqtë tanë amerikanë të cilët Sevo i tij ia ka paraqitur si armiq, si tradhëtarë.

Shkrimi i Fatosit tregon se gjuha e sociologjisë që ai di është thjesht linçimi i tjetrit. Në fakt, është thjesht gjuha e një njeriu të gatuar me urrejtje, që nuk do të arrijë të pranojë kurrë fuqinë e lirisë, se nuk do shërohet kurrë nga gënjeshtra që ka trashëguar. Ligjërata e tij kundër Tufës, bashkë me Sevon dhe gjithë shokët e tij, tregojnë veç grahmat e fundit të atyre që po e shohin se, e vërteta do t’u tregohet brezave, se e vërteta do të vijë përmes letërsisë dhe botimeve, që më në fund do të zbardhin katrahurën e madhe të gënjeshrave që ka fjetur ai dhe shokët e tij.

Ne nuk duhet të na trishtojë djali i Sevos. Ne duhet të shqetësohemi për aq kohë sa Fatosi jep ende leksione, drejton katedra, apo edhe më keq, drejton ndonjë universitet. Sepse gjuha e tij e urrejtjes është infektuese dhe është një dëm i madh për studentët, të cilët duhet të çlirohen nga bota e gënjeshtërt dhe kriminale ku ka jetuar Fatosi.

Mua, të padëgjuarin në Berat, më dhanë idenë e helmit veç disa shkrime që lexova kohët e fundit prej tij. Por, në Tiranë, besoj se helmi dhe arti i urrejtjes është më i pranishëm, ndaj trishtohem për ndotjen morale që ai mund të shkaktojë çdo ditë që flet e shkruan.

Artikulli paraprakLiderin e “opozitës së re” e lë gruaja pasi kërkoi mandatin e deputetit, Gjuzi: Kam shpresa prap
Artikulli tjetërDenoncimi tek Berisha: Kreu i Bashkisë, pas shpërthimeve të tritolit në Fushë Krujë, ha e pi me ta…