Kategoria Superiore humbet Vllazninë, skuadrën historike të futbollit shqiptar që i ka dhënë shumë këtij sporti. Vllaznia e shumë emrave të mëdhenj, sezonin e ardhshëm do të luajë në Kategorinë e Parë për herë të tretë në historinë 100-vjeçare të saj. Fati deshi që javën e fundit Vllaznia të luajë në Korçë ndaj Skënderbeut, në një ndeshje që ishte e lehtë të mendohej se ajo do të fitonte.
5-1 ishte rezultati ideal për shkodranët, të cilët ishin sy e veshë edhe nga ndeshja e “Selman Stërmasit”, mes Partizanit dhe Kamzës. Shkodranët shpresonin në një dhuratë nga ana e Partizanit që gjatë gjithë sezonit kishin trumbetuar ndershmërinë në lojën e tyre, por fusha tregoi krejtësisht të kundërtën. Rezi shënoi golin që i dha mundësinë Kamzës të qëndrojë në Kategorinë Superiore dhe të dënojë Vllazninë, që provoi atë që përjetoi skuadra e Tiranës, madje ishte vetë ajo që e coi në Ferr skuadrën bardheblu.
U bënë shumë përllogaritje gjatë gjithë këtyre ditëve, u fol për shumë interesa, madje edhe politike, por asgjë nuk shpëtoi dot Vllazninë, skuadrën më të vjetër të futbollit shqiptar.
Java e fundit ishte edhe dita e verdikteve të tjera, siç ishte kualifikimi për në Europa League të Luftëtarit për herë të parë dhe e Laçit, që siguroi përfundimisht vendin e katërt, që do të thotë se fiton apo jo kupën ditën e dielë, do të luajë në kompeticionet evropiane sezonin e ardhshëm.
Luftëtari mundi Lushnjen 2-1, ndërsa Laçi fitoi me Teutën 4-2.
Dhe në fund, kjo e mërkurë ishte dita e dorëzimit të trofeut të kampionit te Skënderbeu, që e kishte siguruar prej kohësh titullin e tij të 8 kampion të Shqipërisë në historinë e tij.