Nga Mimoza ÇELÇIMA
Nuk dua të flas për të bërë moral, se moral e moçal politik ka plot.
Nuk dua të gënjej a fantazoj, se premtime utopike marrim çdo prag zgjedhjesh.
Unë jam një prej jush, kam vuajtur si ju, jetoj në të njëjtin realitet me ju, dhe shpresoj njësoj si ju. Shpresoj për fëmijët, shpresoj për familjen, shpresoj për veten.. që jetesa në këtë vend të jetë më e përshtatshme, jo se e dëshirojmë apo kërkojmë, por se e meritojmë.
Nuk vij me propagandën e hakmarrjes ndaj sistemit aktual, të trashëgimtares së një të përndjekuri politik, por me forcën e fjalës së qytetarëve që aktualisht përndiqen sot, veçse jo mbi baza politike, por mbi baza më të moderuara, siç është moszbatimi i politikave sociale, apo përpjekja e zyrtarëve të veshur me pushtet, për të jetuar në luks në kurriz të popullit, duke i mohuar të drejtën për të gëzuar të drejtat e tyre, pasuritë e tyre, të drejtën për të mbrojtur bukën e përditshme. Sepse paçka nismave të paketave ligjore ndër vite e breza qeverish, standarti i jetesës së individit “popull” mbetet praktikisht nën minimumin jetik, aq sa pensionistët kthehen në lypës të të bijve, apo dhe e kundërta ndoshta, ku të bijtë mbeten në mëshirë të pensionit të pleqërisë a përkrahjes sociale, që veçse sociale nuk është.
Sot reklamohet fort teza politike e anëtarësimit në BE duke kërkuar votën e shqiptarëve, por harrohet që ky është një proces i zgjatur në kohë që nuk diktohet e as kushtëzohet nga përbërja nominale e qeverisë, por nga marrja përsipër nga vendi kandidat, të përafrimit të plotë të legjislacionit të BE-së, zbatimit të tij, si dhe zbatimit të reformave ligjore, politike, ekonomike, administrative dhe reformave të tjera për të përmbushur kriteret për anëtarësim. Të gjitha këto, kërkojnë një zhvillim gjithpërfshirës politik, social dhe ekonomik të vendit, një zhvillim që sot mbetet vetëm në letër. Mund të propozohen e miratohen akte ligjore e nënligjore pafund për të rregulluar në kufijtë e perfeksionit objektivat social-ekonomike, por të gjitha këto, të pazbatuara në praktikë, mbeten veçse ushqim iluzionesh, vite drite larg shtetit ligjor e qëllimit të drejtësisë.
Vij nga realiteti i hidhur por i gjithëpranuar i vendit të “Zulluve”, ku çdo pasurim i tejskajshëm përmes vjedhjeve e detyrës së shpërdoruar, ka passjellë mungesë shërbimesh a shërbime të keqofruara për publikun, e kjo s’është tjetër veçse rritje e numrit të të sëmurëve, rritje e nivelit të varfërisë, rritje e numrit të të diplomuarve pa arsim, largim masiv i të rinjve, rritje e numrit të viktimave të jetës e të krimit.
Nuk dua t’iu tregoj përralla apo ëndrrat tuaja ti pasqyroj në premtime, sepse premtimet pa punë janë fjalë të mbetura në humbëtirë. Dua vetëm t’i jepni mundësi vetes, t’i thoni mjaft zhgënjimit, t’i thoni mjaft nënshtrimit ekonomik e social, e mbi të gjitha, të gjeni kurajon për të rrëmbyer lirinë e fjalës e veprimit, për ta përcaktuar fatin e përfaqësimit tuaj përmes votës, pa pasur frikë se do të ndëshkoheni për zgjedhjen tuaj, cilado qoftë ajo.
Unë e kam kurajon ti dal për zot bindjes time, këtë kurajo duhet ta keni edhe ju. Është në dorën tuaj nëse zgjidhni ti nënshtroheni përjetësisht atyre që ju kanë përçmuar e nënvlerësuar, që teksa ju japin besën për rilindje e ringritje, për një Shqipëri madhështore, kanë kohë që kanë harruar se ekzistoni dhe të harruar do t’iu lënë gjithmonë, sikurse është në dorën tuaj të kërkoni zgjidhjen përmes votës tek kandidati që besoni se mund të bëjë më shumë, me ju dhe për ju. Kjo është dhe risia e këtyre zgjedhjeve, nëse nuk bindeni në politikat e ndonjë force politike, drejtojeni votën ndaj kandidatit me të cilin besoni se ndani të njëjtin vizion. E nëse vetë ndiheni të lodhur, zgjedhjen përmes votës së lirë duhet ta shikoni si detyrim ndaj fëmijëve tuaj, që para tyre të ndiheni ndërgjegjshmërisht të pastër se Ju luftuat për to, për të ardhmen e tyre, përmes fjalës e përmes votës.
Dhe mos harroni: Një për të gjithë e të gjithë për një! Nëse kërkoni që përfaqësuesi juaj të jetë i denjë, luftoni fort me mjetin e vetëm që keni për ta zgjedhur atë. Votoni më 11 Maj 2025! Besojani fjalën tuaj kandidatit që besoni se e vlerëson, e beson dhe do e përçojë siç duhet në parlament. Besojani shqetësimin tuaj kandidatit që e përjeton njëlloj dhe besojani ëndrrat kandidatit që ëndërron njëlloj, por me këmbë në tokë.
Asgjë nuk vjen nga hiçi dhe nuk ka fitore pa përpjekje. Nisma jeni Ju, vazhdimi jeni Ju, e ardhmja jeni Ju! Nuk ka qeveri të dështuara, por ka vendime të gabuara që marrim për ti besuar pushtetin njerëzve jo të duhur e të korruptuar. Nuk mund të ndryshojmë të shkuarën, por jemi në kohë të përcaktojmë të ardhmen!
Durrësi, meriton më shumë!
Shqipëria, meriton më shumë!
Bashkë, mund të bëjmë më shumë!
MIMOZA ÇELÇIMA,
Kandidate për deputete, Qarku Durrës
Koalicioni Euroatlantik